Bën bilancin Basha: Ja arritjet e Bashkisë gjatë 2013-ës

0
173

Sukses me të rinjtë, punësimin dhe hipotekimin e apartamenteve

Janë ndërtuar e rikonstruktuar dhjetëra rrugë dhe çerdhe

 

Basha per statusin Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka bërë dje një prezantim të punës në Bashkinë e Tiranës përgjatë vitit 2013. Investime në infrastrukturë, mbështetje për të rinjtë, punësim dhe zhvillim ekonomik, hipotekimi i apartamenteve kanë qenë vetëm disa nga fushat ku Bashkia ka arritur të ketë një sukses. Kryebashkiaku e ka cilësuar si pozitive punën e bërë deri tani, por gjatë 2014-ës do të kërkohet të realizohen më shumë arritje në të gjitha fushat. Më pas, kryetari i Bashkisë ka bërë një paraqitje të të gjithë sektorëve për situatën në të cilën ndodhen dhe si ka ndikuar ndërhyra e Bashkisë për përmirësimin e situatës.

 

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi                 

Statistikat e 12 muajve që po lëmë pas tregojnë që gjatë vitit që shkoi në Bashkinë e Tiranës u mbyllën 1845 biznese dhe u hapën 4284 të tjera. Bilanci është pozitiv me 2439 biznese të reja dhe afro 12 mijë të punësuar, sipas statistikave të institucioneve qendrore financiare.

Biznese të vogla: u mbyllën 1730, u hapën 3521

Biznese të mëdha: u mbyllën 99, u hapën 613

Biznese që cilësohen nga organet tatimore (VIP) u mbyllën 12, u hapën 4

Bilanci pozitiv në këtë kolonë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe shanseve për punësim vjen mes të tjerave edhe si rezultat i vazhdimit të aplikimit nga Bashkia e Tiranës të politikave miqësore për biznesin dh e në veçanti vënies në funksionim të plotë të qendrës së lejeve dhe licencave, ku tashmë bizneset shërbehen me një ndalesë të vetme, pranë Qendrës Lokale të Regjistrimit dhe Drejtorisë lokale të Tatim-Taksave. Në portalin e punësimit që operohet në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Tiranës gjatë këtij viti janë bërë 1489 aplikime, 760 persona nga aplikantët janë punësuar në sektorë të ndryshëm siç janë shërbimet, transporti, call center, banka etj.

 

Fondi i garancive

Para disa javësh janë firmosur 7 garancitë e para dhe shpreh kënaqësinë e veçantë që ky instrument po fillon të funksionojë dhe të gjenerojë më shumë punësim dhe më shumë optimizëm në ekonominë e qytetit, veçanërisht në atë shtresë të bashkëqytetarëve tanë që përbën dhe duhet të përbëjë fibrën optimiste të ekonomisë, të rinjtë nën moshën 35 vjeç. Vitin e ardhshëm ky fond do të dyfishohet.

 

Plani Urbanistik i Tiranës

Miratimi i planit urban pas 23 vitesh i shërben vizionit tonë për një Tiranë moderne dhe evropiane të shekullit të 21-të, por i shërben po kështu ngushtimit të hapësirave për abuzivizëm, korrupsion dhe prani të sekserëve të përfolur për kaq shumë vite në industrinë e ndërtimit. Procesi i marrjes së lejeve, tashmë i sanksionuar vetëm për 45 ditë, vitin e ardhshëm do të kalojë i gjithi online. Në këtë mënyrë, plani urbanistik u shërben të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe jo një klientele të caktuar. Nëpërmjet hartimit të PDV që njiheshin më parë si studime pjesore i është hapur rruga kalimit të ngërçit i cili kishte bllokuar industrinë e ndërtimit në qytetin tonë dhe është mundësuar një koordinim më i mirë me investimet publike si lokale ashtu edhe qendrore, siç janë investimet e parashikuara për të filluar apo kanë filluar për Unazën e Madhe, pjesë të ndryshme të Unazës së Madhe të qytetit apo zgjerimin e arterieve ekzistuese, siç është korridori i Lanës në drejtim të Dajtit. 40 studime pjesore kanë përfunduar aktualisht, plane të detajuara vendore, në periudhën korrik-gusht-shtator-tetor-nëntor-dhjetor dhe për këtë doja vetëm të bëja një krahasim që gjatë periudhës 2000-2011, në qytetin e Tiranës janë miratuar gjithsej 100 studime pjesore.

 

Hipotekimi

Gjatë këtij viti janë hipotekuar 55 objekte, me përfitues direktë 12 mijë qytetarë të Tiranës. 35 prej këtyre objekteve, janë të ndërtuara gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Ndërkaq, janë në fazat finale të përfundimit të procesit edhe 70 objekte të tjera, të ndërtuara po në shkelje të lejes së ndërtimit, me përfitues afro 14 mijë qytetarë të Tiranës. Ka edhe 132 objekte të tjera, me një problematikë e cila kryesisht konsiston në mungesën fizike të ndërtuesve, juridike apo në mungesën e vullnetit kur ata ekzistojnë si fizikisht dhe juridikisht dhe në këtë kuadër Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve dhe Dhomën e Tregtisë, që anëtarët e këtyre dy organizatave të biznesit në Tiranë marrin përsipër të likuidojnë shumat për kolaudimin e këtyre objekteve, në mënyrë që pavarësisht prej papërgjegjshmërisë dhe kaluarës së këtyre subjekteve ndërtuese, qytetarët banorë të këtyre 132 objekteve të mos penalizohen.

Përfundimi i këtij procesi do të çojë drejt pasjes së dokumentacionit të pronarit për shtëpitë e tyre rreth 50 mijë qytetarë të Tiranës. Kjo i shtohet 120 objekteve të cilave Bashkia e Tiranës u hapi rrugën për hipotekim në 2012 dhe vullnetit tonë për të vijuar me objektet e reja, një proces transparente, të shpejtë dhe pa vonesë të lejes së përdorimit dhe më pas hipotekimit nga ZRPP.

 

Transporti publik:

Në fund të vitit 2013, në qytetin e Tiranës kemi 6 linja të reja operimi në funksionim, të miratuara, 4 në funksionim, dy në proces licencimi që do të thotë një shtim në flotën e mjeteve të transportit publik, prej 93 mjetesh të licencuara.

 

Linja “Qendër – Mihal Grameno – Qendër”

Linja “Qendër – Qyteti Studenti – Qendër”

Hyrja në funksionim e linjës së re “Kombinat – Qendër – Kinostudio” që kishte mbetur e vetmja linjë shtetërore, me kushte aspak normale udhëtimi për një kryeqytet, filloi operimin me mjete të reja. Linja “Uzina Dinamo e Re – Sharrë”. U rivendos shërbimi dhe itinerari i kësaj linje u zgjat, duke mundësuar kalimin nga rruga “5 Maji” tek Tregu Ushqimor-Industrial, për të plotësuar më mirë nevojat e të gjithë qytetarëve. Së shpejti përfundon zgjedhja e operatorit për linjën “Qendër – Kopshti Zoologjik” dhe “Qendër – Qendra Kristal – Qendër”.

 

Projekti i transportit multimodal

Këtë vit, nisi nga puna edhe projekti i transportit multimodal që synon rehabilitimin dhe shtimin e korsive të dedikuara për transportin publik dhe përdorimin e biçikletave. Në fazën e parë u realizuan 3.2 km korsi autobusësh, 11.6 km korsi biçikletash si dhe 4 pika kalimi të sigurt për këmbësorët. Ka nisur faza e dytë e këtij projekti e cila do të zgjerojë rrjetin e korsive të biçikletave në rrugët kryesore të qytetit me 20 km të tjerë si dhe zgjerimin e rrjetit të korsive të dedikuara për mjetet e transportit publik, rreth 5.3 km të tjerë.

 

Investimet publike

Gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës ka investuar në 87 objekte të punëve publike, me vlerë totale rreth 3,988 miliardë lekë të reja. Në sistemin e infrastrukturës rrugore janë investuar 48 projekte, nga të cilat 37 kontrata kanë përfunduar sipas parashikimit. Janë ndërtuar 16 km gjatësi lineare rrugë urbane. Po ndërtohen 5 km gjatësi lineare rrugë urbane. Janë shtruar dhe përfundojnë 4,795 metra linearë rrjet ujësjellësi dhe 14,090 ml kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza. Do të vendosen 294 ndriçues dhe do të mbillen 1168 pemë. Shuma e të dy kategorive përbën edhe risitë apo produktin final të investimit në këtë kategori të punëve publike që janë rrugët e reja të ndërtuara apo rindërtimin dhe rikonstruksionin e rrugëve ekzistuese. Një kategori e veçantë e investimeve publike është rikualifikimi urban që do të thotë ndërhyrja në blloqet urbane të qytetit. Kanë nisur në këtë vit 16 projekte të tilla, rreth 7 kanë përfunduar. Me përfundimin e këtyre 7 kontratave i janë shtuar qytetit në nivel kapilar, një total prej 3, 260  lulishte, kënde sportive. Është asfaltuar një sipërfaqe prej 20,390  janë vendosur 148 ndriçues dhe janë mbjellë 406 pemë dhe 1002 bimë dekorative. Janë shtuar 2,565 metra linearë, ujësjellës dhe 5,8.

Vazhdon puna për përfundimin e 9 blloqeve, përmes së cilave do t’i shtohet qytetit edhe 22,530  sipërfaqe e gjelbër, edhe kjo në nivel kapilar, pra nëpër lagje (lulishte lagjesh) dhe do asfaltohen 81,275 , rrugë e parkingje që u shërbejnë blloqeve të banimit; shtohet 8,005 metra linearë ujësjellës, 34,071 metra linearë kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza që ose zëvendësojnë rrjete të amortizuara apo janë shërbime që ofrohen për herë të parë në blloqe të reja por edhe të vjetra të qytetit; vendosen 939 ndriçues të rinj dhe po mbillen 1,285 pemë dhe 491 bimë dekorative. Në këto zona që i janë nënshtruar rikualifikimit urban krijohen sipërfaqeve të gjelbra me një total prej 25 792 metra katrorë dhe disa kënde sportive.

 

Investime në sistemin arsimor dhe shërbim social

Gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës ka bërë investime prej 1.3 miliardë lekë të reja në një total prej 23 objektesh të sistemit arsimor dhe shërbimit social. Aktualisht, kanë përfunduar 7 objekte dhe janë në proces 16 objekte të tjera. Të përfunduara janë shkolla 9-vjeçare “Murat Toptani”, instalimi i sistemit të ngrohjes në 5 kopshte, kopshti 38, 39, 2, 6, 20, instalimi i sistemit të ngrohjes në kopshtin “Bregu i Lumit”, rikonstruksion i çerdheve nr. 47, 35, 30, 50.

Në proces është rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani”, “Ibrahim Brahja”, shkollës së mesme “Eqrem Çabej”, kopshti nr. 1, kopshti nr. 3, kopshti nr. 35, kopshti nr. 40, kopshti nr. 41, çerdhe nr. 15. Ndërtime të reja: shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi”, kopshti nr. 29, kopshti nr. 21, kopshti nr. 14 shkolla 9-vjeçare në zonën e Kombinatit, shkolla e mesme “Hoxha Tahsin”, për të cilat punimet nisin në fillim të vitit. Janë pajisur me sistem të ngrohjes qendrore me peleta 3 çerdhe, 15 kopshte dhe 7 shkolla 9-vjeçare e të mesme. Këto investimeve i shërbejnë afërsisht 600 fëmijëve në çerdhe, 1800 fëmijëve në kopshte dhe 7400 fëmijëve të shkollave 9-vjeçare e të mesme (jam i sigurt se këta të fundit kanë objeksione tek cilësimi si fëmijë). Këtë vit, 50 të rinjve të kryeqytetit, Bashkia u ka siguruar në bashkëpunim me universitetet jo publike, vazhdimin e studimeve te larta apo avancimin e studimeve në master. Në 48 shkolla, 9-vjeçare dhe të mesme përfundoi vënia e elementëve të sigurisë rrugore: Në 13 shkolla të mesme të përgjithshme të qytetit të Tiranës janë instaluar kamerat e sigurisë për vëzhgimin e perimetrit të shkollave. Çdo drejtori shkolle monitoron nga zyra e drejtorit në kohë reale ambientet e jashtme të shkollës, 24 orë ditë dhe natë, për 365 ditë të vitit. Bashkia e Tiranës pret bashkëpunimin e drejtorisë rajonale të Policisë për lidhjen e imazherisë së këtyre kamerave me Dhomën Operacionale të Policisë së Shtetit në Tiranë. Në programin e strehimit, banesë me kosto të ulët (janar-dhjetor 2013) ka gjithsej 1057 familje përfituese. Bonusi i strehimit ka trajtuar ndërkohë 46 familje gjatë këtij viti.

 

Projekti i zgjatimit të bulevardit verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës:

Viti 2013 është viti i zbatimit të projekteve strategjike të qytetit të Tiranës, duke nisur me projektin e zgjatimit të bulevardit verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës. Projekti për bulevardin verior ka filluar, është zhvendosur stacioni i trenit dhe pjesa kryesore e shinave dhe në bulevardin “Zogu i Parë” u zhvendos linja e tensionit të lartë, për t’u hapur rrugë punimeve civile që do mundësojnë zbatimin e këtij projekti që është hartuar nga studio britanike “Grimshaw Architects”, zgjedhur në një konkurs ndërkombëtar. Në këtë projekt do të veçoja tre elemente: përmirësimi i cilësisë së ambientit përmes shtimit të mbi 150 metrave katrorë gjelbërim dhe mbjelljes së 600 pemëve përgjatë dy korsive të gjelbra në bulevard, pra krijimin e një hapësire të blertë në zemër të qytetit me parametra shumë miqësorë ndaj këmbësorëve dhe çiklistëve. Së dyti, impaktin urbanistik në profilizimin urban të një pjese të re të qytetit të lënë pas dore, në këto 20 vite tranzicion që në fakt është pjesa që ka njohur zhvillimet më të shpejta por shpesh herë edhe më traumatiket, të paurbanizuara në qytet.

E treta por do të thosha më e rëndësishmja sa i përket rëndësisë është impakti ekonomik. Jo vetëm gjenerimi i 500 vendeve të punës drejtpërdrejt, në implementimin e projektit por edhe impakti ekonomik në zhvillimin rezidencial, tregtar dhe të institucioneve publike në këtë bulevard ku është parashikuar në sheshin e dytë, i ashtuquajtur sheshi i drejtësisë. Para disa ditësh, donatori apo bashkëfinancuesi, Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit miratoi edhe procedurën për kontraktorin, për rehabilitimin e lumit të Tiranës. Presim që në ditët në vijim të nënshkruhet kontrata dhe të nisin punimet.

 

Stacioni i ri multimodal:

Heqja e stacionit të trenit nga zona ku ndodhej u bë në përputhje me vizionin tonë për ndërtimin e një stacioni të ri multimodal pasagjerësh në qytetin e Tiranës. Studimi i fizibilitetit ka përfunduar. Është realizuar më 1 tetor 2013 takimi, pra janë thirrur palët e interesuara për zhvillim, kanë marrë pjesë 29 kompani prestigjioze me eksperiencë ndërkombëtare në fushën e ndërtimit të terminaleve të pasagjerëve. Vitin e ardhshëm, në janar parashikohet të nisin procedurat e koncesionimit. Ky është një investim që nuk do i kushtojë qytetit të Tiranës, taksapaguesve të Tiranës asnjë lek. Do të kryhet me formulën e koncesionit.

 

Trami:

Pjesë e këtij projekti është ndërtimi i 3 linjave të tramit, si më poshtë:

Linja1 “Jug-Veri” (Sheshi Nënë Tereza – Qytet – Terminali multimodal) përmes korsisë së bulevardit të ri e të vjetër, me gjatësi 7.2 km dhe rreth 40 000 pasagjerë/ditë.

Linja 2 “Lindje-Perëndim (Kinostudio – Kombinat), me gjatësi 9.5 km dhe rreth 43 000 pasagjerë /ditë.

Linja 3 “Unaza e Brendshme e Tiranës” me gjatësi 8 km dhe rreth 54,000 pasagjer/ditë.

 

Aktualisht, me grantin e qeverisë franceze, me vlerë 719 000 euro ka përfunduar “Studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak i tramit për linjën 2 “Kinostudio – Kombinat”.

 

 

 

 Premtimi

Basha: Do të vendosim veton për mosrritjen e çmimit për biletat e urbanëve

 “Do të vazhdojë politika e taksave të ulëta”

 

Në një kohë kur shoqatat e transportit kanë arritur një marrëveshje me qeverinë për rritjen e çmimit të biletave, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, paralajmëron veto kundër rritjes së tyre. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i paekuivok, Bashkia e Tiranës nuk do t’i iniciojë, do të vendosë për sa është e mundur veton për rritjen e çmimit të transportit në qytetin e Tiranës. Bashkia e Tiranës është e ndërgjegjshme që rritja e çmimit të karburanteve, që pritet të vazhdojë, nëse nuk ndalohet ai parashikim i paketës fiskale që shton akcizat mbi karburantin, e bën gjithmonë e më të vështirë performancën normale të operatorëve të shërbimit të transportit publik në qytetin e Tiranës dhe kudo tjetër”, – u shpreh kryebashkiaku. Sipas Bashës, Bashkia i ka propozuar qeverisë heqjen dhe rimbursimin e akcizës dhe tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjitha shërbimet e ofruara nga operatorët e shërbimit të transportit publik të qytetit të Tiranës. “Ky është padyshim një formë subvencionimi, por plotësisht dinjitoze dhe e justifikuar nga njëra anë për të vazhduar që të kemi një shërbim cilësor dhe të sigurt. Ky është qëndrimi ynë, këtij qëndrimi do t’i përmbahemi dhe këtij qëndrimi do t’i përmbahemi pa asnjë ndryshim në raport me kërkesat dhe varietet që variacionet që parashtrohen qoftë nga operatorët qoftë nga qeveria”, – përmendi Basha gjatë një takimi me gazetarët.

 

Jo rritjes së taksave

 

Po dje, kryetari i Bashkisë ka rikonfirmuar qëndrimin e tij për mosrritjen e taksave. “Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të ndjekë një politikë të taksave të ulura, thjeshtësimit të administrimit fiskal, në këtë kuadër, shumë e rëndësishme që të ketë një bashkërendim me qeverisjen qendrore, sepse është Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisja qendrore që kanë rolin përcaktues në vendosjen apo jo të taksave dhe niveleve të taksave”, – u shpreh Basha. Më tej, kryebashkiaku ka theksuar edhe një herë se paketa e re fiskale gjymton njësitë vendore.

“Paketa e re fiskale që propozohet, gjymton tërësisht aftësinë e pushtetit vendor për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve të vet. Kjo është e vërtetë për qytetin e Tiranës, është e vërtetë edhe për njësitë e tjera vendore”, – theksoi kryetari i Bashkisë.

 

Bashkia: Kalendari i festimeve për festat e fundvitit

Me rastin e festës së Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitetet për fëmijë pranë pemës së vendosur në sheshin “Skënderbej”. Gjatë paradites, Teatri i Metropolit vuri në skenë pjesën teatrale “Çufo dhe bubi Kaçurrel”. Aktivitetet vazhduan edhe gjatë pasdites. Festës i është bashkangjitur edhe nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi, së bashku me dy vajzat e saj. Në emër të Bashkisë së Tiranës, i ka uruar të gjithë fëmijët për mbarësi, sikundër u ka bërë të ditur se deri në natën e ndërrimit të viteve pranë pemës do të ketë aktivitete gjatë paradites dhe pasdites. “Ne do të organizojmë aktivitete, në dy orare tashmë të përcaktuara, që është ora 11:00 paradite, që është destinuar për ato grup-mosha të vogla të cilët janë edhe në ditët e pushimeve të festave, ku do të ketë gjithmonë aktivitete, po kështu do të ketë edhe në orën 17:00 pasdite aktivitet për grup-moshat më të mëdha. Jemi përpjekur që këtë sezon të përfshijmë jo vetëm aktorët e metropolit apo aktorë profesionistë, por jemi përpjekur shumë të përfshijmë talente të reja, t’u japim atyre një skenë në fundvit për të paraqitur talentin e tyre”, – ka deklaruar znj. Xhindi. Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të gjallërojë sa më shumë jetën kulturore në kryeqytete dhe t’u japë mundësi fëmijëve dhe të rinjve, përveçse të argëtohen, të mund të shfaqin talentin e tyre.

 

Kalendari i festimeve për javën e fundit të vitit

 

Datë 25 – ora 17:30 DJ – Akademia “Robert Radoja”

Datë 26 – ora 11:00 “Albanian Dance Silhouette”

Datë 26 – ora 17:30 DJ – “Poli artistik i Tiranës”

Datë 27 – ora 11:00 Teatri i Metropolit

Datë 27 – ora 17:30 Akademia e Hollywood-it, Koncert Rock

Datë 28 – ora 11:00 Teatri për fëmijë “Dhelpra dhe rrushtë”

Datë 28 – ora 17:30 Ansambli “Tirana”, këngë dhe valle me repertor të përzgjedhur

Datë 29 – ora 11:00 Teatri i Metropolit, spektakël për fëmijë, “Çufo dhe bubi Kaçurrel”

Datë 29 – ora 17:30 Shkolla e baletit “Ana Mari”

 

 

100 mijë euro për shtëpitë e djegura, Mitrovica mirënjohje Bashës

Bashkia e Tiranës i është bashkuar nismës së Komunës së Mitrovicës “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.

Kryebashkiaku Basha i ka akorduar 100 mijë euro Komunës së Mitrovicës, për meremetimin e këtyre shtëpive. Kjo ndihmë e kryebashkiakut Basha është përshëndetur menjëherë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, nëpërmjet një letre drejtuar kryebashkiakut të Tiranës.
“Kam kënaqësinë e veçantë që nëpërmjet të kësaj letre të shpreh falënderimin më të thellë për kontributin tuaj në aksionin humanitar “Ndihmo edhe ti”, për rindërtimin e shtëpive të djegura nga lufta në pjesën veriore të Kosovës. Ju jeni bërë pjesë e rikthimit të jetës së banorëve shqiptarë në pjesën e atdheut tonë, të cilët u ndoqën gjatë dhe pas luftës nga trojet e tyre stërgjyshore, nën dhunën e falangave serbe, për çka u jemi mirënjohës për jetë të jetëve”, – thuhet në mesazhin e falënderimit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës.