Ervin Kaduku
Sistemi fiskal që shpëtoi Shqipërinë nga kriza, ja çfarë po hidhet pas krahëve nga qeveria Rama
– Për çfarë i detyron shteti shqiptar qytetarët e vet të paguajnë?
– Taksat komëbëtare e vendore, sistemi që u perfeksionua tetë vjetët e fundit, duke u bazuar në taksën e sheshtë
– Publikohet lista e plotë e ngarkesave fiskale për ndërmarrjet, individët, shqiptarë e të huaj; shërben për të kuptuar se cila ka qenë politika, që ka mbajtur larg recesioneve vendin
(vijon nga dje)
Dje Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar në parim projekt-buxhetin për vitin 2014. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se ky buxhet do të rimëkëmbë ekonominë e vendit dhe se marrëveshja me FMN-në do të përdoret kryesisht për të shlyer detyrimet ndaj sipërmarrjes private. Cani tha gjithashtu se kredia e marrë nga qeveria është me interes 2%, ndërkohë që ish-zv/ministri i Financave dhe deputet i PD-së, Sherefedin Shehu, akuzoi qeverinë për sistemin e ri të taksave të cilat do të rëndojnë mbi biznesin. Sipas tij, parashikimi për rritjen e të ardhurave me 40 miliardë lekë nuk është real.
Gjatë javës së ardhshme buxheti i shtetit 2014 do të diskutohet nen për nen në Komisionin e Ekonomisë para se të kalojë për aprovim në Kuvendin e Shqipërisë.
Ajo që pritet të ndodhë, në fakt, është që, nga 1 janari i vitit 2014, biznesi, sidomos ai i madh, duhet të bëjë planet duke u bazuar në një sërë ndryshimesh të legjislacionit fiskal, duke filluar që nga tatimfitimi e deri te rritja e akcizës (për ato sipërmarrje që preken), apo dhe shtimin e kostove të karburanteve. E gjithë kjo në një mjedis ku konsumi mbetet i ulët dhe nuk pritet rritje pagash për buxhetorët, çka do të gjallëronte disi blerjet në vend. Sipërmarrjet, sidomos ato të fushës së ndërtimit dhe eksporteve, mund t’i gëzohen premtimit – në rast se mbahet! – të qeverisë se do të shlyejë borxhet e prapambetura dhe do të rimbursojë TVSH-në.
Për bizneset e vogla pritet një periudhë më pozitive, me taksa të lehtësuara që mund të shoqërohet me rritje të numrit të bizneseve të vogla në vend, apo dhe tendencë të sipërmarrjeve të mëdha për të copëzuar aktivitetin dhe për të kaluar në të vogla.
Por, ndërkohë që “Standard” e ka njohur tashmë lexuesin e vet me të gjitha ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale të përgatitur nga Ministria e Financave, nuk është pa vend të hidhet edhe një vështrim edhe për atë, se cili është sistemi aktual i taksave në vend. Kjo do të shërbente për të kuptuar se cila ka qenë politika e deritanishme e qeverisë, që ka shpëtuar Shqipërinë nga kriza globale, duke e mbajtur larg recesioneve. Po kështu, mund të shërbejë edhe për çdo studjues, student apo biznesmen, madje për çdo lexues të interesuar, duke marrë parasysh se është paraqitur në gjuhën më të thjeshtë të mundshme.
Sa më poshtë, vijon paraqitja e plotë e sistemit të taksave dhe tatimeve të të gjitha llojeve, në fuqi në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të atyre që lidhen me peshkimin.
* * *
Llojet e taksave kombëtare
Taksat kombëtare janë:
Taksa portuale
Taksa portuale është 1 euro. Kjo taksë paguhet nga çdo anije që është ankoruar dhe tregton në të gjitha portet shqiptare.
Taksa e qarkullimit mbi benzinën
Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Kjo tarifë vlen për benzinën dhe gazoilin e importuar, si dhe për ato të prodhuara në vend.
Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit
Taksa mbi automjetet e përdorura të transportit është e vlefshme për 365 ditë dhe llogaritet sipas kësaj formule:
Cilindër në cm3 x koeficienti i fiksuar sipas moshës x tarifa fikse për llojin e karburantit. Tarifa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas moshës së automjetit paraqitet në shtojcën 1 bashkëngjitur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet nga 0-3 vjeç nuk janë subjekt i kësaj takse.
Taksa e karbonit për benzinën, naftën dhe gazoilin
Taksa e karbonit është 1.5 lekë/litër për benzinën, 3 lekë/litër për gazoilin, 3 lekë/kilogram për qymyrin, 3 lekë/litër për solarin, 3 lekë/litër për mazutin, 3 lekë/litër për vajgurin dhe 3 lekë/kilogram për koks nafte.
Renta minerare
Çdo person fizik ose juridik, i cili është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë qira për burimet natyrore të nxjerra nga, mbi dhe nën tokën e Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si një detyrim mujor i tatimpaguesit, në kohën kur ai shet produkte minerale. Në rastin e eksportit të produkteve minerale, qiraja paguhet në kohën kur bëhet deklarata e eksportit. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalon pushtetit lokal, ku kryhet aktiviteti.
Taksa e akteve dhe e pullës
Masa e taksës
Në lekë
1. Për lëshimin e certifikatave për përdorim brenda vendit 50
2. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë për lidhje martese” 200
në gjuhë të huaj
3. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë lindjeje” në gjuhë të huaj 200 4. Për lëshimin e dokumentit “Certifikatë martese” në gjuhë të huaj 2000
5. Për regjistrimin e shtetasve të huaj pas dhënies së shtetësisë shqiptare 2000
6. Për të regjistruar vendimin e ndryshimit të emrit/mbiemrit 1000 7. Për mbajtjen e akteve të lidhjes së martesës 1000
8. Për procedurën për veçim/bashkim familjesh të shtetasve 1000
Taksat për ambalazhet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet e qelqit
Taksa për ambalazhet plastike njëpërdorimëshe është vendosur 100 lekë/kg dhe aplikohet mbi produktet vendase dhe ato të importit. Vetëm për industrinë e riciklimit, tarifa e ambalazhit, i prodhuar nga mbeturinat plastike të riciklueshme të gjeneruara në vend, është vendosur 50 lekë/kg. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase.
Taksa për ambalazhet e qelqit njëpërdorimëshe është 10 lekë/kg dhe aplikohet për produktet vendase dhe ato të importit. Kjo taksë mblidhet nga administrata doganore për produktet e huaja, në kohën kur ato importohen, ose nga administrata tatimore në rastin e produkteve vendase.
Taksat vendore
a) Taksa vendore mbi biznesin e vogël
Çdo subjekt që kryen një biznes, përmes të cilit qarkullojnë, gjatë vitit fiskal, të ardhura vjetore bruto (qarkullim) më të ulëta ose të barabarta me 8.000.000 (tetë milionë), është subjekt i detyrimit për të paguar taksën vendore mbi biznesin e vogël.
Këshilli komunal ose bashkiak vendos për nivelin e taksës për secilën kategori bazë tatimore minimale që do të zbatohet, paraqitur në shtojcën 5 të këtij ligji, në kufijtë e plus 10/ minus 30% e nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse dhe për secilin interval të qarkullimit, në përputhje me udhëzimet përkatëse.
b) Taksa mbi pasurinë e paluajtshme
Subjekt i taksës mbi pasurinë e paluajtshme janë të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarët e pasurive të mësipërme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të kësaj pasurie. Përjashtohen rastet e përcaktuara ndryshe në ligj. Pronari ose bashkëpronarët janë të detyruar të paguajnë taksën mbi pasurinë e paluajtshme, në bazë të përqindjes së pronës në posedim.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfshin:
a) taksën mbi ndërtesat;
b) taksën mbi tokën bujqësore.
– Taksa mbi ndërtesat
Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit (vendi) në metra katrorë të ndërtimit apo pjesë të tij, mbi dhe nën nivelin e tokës, dhe sipërfaqja e çdo kati. Sipërfaqja në pronësi të tatimpaguesit vlerësohet në bazë të dokumenteve që vërtetojnë një pasuri të tillë. Kategoritë minimale të ndërtesës, për efekt të bazës së tatueshme, jepen në shtojcën 1 të këtij ligji. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategoritë e ndërtimit, për çdo kategori minimale ndërtimi në territorin që mbulon komuna apo bashkia përkatëse. Niveli i taksës është përcaktuar në lekë për metër katror. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e tatueshme.
– Taksa mbi tokën bujqësore
Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë, në pronësi të tatimpaguesit. Pronësia e këtyre tokave bujqësore përcaktohet në dokumentet që e vërtetojnë atë. Kategoritë minimale të tokës bujqësore jepen në shtojcën 2. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategoritë për çdo kategori minimale të tokës bujqësore.
Niveli i taksës përcaktohet në lekë për hektar. Detyrimi tatimor llogaritet duke shumëzuar normën e taksës me bazën e tatueshme. Në shtojcën 2 të këtij ligji, jepet niveli i taksave për çdo kategori minimale të bazës së taksës.
c) Taksa e fjetjes në hotel
Baza e tatueshme për fjetje në hotel është çmimi që paguhet për fjetje, i cili mund të shprehet si çmimi për dhomë ose çmim për person/natë. Niveli i taksës është deri në 5% të pagesës për fjetje. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë kategoritë dhe nënkategoritë për klasifikimin e hoteleve, si dhe të përcaktojë nivelet e taksave për kategoritë dhe nënkategoritë e miratuara, brenda kufijve të nivelit të taksave. Ky detyrim tatimor llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksave të miratuar nga bashkia ose komuna, me tarifën e fjetjes për një natë, sipas netëve të fjetjes në hotel. Klienti është subjekt i kësaj takse, e cila mbahet nga hoteli dhe derdhet në llogarinë bankare të bashkisë ose komunës, në territorin e së cilës ndodhet hoteli. Fatura e lëshuar nga hoteli përfshin tarifën e fjetjes dhe vlerën e taksës.
d) Taksa për efektin në infrastrukturë (dëmet) nga ndërtimet e reja
Baza e taksës është vlera e një investimi të ri që kërkohet të kryhet. Klasifikimi si investim i ri dhe vlera përkatëse e tij përcaktohet në përputhje me legjislacionin në fuqi mbi dhënien e lejes së ndërtimit. Vlera e taksës shprehet si përqindje ndaj vlerës së investimit, 1% deri në 3% e vlerës së këtij investimi, ndërsa për bashkinë e Tiranës është 2% deri 4% e vlerës së investimit. Investitori është subjekt i këtij tatimi.
e) Taksa mbi të drejtën e transferimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme
Taksa mbi të drejtën e kalimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme vendoset mbi ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e tjera të paluajtshme, mbi të drejtën e transferimit të kësaj pronësie. Ajo paguhet nga transferuesi i së drejtës mbi pasurinë e paluajtshme, përpara regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi. Baza e taksës e transferimit të së drejtës mbi pasuritë e paluajtshme mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtesës, për të cilën transferohet e drejta e pronësisë. Niveli i taksës përcaktohet në lekë për metër katror të bazës tatimore. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e taksës. Baza e taksës mbi të drejtën e transferimit të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme për pasuritë e tjera të paluajtshme është sa vlera e shitjes e kësaj pasurie. Niveli i taksës përcaktohet në përqindje dhe niveli tregues i saj është 2%. Detyrimi i taksës llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me bazën e saj.
f) Tarifa mbi zënien e një vendi publik në treg dhe taksa mbi tabelën
Këshilli bashkiak ose komunal përcakton shkallën tatimore për zënien e një vendi publik për qëllime të biznesit, bazën dhe nivelin e taksës mbi tabelën. Në rastin e taksave mbi zënien e një vendi publik për qëllime të biznesit, detyrimi tatimor llogaritet mbi baza mujore dhe baza e taksës shprehet në metra katrorë të zonës publike të zënë.
g) Tarifat e përkohshme
Këshilli bashkiak ose komunal, në rastet kur e sheh të nevojshme, mund të vendosë taksa me karakter të përkohshëm, të cilat janë në interes të përbashkët të popullsisë që jeton në territorin nën juridiksionin e bashkisë apo të komunës. Masat tatimore të një natyre të përkohshme, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojnë kufirin prej plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës mbi biznesin e vogël
Kthesa e Bankës Qendrore Amerikane në të mirë të eurozonës
Banka Qendrore Amerikane, Federal Reserve, do të reduktojë blerjet e obligacioneve. Analistët mendojnë se ky reduktim është pozitiv për eurozonën dhe ekonominë botërore.
Një korrigjim i vogël kursi, por ende jo riorientim: Banka Qendrore Amerikane, Federal Reserve, do të reduktojë blerjet e obligacioneve duke filluar nga viti i ardhshëm. Deri tani kjo bankë e mbështeti ekonominë amerikane me blerje mujore të obligacioneve afatgjata të qeverisë dhe letrave me vlerë pasurish të patundshme që shkonin në 85 miliardë dollarë. Që nga janari do të blihen vetëm letra për 75 miliardë dollarë. Janet Yellen, e cila merr përsipër drejtimin e Fed-it në muajin shkurt e mbështe këtë vendim dhe do të vazhdojë vijën që po ndiqet, theksoi presidenti i kësaj banke Ben Bernanke, i cili po largohet nga detyra.
Rikuperimi i lehtë për ekonominë amerikane
Blerja e bonove ishte pjesë e një pakete të gjerë stabilizimi e cila u krijua pasi plasi flluska e pasurive të patundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rënies në sektorin financiar ndërkombëtar në vitin 2008. Që atëherë, Fed e ka nxitur performancën e ekonomisë amerikane me rreth tre trilion dollarë. Disa analistë e vlerësojnë uljen e blerjes së obligacioneve, si një shenjë që ekonomia amerikane sërish është çlodhur. “Fed tregon se ekonomia amerikane është mjaft e fortë,” thotë ekonomisti Holger Schmieding në bisedë DW. “Më e keqja e krizës financiare ka kohqë që është kaluar. Vendimi është një votë besimi në fuqinë e konjunkturës.”
Po ashtu edhe niveli i papunësisë në SHBA ka rënë me shtatë përqind dhe është më i ulti gjatë pesë viteve të fundit.
Më pak bono, normë e njëjtë e interesit
Shefi i Fed-it deklaroi edhe se norma e interesit së kësaj banke deri në vitin 2015 do të vazhdojë të jetë në nivelin e saj historikisht më të ulët prej 0.25%. Nisur nga kjo analisti finaciar Christoph Zwermann mendon se nuk mund të flitet për një përparim të vërtetë, sepse ndryshe do të ndërmerreshim masa më të vendosura.
Reduktimi i shitjeve të obligacioneve mund të prapësohet në çdo kohë dhe madje edhe të rritet. “Vendimi i FED-it është një përpjekje, por në asnjë mënyrë një ndryshim në politikën e normave të interesit.”
Zhvlerësimi i euros?
Analistët janë në një mendje se reduktimi i blerjeve të obligacioneve nga Fed është pozitiv për eurozonën dhe ekonominë botërore. Një vështrim në tregjet financiare ndërkombëtare tregon se euroja “vazhdon të jetë e fortë” thotë Schmieding. Ai thotë se politika monetare në SHBA përshtatet me ngadalë dhe jo në formë shoku p.sh. me ngritjen e përqindjeve dhe nuk do të krijojë trazira në tregje.
Christian Zwermann mendon “se ajo që do ta dëmtonte vërtet euron do të ishte një ulje e mëtejshme e normës së interesit nga BQE-ja”. Masat e Bankës Qendrore Amerikane mund të çojnë në një çlodhje të dollarit dhe kursi i këmbimit do të jetë rreth një euro me rreth 1,35 dollarë.
Optimizëm për 2014
Forcimi i koniunkturës në SHBA, Gjermani apo Britaninë e Madhe mund t’u vijë në ndihmë edhe vendeve të tjera për të rritur eksportet, mendon Schmieding. Në pragë të vitit 2014 ai është optimist se në shumë pjesë të botës do të ketë rritje të mirë ekonomike prej mbi 3%, për SHBA ai prognostikon një rritje prej 2,7% kurse për Gjermaninë të paktën 2.1 përqind.