Anxhela Tato
Në atmosferën e vigjiljes së Krishtlindjeve dy babagjysha të Vitit të Ri grabisin një argjendari në qendrën tregtare “TEG”. Duke shfrytëzuar festat e fundvitit dy grabitësit janë maskuar dhe me armën, e fshehur nën teshat e kuqe, janë futur në njërën prej argjendarive, duke marrë një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Pa rënë në syrin e klientëve dy grabitësit kanë mundur që të lëvizin me lehtësi brenda qendrës tregtare. Me armën e zjarrit që e kishin fshehur nën bluzë, grabitësit janë ngjitur në katin e dytë te “TEG” dhe janë drejtuar për tek argjendaria “Xhelozia”. Sapo janë futur brenda të dy kanë nxjerrë armën e zjarrit dhe i kanë kërkuar shitëses që t’u jepte të gjitha bizhuteritë në vitrinë si dhe sasinë e lekëve që ndodhej në arkë. Të alarmuar, klientë që ndodheshin afër dyqanit, kanë filluar të bërtasin: “Hajduti, ndihmë, kapini!” Por dy grabitësit kanë dalë me shpejtësi nga dyqani, duke shmangur edhe efektivët e sigurisë private. Babagjyshat grabitës janë drejtuar për te vendparkimi i makinave, ku po i priste bashkëpunëtori, duke u larguar me shpejtësi me një automjetit të tipit “Mercedes-Benz” me targë AA 147 FY. Por vetëm gjysmë ore nga denoncimi i ngjarjes forcat e policisë kanë mundur që të gjejnë automjetin duke u djegur. Makina u gjet në zonën e Surrelit dhe vetëm pas një ore janë shuar flakët. Nga ana e forcave të policisë dyshohet se tre grabitësit mund të jenë larguar në këmbë në drejtim të fshatit Surrel ose Dajt, të cilët janë më në afërsi. Ndërsa janë marrë në pyetje shitësja e dyqanit dhe klientë, të cilët kanë rrëfyer se dy grabitësit ishin maskuar dhe armën e kanë nxjerrë nga bluza. Ata i kanë drejtuar armën e zjarrit shitëses, duke i kërkuar në këmbim bizhuteritë dhe lekët. Nga ana e forcave të policisë pritet që të merren në dorëzim pamjet filmike të regjistruar nga ana e kamerave të sigurisë, të cilat do të ndihmojnë në zbulimin e identitetit të grabitësve. Në komisariat është shoqëruar një person, i cili dyshohet se mund të jetë pronari i makinës së përdorur nga grabitësit. Menjëherë pas denoncimit të grabitjes në qendrën tregtare janë paraqitur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
Eksplozivi
Aparati celular ishte shitur para 7 ditësh në treg të zi
Identifikohet pronari i celularit “Samsung”: Ia shita një djali zeshkan, me gjatësi mesatare
Hetimet, karta SIM është aktivizuar nga kompania telefonike AMC më datë 4 dhjetor
Aparati celular, me të cilin ishte lidhur lënda eksplozive e gjetur poshtë makinës së prefektit të Vlorës, është shitur para shtatë ditësh në tregun e tij. Djali që përdorte aparatin celularit të tipit “Samsung” ka rrëfyer se blerësi ishte me gjatësi mesatare dhe zeshkan, por nuk i ka fiksuar me shumë vëmendje tiparet e tij. Vetëm para pak ditësh Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur që të identifikojë pronarin e aparatit celular, i cili e ka pasur në përdorim për gati një vit. I riu është marrë në pyetje para oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe ka dëshmuar se më datë 6 dhjetor ai e ka shitur aparatin në tregun e zi. “Kam dalë tek tregu aty tek posta dhe e shita, pasi doja të blija një celular më të mirë. Blerësin nuk e mbaj mend shumë mirë, por mund të them se ishte me gjatësi mesatare dhe zeshkan”, – ka rrëfyer i riu me banim në kryeqytet. Ndërkohë, rezulton se karta SIM është aktivizuar me datë 4 dhjetor dhe dyshohet se blerësi i aparatit mund të jetë personi që dispononte kartën. Por ende nuk është e qartë nëse personi që ka blerë aparatin celular mund të jetë një ndër autorët e eksplozivit ndaj prefektit Besnik Dervishi. Po hetohet vendi i riaktivizimit të telefonit dhe qelizat e lëvizjes së tij, pasi këto të dhëna mund t’i dërgojnë prokurorët tek përgjegjësit e atentatit të mbetur në tentativë. Ndërkohë, karta e telefonit, sipas hetimeve, i përkiste një personi nga Vlora, i cili më herët ka deklaruar se kishte 3 vjet që nuk e përdorte numrin. Karta është riaktivizuar nga kompania telefonike me datë 4 dhjetor, 9 ditë para se të gjendej poshtë makinës së Dervishit. Çuditërisht, numri ishte aktivizuar përsëri në emër të këtij personi. Sipas Prokurorisë, hetimet janë përqendruar edhe në Tiranë, edhe Vlorë. Prefekti Dervishi ka mohuar për prokurorët se është kërcënuar më parë apo se mund të ketë pasur konflikte personale.
Dëshmia
“Për gati një vit kam përdorur këtë aparatin celular të markës “Samsung”, i cili ka qenë i përdorur dhe unë e kam blerë në treg. Ishte aparat funksional, por i vjetër dhe punonte mirë. Por unë vendosa që ta shisja më vonë, pasi doja të blija një aparat më të mirë, meqë kisha mbledhur edhe lekë. E kam çuar celularin tek tregu, që është tek Posta Shqiptare, dhe aty e kam shitur. Siç dalin të gjithë për të shitur, dola edhe unë. Mbaj mend që më është afruar një djalë, i cili më pyeti për çmimin. Ia kam shitur diku te 50 mijë lekë dhe ai e bleu. Nuk e mbaj mend fytyrën e blerësit, pasi nuk i kushtova shumë vëmendje, por mund të them se me aq sa më kujtohet ai ishte me gjatësi mesatare dhe zeshkan. Nuk e njihja dhe as nuk e kam fiksuar shumë mirë. Celularin e kam shitur me date 6 dhjetor dhe nuk e di se çfarë është bërë me të. Në lidhje me kartën që ju pyesni, unë se ka pasur asnjëherë në përdorim. Unë kam pasur vetëm aparatin, të cilin e kam blerë të përdorur dhe e mbajtja për aq sa kisha nevojë”.
Sarandë
Dënohet me gjobë gazetari
Dy ditë më parë gazetarisë shqiptare iu bë një atentat nga gjyqësori. Është Gjykata e Sarandës, që ka vendosur për ndëshkimin me gjobë absurde prej 1.5 milionë lekë të një prej kolegëve tanë me përvojë dhe debutim të paktën prej tri dekadash në median shqiptare. Kolegu ynë Thoma Nika, në marsin e këtij viti, ashtu siç kanë bërë shumica e gazetave dhe televizioneve kryesore kombëtare, ka raportuar lajmin për vënien e tritolit në makinën e ish-shefit të Urbanistikës së Sarandës në vitet kur kaosi urban hodhi hapa të shpejtë. Megjithëse lajmi i botuar ka qenë shumë korrekt në çdo element të tij, referuar ngjarjes së ndodhur dhe komunikatës zyrtare të policisë, i dëmtuari nga tritoli, inxhinieri Haxhi Musaj, ka pretenduar se është dëmtuar shumë më tepër nga kronika e ngjarjes, botuar në një të përditshme kombëtare, në mënyrë krejt absurde, ngre padi ndaj kolegut tonë Nika. Pas 6 muajsh maratonë gjyqësore për këtë proces, dje Gjykata ka dënuar gazetarin, kur asnjë paragraf i lajmit të botuar nuk ka element të shpifjes, fyerjes apo cenimit të personit. T. Skuqi
Shkolla e Policisë
Fillojnë aplikimet, afati, deri më 28 shkurt 2014
Policia e Shtetit bën me dije se kanë filluar aplikimet për Shkollën e Policisë. “Të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme, mund të aplikojnë pranë të gjithë drejtorive të policisë në qarqe. Aplikimi është i hapur për të gjithë të interesuarit deri më datë 28.2.2014 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo drejtorie policie në qark”, – bëhet me dije nga Policia e Shtetit. Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë: Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë; të ketë zotësi për të vepruar; të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; të ketë mbaruar shkollën e mesme; të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor; të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil.