Ermal Shehu
Historia e vendit tonë padyshim që në faqet e saj nuk mund të mos ketë të shënuara si precedentë ngjarje, që në përgjithësi me veprimet e tyre konkrete si pasojë janë paraprirë nga përkeqësimi i situatave fillimisht nëpërmjet fjalimeve. Në fakt, shtetarët tanë në këto vite janë prirë që nëpërmjet fjalëve të përcjellin në popull demagogjinë e tyre propagandistike. Zakonisht, këtë strategji, cila është arsyeja kryesore e ekzistencës së tyre si të tillë, ata e kanë përdorur për interesa të tyre personale, e aspak për qëllime shtetërore publike. Natyrisht aplikimi nga secili në këtë mënyrë, i shprehjes së “vizioneve politike” nëpërmjet fjalëve ka sjellë përplasje midis palëve kur ato (vizionet) kanë qenë të kundërta. Vlen të theksohet fakti se gjatë këtyre 23 viteve pluralizëm, forcat politike me “ide” të ndryshme, përveçse pothuajse asnjëherë nuk kanë rënë dakord midis tyre, janë munduar që të shkatërrojnë kundërshtarin, duke përdorur për të çdo lloj epiteti e krahasimi me konotacion negativ. Nuk ka dyshim që këtë ata e kanë bërë dhe e bëjnë për të shtrënguar sa më shumë radhët e militantëve, siç u pëlqen atyre të identifikojnë mbështetësit, kjo ngaqë në Shqipëri politika ende nuk është shkëputur nga agjitacionet e zboreve. Duhet të pranojmë se kjo është një lloj politikëbërje e trashëguar deri në ditët e sotme, nga periudha komunisto-diktatoriale që vendi ynë ka kaluar. Pothuajse njësoj si atëherë, demagogjia përdoret mbi popullin për qëllime manipuluese për mendjen. Në këto vite demokracie, ka ndryshuar nga diktatura vetëm mënyra e ndëshkimit, për skeptikët ndaj propagandës së sotme; ajo nuk është më si dikur, me vdekje ose me burgim për agjitacion e propagandë, por është limituar kryesisht në shkarkime nga puna. Në këtë pikë duhet të pranojmë se Shqipëria ka bërë “progres”! Por a nuk duhet ta quajmë burgim, internim, vrasje të lirisë, identitetit njerëzor një shkarkim nga puna të motivuar politikisht?! Në fakt, i tillë është! Sot, shkarkimet aplikohen në masë për të treguar dhëmbët e pushtetit ndaj “të pabindurve”, vihet në lëvizje një makineri e tërë shtetërore identifikuese-ndëshkuese për rastet, për të shtirë terrorin, për të bërë të rrinë heshtur të gjithë edhe kur duan të bërtasin, në mënyrë që populli të dëgjojë me “laps në dorë” fjalimet e politikanëve fuqiplotë. Do të ishte ndoshta më e lehtë për ne si shtet nëse e kaluara jonë nuk do të projektohej e gjitha në të tashmen. Gjatë periudhës diktatoriale liderët e atëhershëm u përpoqën, dhe duhet thënë se, për njëfarë kohe ia arritën qëllimit ogurzi, që për të mbajtur popullin sa më larg kërkesave e për t’iu shmangur përgjegjësive personale për gjendjen politiko-ekonomike, të shpiknin nëpërmjet fjalimeve propagandistike lloj-lloj “armiku” të jashtëm dhe faji për çdo të keqe këtu tu faturohej atyre. Për analogji, në ditët e sotme përherë e më tepër, për problemet tona të brendshme po bëhen përgjegjës ndërkombëtarët. Të gjithë dëgjuan kryeministrin në një nga fjalimet e tij të arrinte deri aty sa pothuaj të akuzonte BE-në për mosmarrjen e statusit të kandidatit, për arsyen se në të veprojnë forca ekstremiste. Nuk e di se kë donte të identifikonte ai me “forca ekstremiste”, megjithëse kjo pak rëndësi ka! Ajo çka vlen të theksohet është fakti i hidhur se evropianët e ndërkombëtarët për herë të parë për fat të keq për ne, dolën nga kornizat e gjuhës diplomatike duke na thënë prerazi jo! Progres-raportet e mëparshme i kanë lejuar politikës tonë të ketë material nektarik për të interpretuar sipas oreksit gjuhën institucionale të shprehur nga ndërkombëtarët në to dhe duhet thënë se mbi bazë të tyre janë ngritur qindra fjalime nga politika jonë. Janë stërholluar aq shumë e kanë përdorur sipas qejfit çdo fjali të atyre raporteve saqë veç konfuzionit, lodhjes dhe zhgënjimit për popullin nuk kanë prodhuar gjë tjetër. Është fatkeqësi, që këtë herë kur po pretendonim dhe besonim se Shqipëria po bënte hapa konkretë për t’u shkëputur përfundimisht nga tranzicioni politik, nga Evropa na vijnë sinjale krejt të kundërta, që duhet ta bëjnë klasën politike e sidomos mazhorancën qeverisëse të reflektojë. Absolutisht ata (politikanët tanë) duhet të heqin dore nga politikëbërja e gjetjes së fajit apo e hedhjes së tij kundërshtarit, e në rastin më të keq ndërkombëtarëve, për dështimet e tyre personale, apo për llogari të bëra gabim nga moseksperienca e menaxhimit të marrëdhënieve diplomatike. Duhet që ata të shkëputen njëherë e mirë nga fjalimet propagandistike, duhet të mësojnë të heshtin kur Evropa për ne flet, fundja jemi ne që kërkojmë të shkojmë drejt Evropës, e jo ata të vinë drejt nesh! Natyrshëm, kësaj politike drejtuese të limituar vetëm te fjalët, do t’i vijë fundi. Populli nuk ngopet më vetëm me demagogji, por kërkon të shohë për të mirën e vet vepra konkrete. Nëse qeveria miraton me votat e Parlamentit një program ekonomik, pse ky duhet të stërhollohet aq shumë sa qeveria të dalë shesh më shesh për t’i sqaruar njerëzit, a thua se jemi në demokracinë e drejtpërdrejtë të Athinës së lashtë?! Nuk kemi pse të mos besojmë se ky stërsqarim buxheti, taksash, tatimesh, fitimesh, përqindjesh… do vazhdojë aq gjatë sa qytetarëve në fund do t’u humbi filli i ”premtimeve”, se do të trashen nga moria e propagandës politiko-mediatike. Gjithë kjo llafollogji për të anashkaluar dhe devijuar përgjegjësitë e barrën e punëve të shtetit për shtetasit, duhet të marrë fund. Populli e ka kuptuar tashmë se vetëm gënjeshtra duhet të ketë patjetër kuptim, vetëm ajo e ka të domosdoshme sqarimin, e vërteta mund të flasë shumë edhe në heshtje, madje të dëgjohet më fort edhe pa zë. Në Bibël thuhet se “e para ishte fjala”, por ajo nuk duhet të jetë e vetmja!