Buxheti dhe paketa fiskale Zbardhen amendamentet e opozitës, çfarë kërkon të ndryshojë e djathta

0
161

Gëzim Saliu

 

 Basha: Amendamentet vënë para përgjegjësisë mazhorancën për mosmbajtjen e premtimeve

 Amendamentet e opozitës me premtimet e PS-së në fushatë, paraqiten të shtunën në Kuvend

grupi i pdPartia Demokratike ka hartuar amendamentet e saj për projektbuxhetin dhe paketën fiskale të qeverisë, e cila do të diskutohet nen për nen në seancën parlamentare të së shtunës. Të 31 amendamentet e zbardhura nga gazeta, ndryshe nga të gjitha praktikat e mëparshme, kanë në qendër të tyre një strategji specifike të mirë përgatitur nga grupi parlamentar demokrat. Kështu një pjesë e madhe e amendamenteve të opozitës lidhen me premtime të dhëna nga Partia Socialiste gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit dhe me pjesë të programit qeveritar. Ndërkohë, një pjesë tjetër e tyre ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar propozimet e qeverisë në paketën fiskale për disa taksa dhe për të kthyer nivelin aktuale të tyre. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha dje se kjo strategji ka si synim vënien e qeverisë përpara përgjegjësive publike. “Opozita ka bërë këtë zgjedhje për të ndryshuar buxhetin e qeverise për ta vënë mazhorancën përpara përgjegjësisë publike për mos mbajtjen e premtimeve të saj elektorale dhe programatike. Duke u faktuar shqiptarëve në të gjitha amendamentet e saj se Rama i mashtroi për t’u marrë votën”, – tha kreu i së djathtës për “Top Channel”.

 

Amendamentet

 

Premtimet të cilat sollën në pushtet të majtën, do të jenë në qendër të amendamenteve të PD-së për projektbuxhetin dhe paketën fiskale. Shëndetësia falas, legalizimet falas, heqja e TVSH-së për ushqimet e shportës, ulja e nivelit të deficitit si edhe premtimi kryesor për uljen e taksave për 95% të shqiptarëve do të jenë baza e amendamenteve të opozitës. Kështu, PD do të propozojë heqjen e akzicës së naftës për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme për të gjithë fermerët si edheheqjen e taksës së qarkullimit dhe gazoilin. Ndërkohë, paketa fiskale e qeverisë për vitin 2014 rrit me 10 lekë taksën e qarkullimit dhe fut TVSH-në për kompanitë hidrokarbure në import për mallrat e importuara. Po ashtu pjesë e amendamenteve të opozitës do të jetë edhe ai për legalizimet, ku të djathtë do të kërkojnë që ato të kryhen falas për të gjithë banorët e zonave informale, ashtu siç edhe u premtuan në fushatën elektorale nga Partia Socialiste. Nga ana e saj qeveria ka parashikuar që procesi i legalizimeve falas të prekë vetëm pjesën administrative të dokumentacionit dhe matjeve në terren. Në të njëjtin kontekst, demokratët do të kërkojnë që të përmbushet premtimi për shëndetësi falas, kur mazhoranca ka parashikuar vetëm paketën e kontrollit bazë shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët nga 40 në 65 vjeç, duke theksuar se shëndetësia falas do të bëhet e mundur brenda 4-vjeçarit qeverisës. Pjesë e amendamenteve të opozitës do të jenë gjithashtu dhe propozimet e biznesit, pensionistëve, fermerëve, ku PD zhvilloi për katër ditë radhazi tryeza për projekt buxhetin dhe paketën fiskale. Demokratët do kërkojnë mos rritjen e taksës për ambientet e tregtisë dhe shërbimit për të gjithë qytetarët shqiptarë, mos rritjen e çmimit të naftës , mos rritja e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh dhe mos rritjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për shitësit ambulant në të gjithë Shqipërinë.

 

Amendamentet e PD-së

Falje e gjobave të vendosura gjatë periudhës 1 janar- 15 shtator 2013 për të gjithë tatim paguesit

Heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme për të gjithë fermerët

Heqjen e taksës së qarkullimit dhe gazoilin që përdoret për bujqësinë dhe aktivitete të tjera të ngjashme

Përjashtimi nga tatim fitimi gjatë tre viteve të para të aktivitetit i sipërmarrjeve që angazhohen të zbatojnë ë me korrektësi lejet koncensionare

Heqjen e plotë të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për energjinë për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për grurin, miellin dhe bukën për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për ushqimet jetike të shportës për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për vaksinat dhe ilaçet si edhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për orizin për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për  sheqerin për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për  vajin ushqimor për të gjithë qytetarët shqiptarë

Heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar( TVSH) për  shërbimet dhe mallrat mjekësore me efekt nga janari i vitit 2014 për të gjithë qytetarët shqiptarë

Dyfishim i investimeve të shtetit për infrastrukturën vendore

Pesëfishim i investimeve të shtetit  për të gjithë fermerët shqiptarë si edhe investimi i 40 milionë dollarë në vit për ujin në parcela dhe sistemin e kullimit

Legalizimi i banesave falas për të gjithë banorët e zonave informale

Mbështetje për organet e qeverisjes vendore ( mbledhja e taksës mbi pasurinë të bëhet nga organet e pushtetit vendor)

50 000 lekë të ardhura më shumë në vit për të gjithë mësuesit ( rreth 4000 në muaj)

Mos rritje e taksës për banesat e ndërtuar para vitit ’93 për të gjithë qytetarët shqiptarë

Mos rritje e taksës për ambientet e tregtisë dhe shërbimit për të gjithë qytetarët shqiptarë

Mos rritja e çmimit të naftës

Mos rritja e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh

Mos rritje e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për shitësit ambulant në të gjithë Shqipërinë

Përjashtimi nga tatim fitimi i industrive të reja agro përpunuese, gjatë katër viteve të para të veprimtarisë së tyre

Mos ulja e nivelit aktual të të ardhurave për kategorinë e punonjësve me pagë deri më 30 000 lekë

Rrritja me 0.53 % të PBB-së e mbështetjes buxhetore për sektorin e arsimit, në kuadër të premtimit për mbështetje të arsimit në masën 5 % brenda mandatit qeverisës

Shëndetësi falas për të gjithë qytetarët shqiptarë

Mos rritja e taksës së kontributit për sigurimet shëndetësore për të gjithë të vetpunësuarit në fshat, si edhe shëndetësi falas për to

Ulje e tatimit mbi fitimin në masën 5 % për biznesin e vogël

Dëmshpërblim i plotë brenda shtatorit 2014 për të gjithë ish-të dënuarit gra mbi 50 vjecc dhe ish- të dënuarit burra mbi 75 vjeç

Uljen e nivelit të deficitit ( ulja e borxhit publik)

Heqjen e taksës-tatimit të ri për biznesin e vogël ( heqja e taksë-tatimit të thjeshtuar për biznesin e vogël)

 

 

 

 

“Shqipëria uron, Shqipëria dhuron”

 Nisma e qeverisë, mesazh urimi për të ndihmuar të varfrit

Në kuadër të festave të fundvitit, qeveria ka ndërmarrë nismën “Shqipëria uron, Shqipëria dhuron”. Kjo nismë ka në qendër të saj urimet për festat e fundvitit, ku mjafton të dërgohet një sms me urimin përkatës dhe mesazhi do të shfaqet me shkronja drite në fasadën e ndërtesës së Kryeministrisë. Fondi që do të mblidhet nga mesazhet e e dërguara nga qytetarët në numrin 0674067677 do të përdoret për bamirësi për të ndihmuar të varfrit.