Gëzim Saliu
5 shtete anëtare të BE-së, kundër marrjes së statusit në dhjetor
Fyle: Nuk ka kushte të reja për Shqipërinë, vijoni reformat
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian vendos që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, duke e shtyrë vendimin në qershorin e vitit 2014. Në mbledhjen e djeshme në Bruksel, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, pasi njohën progresin e bërë nga vendi këtë vit, theksuan rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të përcaktuara si kyçe nga Komisioni Evropian. Duke bërë të ditur se nuk ka kushte të reja për Shqipërinë, por kërkohet vazhdimësi e reformave si edhe dialog politik mes palëve, komisionari për Zgjerimin, Stefan Fyle, deklaroi se perspektiva e qartë për statusin e vendit kandidat do të jetë muaji qershor. “Nuk do të ketë një status që do të jepet direkt, është çështje kohe. E kam bërë të qartë, pozitën e Këshillit të BE që Shqipëria ka ecur përpara dhe që vendet anëtare gjithashtu duhet të plotësojnë. Sigurisht janë dhe ato 3 çështjet e rëndësishme, që siç janë nuk ka kushte shtesë dhe kjo është e rëndësishme për gjithë vendet anëtare. Dhe së dyti, ka pasur vlerësim dhe mirënjohje për punën e bërë dhe ajo dallohet dhe në një prej paragrafëve që është specifik për progresin e bërë nga Shqipëria dhe elementi i tretë është parashikueshmëria që është e rëndësishme për pjesën më të madhe të vendeve anëtare dhe që i referohet takimit të ardhshëm të BE në Qershor që bazohet në raportin e komisioni”, – tha eurokomisioneri në konferencën për shtyp në fund të mbledhjes së Këshillit. Në këtë kontekst, Fyle bëri të ditur se ka pasur zhvillime domethënëse në Shqipëri, duke vënë theksin tek konsensusi ndërpartiak. “Zhvillimi i qetë i zgjedhjeve ishte një hap përpara për Shqipërinë dhe në luftën për krimin dhe korrupsionin. Kam qenë në Shqipëri para pak kohësh dhe për të nisur dialogun për prioritetet kyçe dhe kam njohur një dialog si me qeverinë ashtu dhe me opozitën, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, dhe jam i befasuar për bashkëpunimin me mes tyre dhe unë besoj fort se këto angazhime do vazhdojnë. Jemi në rrugë të duhur për këtë takim të qershorit”.
5 shtetet
Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave një ndryshim në tekstin e projekt-përfundimeve, ku kërkuan që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit qershorin e ardhshëm. “Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, – thuhej në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare, i konfirmuar nga burimet diplomatike të “Zërit të Amerikës”. Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave të BE-së për shtyrjen e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë pritet të konfirmohet më pas në 19 dhe 20 dhjetor nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Vendimet e Këshillit
Serbia nis në janar negociatat për anëtarësim
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosi dje që negociatat për anëtarësim me Serbinë të fillojnë në muajin janar të vitit 2014. Ndonëse 21 janari është përmendur si datë e mundshme, ajo pritet që përfundimisht të caktohet nga kryesuesja e radhës e BE-së, Greqia, e cila merr përsipër këtë detyrë nga një janari. Vendimi, i cili duhet të miratohet nga Këshilli Evropian në takimin e 19 dhe 20 dhjetorit, pasoi raportimin e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila e ka cilësuar mbresëlënës përparimin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke bërë thirrje për hapjen e negociatave për anëtarësim të kësaj të fundit. Në përfundimet e takimit, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi që të lidhin “një marrëveshje ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, para se Serbia të bëhet anëtare e Bashkimin Evropian”. Ministrat e Jashtëm që diskutuan procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetën edhe hapjen tashmë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Kosovën. Bisedimet me Serbinë ishin ato që siguruan fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që pritet të përmbyllen në pranverën e vitit që po vjen, me plane që marrëveshja të nënshkruhet në fillim të verës së ardhshme.
Ministrja e Integrimit
Gjosha: Do të vijojmë të përmbushim angazhimet
Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, ministria e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, deklaroi dje se qeveria do të vazhdojë me ritme të shpejta zbatimin e të gjitha reformave që kanë nisur. “Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian mori vendimin lidhur me propozimin e bërë nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Këshilli ka vlerësuar progresin domethënës dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar punën në kuadër të procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe marrja e statusit është vetëm çështje kohe. Këshilli i ka cilësuar mbresëlënëse hapat e ndërmarra sidomos sa i përket reformave integruese, duke vënë theksin te konsensusi i arritur nga klasa politike. Sipas tij, qeveria dhe Parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për ta mbajtur këtë konsensus politik. Këshilli shprehet se do të shqyrtojë statusin e Shqipërisë duke u bazuar mbi raportin e radhës që do të prezantohet nga Komisioni Evropian. Do të vijojmë të përmbushim angazhimet dhe detyrimet tona kundrejt qytetarëve shqiptarë dhe do të intensifikojmë përpjekjet tona, pasi hapat që po ndërmarrim, kanë ndikim të drejtpërdrejtë, jo vetëm në procesin e integrimit por kryesisht në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë”, – theksoi ministrja e Integrimit. Sipas saj, gjatë muajve të fundit ashtu sikurse edhe dje nga Këshilli i Ministrave, Shqipëria ka marrë vlerësime mjaft pozitive për progresin e bërë, të cilat reflektohen në progres-raportin e muajit tetor dhe rekomandimin zyrtar që ka bërë Komisioni Evropian, si dhe në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian vetëm pak ditë më parë.
Sondazhi
Bie ndjeshëm mbështetja për qeverinë “Rama”
Vetëm tre muaj pas betimit zyrtar, kuota pozitive e kabinetit ministror të përzgjedhur nga Edi Rama ka rënë nën nivelin kritik 50%, në sondazhin periodik “Barometër 24” të Eduart Zaloshnjës në “News 24”. Aktualisht, vetëm 47% e të anketuarve në kampionin prej 1200 votuesish aktivë urbanë kanë opinion pozitiv për ekipin e ministrave, ndërkohë që 57% e të anketuarve kanë votuar për mazhorancën aktuale në 23 qershor. Perceptimi për dy drejtimet kryesore të qeverisjes, rendin dhe ekonominë,ka pësuar një përkeqësim të ndjeshëm në muajin e fundit. Aktualisht, vetëm 43% e të anketuarve mendonin se situata e rendit po përmirësohet nën qeverisjen e re, nga 61% që mendonin kështu një muaj më parë. Vetëm 41% mendojnë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të jetë më e mirë pas një viti, nga 55% që mendonin kështu një muaj më parë. Ndërkohë, vetëm 36% e të anketuarve mendojnë se reforma në sistemin e drejtësisë do ta “shërojë” së shpejti atë. Kuota pozitive për Kryeministrin Rama ka pësuar një rënie prej 4 pikë përqindje këtë muaj, ndërkohë që vetëm 1/3 e të anketuarve që kanë opinion pozitiv për Ramën e kanë shumë pozitiv opinionin për të (para një muaji, 2/3 e tyre kishin opinion shumë pozitiv).