Miratohet paketa Basha: Buxheti injoron vendorët, shërbimin ndaj qytetarëve

0
199

Driçim Çaka

 

“Çmimi i karburantit, ushqimet për çerdhet e kopshtet, mirëmbajtja e shkollave, konvikteve dhe pastrimi”

 Kryetarët e komunave dhe bashkive: Qeveria nuk ka pyetur në asnjë rast, nuk plotësojmë dot kërkesat e qytetarëve

basha-e-re-160x130Qeveria nuk ka bërë asnjë konsultim me shoqatat dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor për këtë projektbuxhet dhe paketën fiskale që e shoqëron, pavarësisht se këtë e kërkon standardi evropian. Kështu u shpreh dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtuesit e pushtetit vendor. Kryebashkiaku ka kritikuar qeverinë për mungesën dhe bashkëpunimin me bashkitë dhe komunat, madje, sipas tij, nuk është bërë asnjë komunikim zyrtar, pavarësisht se e kërkon etika dhe kultura e shtetfunksionimit. “Jemi të gjithë përballë qeverisë që është e vetme në arbitraritetin e saj, e vetme në frikën e saj për t’u përballur me sipërmarrjen dhe opinionin publik. E vetme në paaftësinë e saj për të mbrojtur këtë projektbuxhet të katastrofës ekonomike dhe financiare përballë argumenteve të gjithë grupeve të interesit, organizatave, të shoqatave, siç janë shoqatat tona që përfaqësojnë interesin e të zgjedhurve vendor në nivel bashkish, komunash dhe qarqesh”, – u shpreh kryebashkiaku gjatë fjalës së tij. Basha theksoi se të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që Kryeministri ka përshtatur në sjelljen e tij shprehjen “Ju jeni të lirë të flisni, unë jam i lirë të mos ju dëgjoj”. Në mbledhje e kanë marrë fjalën kryetarë të ndryshëm komunash dhe bashkish, duke ngritur shqetësimin se qytetarët nuk do të marrin atë që kërkojnë.

 

Nuk mbështet qytetarët

 

Buxheti i ri, sipas kryetarëve të bashkisë dhe komunave, nuk i jep mundësi pushtetit vendor për t’u shërbyer qytetarëve. “Pandershmëria. Pse i pandershëm? Marrim një shembull: buxheti vendor thotë për vitin 2014 është 33 miliardë lekë, por në fakt, ka fshehur brenda edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, çka nuk ka qenë e llogaritur dhe nuk mund të konsiderohet si fond lokal. Ky është një mashtrim i pastër që bëhet edhe për fondet e donatorëve prestigjiozë, siç është Banka Botërore dhe që keqpërdoren në këtë mënyrë apo hapet rruga e keqpërdorjes nga ky buxhet. Në projektbuxhet thuhet se të ardhurat nga taksat dhe tarifat e pushtetit vendor parashikohet të jenë rreth 13.2% më të larta se ato të vitit 2013, ku në fakt të ardhurat janë ulur me 7% nga planifikimi i buxhetit të vitit 2013, pra “de facto” dhe “de jure” pavarësisht nga dy shifrat e ndryshme që jepen në një tekst të vetëm, qeveria parashikon varfërim të popullsisë në komuna dhe bashki”, – përmendi Basha.

 

Mungesë investimesh

 

Gjatë diskutimeve, kryebashkiaku i Tiranës nuk la pa kujtuar dhe komunat dhe bashkitë të cilat po presin investime. “Qeveria duhet t’u japë përgjigje qytetarëve të Shkodrës, Shkrelit, Golajt, Llugajt, Kurbnesh, Lurë, Katund i Ri e Xhafzotaj, Sukth e Ishëm, Durrës, Golem, Fier, Elbasan, Berat, Otllak, Livadhjan, Dropull, Vreshtaz, Bulgarec, Pojan, Miras, Hoçisht e qindra e qindra njësi vendore, të majta e të djathta, qytetarë të cilët presin investime”, – theksoi Basha. Problem për njësitë vendore do të jetë rritja e çmimit të karburantit, pasi ka ndikim direkt në një sërë institucionesh, të cilat janë në varësi të bashkive. “Çmimi i karburantit, ushqimet për çerdhet e kopshtet, mirëmbajtja e shkollave, konvikteve, pastrimi, mirëmbajtja e rrugëve, të gjitha janë zëra që do pësojnë rritje. Ashtu si edhe në sektorin privat, edhe në sektorin e shërbimeve që ne ofrojmë, duhet të ofrojmë ndaj qytetarëve, kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i kufizuar ato”, – u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Përgjegjësitë

Gjatë përfundimit të fjalës së tij, Basha përmendi se ky Kryeministër i ka dhënë të drejtën vetes përsëri, ka mandatuar veten e tij, pa e marrë këtë mandat nga qytetarët shqiptarë dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës. “Nuk e ka këtë të drejtë, nuk ia ka dhënë votuesi më 23 qershor, ia ndalon Kushtetuta, ia ndalojnë ligjet dhe nuk mund ta marrë këtë të drejtë, madje as ne nuk kemi të drejtë ta japim, edhe sikur të ishim ulur bashkë me qeverinë”, – u shpreh Basha. Më tej, kryebashkiaku i Tiranës ka kërkuar nga pushteti vendor, pa dallim politik, marrjen e masave ndaj paligjshmërisë që po vepron qeveria. “Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mobilizojmë të gjitha forcat tona, si të zgjedhur vendorë, së bashku me përfaqësuesit e tjerë lokalë, pa dallim politik dhe t’i bëhemi në çdo formë, duke përfshirë edhe fizikisht barrierë këtij arbitrariteti, kësaj pakushtetutshmërie, kësaj paligjshmërie, jo thjesht për hir të parimit, ndonëse ia vlen të luftojmë edhe vetëm përparimin, por për impaktet e tmerrshme sociale, ekonomike e të gjithanshme që kjo do ketë në mirëqenien e çdo qytetari që pret nga administrata vendore shërbime, nga grupi i parë i fëmijëve të çerdheve, deri tek pensionistët mbi moshën 70 vjeç”, – theksoi në fjalën e tij Basha. Në fund të mbledhjes, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor kanë kërkuar që të tilla mbledhje të organizohen më shpesh, me synim që qeveria të dëgjojë zërin e tyre.

 

 

Ridvan Troshani, zv.kryetari i Bashkisë së Shkodrës

 Unë dyshoj tek transparenca e këtyre parave, të cilat teknikisht duhet të merren në çdo tre muaj, 4 herë 3 jo 20 prill, jo me radhë siç e keni. Efektet negative, të një informacioni që shoqëron projektligjin thotë se janë 2 miliardë dhe se do të kompensohen 1.2 që është afërsisht 60%, 1.2 miliardë do të kompensohen nga administrata për llogari të pushtetit vendor dhe 700 milionë nga rritja e transfertës së pakushtëzuar. Unë kam parë edhe listën e bashkive, kam bërë një garanci midis 2014-ës dhe 2013-ës dhe rezulton që një pjesë e mirë e bashkive nuk duhet të abuzojë, por kam parë bashkinë time që rritet me zero për qind, në fakt duhet të rritesh me 15, 16, 17, 18 deri në 26% që e kanë shumë bashki të majta.

 

Tasim Mema, kryetar i Qarkut Tiranë dhe kryetari i Këshillave të Qarkut të Shqipërisë

 Ajo që vihet re qartë në këto gjashtë muaj, ata vërtet thonë 100 ditë, por në fakt kanë kaluar gjashtë muaj që nuk sjellin si qeveri, por sillen si opozitë dhe kjo është çuditërisht, kanë gjashtë muaj që nuk dëgjojnë gjë tjetër që vetëm qahen. Dhe me të vërtetë, këta duan të qeverisin apo kanë dalë për të qarë dhe mua më duket se këta kanë dalë për të quajtur e kanë krejt të pamundur që ta qeverisin këtë vend. Ajo që desha unë të fokusohesha, është çështja e investimeve, sepse në termat e buxhetit të shtetit ka një fshehje të buxhetit, duket sikur ata thonë kemi aq dhe kemi kaq, por në fund nga tabela që paraqesin ata kuptohet qartë se vetëm buxhetit të investimeve në Qarkun e Tiranës i mungon 12 milionë euro investime. Këto investime ne nuk i gjejmë në asnjë kolonë të buxhetit të tyre, po të marrim sferën e investimeve në bujqësi, jo vetëm Qarkut të Tiranës, por edhe qarqeve të tjera i mungojnë investimet në bujqësi.

 

Ilir Krosi, kryetar i Bashkisë së Peshkopisë

 Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur Kryeministër u bë z. Rama, duke pasur parasysh edhe lobimin e tij të fuqishëm të asaj periudhe 2003-2004-2005, duke pasur parasysh që edhe Shoqata e Bashkive arriti të çahej çuditërisht dhe për mendimin tim ishte një dëm i madh për autonominë vendore çarja e shoqatës, veç të zgjedhurit e majtë, veç të zgjedhurit e djathtë. Duke parë që në këtë shoqatë bashkëdrejtonte z. Bledi Çuçi, i cili ishte përfaqësuesi i ekzekutivit të z. Rama, atëherë në kabinet me ministrin Blushi, duke parë funksionin që mori z. Çuçi, në njëfarë mënyre filluam të bëheshim edhe pak optimistë se ndoshta tashmë këta do ta mbajnë fjalën, sepse z. Çuçi, z. Rama, z. Peleshi. z. Koka, pra në kabinet u futën disa ish-kryetarë të cilët do kishin minimumin e ndjenjës së të zgjedhurit vendor, që të bënin realitet ato gjëra për të cilat kishim lobuar së bashku. Në fakt, po ndodh e kundërta dhe ju po e shikoni që ne marrim vesh përmes medias të kuptojmë se çfarë do ndodhë me ne, sepse informacione zyrtare nuk kemi.

 

Fatbardh Plaku, kryetar i Shoqatës së Komunave

 

E them me bindje se shumica dërrmuese taksën e biznesit të vogël kanë arritur ta mbledhin deri në 100% dhe çuditshëm në paketën e re fiskale na serviret t’i hiqet pushtetit lokal kjo lloj takse, si e vetmja taksë e qëndrueshme, si e vetmja taksë, që gjeneron të ardhura për të kryer misionin që kemi ndaj qytetarëve që na kanë zgjedhur, si ne ashtu edhe qeverinë që drejton shtetin sot, pra pastrimin, ujësjellësin, gjelbërimin, shërbimet bazike për qytetarët. Na serviret që është rritur edhe taksa e ndërtesës, qeveria bën politikat e veta fiskale, i di ajo edhe kostot, edhe rreziqet, i merr ajo përsipër, por ne si shoqatë dhe si shoqatë e të zgjedhurve vendorë duhet të ngremë zërin që është e vetmja taksë në Shqipëri ndër vite, që është mbledhur më pak se çdo lloj takse tjetër, është realitet me tregues nga 30-50%, performanca më e mirë, e administratës më të mirë lokale, nuk besoj se ka arritur më shumë sesa kaq.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency