Dështimi i dytë i Canit në tregun e letrave me vlerë

0
169

 Ervin Kaduku

 

 – Vetëm borxhi i jashtëm mund të shpëtojë një buxhet që nuk bazohet mbi performancën e Tatimeve dhe Doganave. Por, sa do të jenë të gatshme institucionet ndërkombëtare të financojnë, pas notës në ulje nga vlerësuesit e huaj?

 

euro_money1_0Të gjitha shpresat e qeverisë për të siguruar financime për buxhetin tani mbështeten në huatë që vijnë nga jashtë vendit. Pasi nuk arritën që të siguronin 40 milionë euro në ankandin e obligacioneve dyvjeçare, zhvilluar një javë më parë, Financat nuk kanë arritur të sigurojnë as shumën e planifikuar përmes shitjes së obligacioneve 7-vjeçare në lekë, një tjetër sinjal ky se qeveria “Rama” do të haset me probleme në financimin e borxhit përmes huamarrjes së brendshme. Nga 3 miliardë lekë, që ishte shuma totale, ato kanë arritur të shesin vetëm rreth 1.4 miliardë lekë apo 46% të shumës.

Financat, përmes Bankës së Shqipërisë, kishin nxjerrë për shitje 3 miliardë lekë obligacione 7-vjeçare, me interes fiks dhe të ndryshueshëm. Për obligacionet me interes të ndryshueshëm, shuma e shpallur ishte 1 miliard lekë. Sipas rezultateve të ankandit, ka pasur vetëm dy oferta konkurruese, me një shumë prej vetëm 100 milionë lekësh. Për obligacionet fikse, shuma e shpallur ishte 2 miliardë lekë. Numri i ofertave konkurruese në ankand ishte 5, me një kërkesë totale prej 1.28 miliardë lekësh, që është pranuar e gjitha. Interesi ishte i barabartë me kuponin indikativ, prej 7.45% në vit.

Një javë më parë, Financat emetuan për herë të parë obligacion 2- vjeçar në euro, me një shumë totale prej 40 milionë eurosh. Por, shuma e kërkuar nga pjesëmarrësit në ankand (14 kërkesa konkurruese) ishte vetëm rreth 25 milionë euro dhe po kaq ishte dhe shuma e pranuar. Ndërsa kuponi i kërkuar ishte 4.65% në vit, më i lartë se kuponi indikativ që shpallën në fillim Financat.

 

Ankandi i fundvitit

Ndërkohë, më 30 dhjetor, Ministria e Financave, përmes Bankës së Shqipërisë, do të organizojë edhe një tjetër ankand, ku do të tentojë të shesë 5.2 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12-mujor dhe 9-mujor. Sipas njoftimit të ankandit, për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje është 2.6 miliardë lekë.

 

Interesi

Por, interesat e bonove 12-mujore ndërprenë këtë javë uljen, që vazhdonte prej afro një viti dhe që i zbriti vlerat në nivele të paregjistruara asnjëherë më parë. Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 3,66%, nga 3,62% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.

Kjo është herë e parë prej shumë vitesh kur interesat e bonove 12-mujore nuk ulen në ankandin e parë pas uljes së normës bazë të interesit. Banka e Shqipërisë uli normën bazë më datë 16 dhjetor në minimumin e ri historik prej 3%. Më herët gjatë këtij muaji, interesat ishin rritur edhe për obligacionet, çka dëshmon se kërkesa në rritje e qeverisë për para po i zhvendos ekuilibrat e tregut.

Për momentin, rënia e interesave vijoi në ankandin e bonove me maturim 3-mujor, që u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3,27%, nga 3,41% që kishte qënë në ankandin e nëntorit. Në dy ankandet e bonove, qeveria arriti të siguronte shumën e kërkuar prej afro 12 miliardë lekësh, por në ankande nuk pati tepricë oferte për financim nga investitorët.

 

Çfarë po ndodh?

 

Bankat gjatë tremujorit të tretë shënuan një tërheqje nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë, që u mbulua nga kërkesa më e lartë e institucioneve financiare jobanka, por që tashmë duket se dhe ato nuk po e përballojnë “urinë” e qeverisë për borxh. Shtrëngimi i ofertës nga tregu po shtrihet gradualisht edhe në titujt afatshkurtër, ndërsa në ato afatgjatë qeveria nuk ka arritur të sigurojë shumën e shpallur për dy ankande radhazi. Gjatë këtij viti, investimet e bankave në monedhën vendase kanë shkuar kryesisht në titujt e borxhit publik, edhe për shkak të kërkesës shumë të dobët për kredi. Por, në muajt e fundit kërkesa e shtuar për financim nga qeveria ka rritur presionin mbi tregun e brendshëm. Kjo po reflektohet me pamjaftueshmëri të ofertës për të financuar borxhin dhe me frenim të rënies së interesave.

Ajo që mendohet se ka ndodhur në këtë rast është fakti që po ulet besueshmëria në mundësinë e kthimit të borxhit nga ana e qeverisë së re. Kjo, së pari, pas uljes së vlerësimit nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare për ekonominë e Shqipërisë dhe pikërisht për aftësitë paguese të borxhit publik. Nga ana tjetër, vetë kjo qeveri po del hapur me politikën e rritjes drastike të borxheve të jashtme, me shifra të padëgjuara ndonjëherë, deri në 1.1 miliardë dollarë, çka frenon bankat dhe subjektet që të plotësojnë kërkesat e rrezikshme të Financave për borxh të brendshëm. Natyrshëm, pasi borxhi mendohet të lahet po me borxh, me skenarë të afërt me ato, që shkatërruan ekonomitë dhe financat publike të më shumë se një vendi, duke përfshirë Greqinë…

 

 

Lëvizjet e vlerës së lekut, në mëshirë të emigrantëve

Monedha vendase ka humbur pikë ndaj euros në dy ditët e fundit të javës, pasi kishte arritur në 24 dhjetor nivelin më të ulët që prej më shumë se 10 muajsh. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye të premten me 139.9 lekë, nga 139.5 lekë, që zbriti në 24 dhjetor, niveli më i ulët që nga 28 janari 2013. Ardhja e emigrantëve për festat e Krishtlindjeve në shtëpi, duket se ishte arsyeja kryesore që ndikoi në forcimin e monedhës vendase, në një kohë që euro në tregjet ndërkombëtare ka qenë relativisht e fortë, duke u kuotuar me rreth 1.37 dollarë.

Kjo është reflektuar në tregun vendas edhe përmes rënies së fortë të dollarit, që ka zbritur në 101.5 lekë gjatë ditës së premte. Aktorët e tregut thonë se, në bazë të prirjeve sezonale, deri në fund të vitit leku gjithsesi do të vijojë të jetë i fortë, ndërkohë që në janar përgjithësisht vihet re një zhvlerësim i tij.

 

Turizmi dimëror, ja destinacionet kryesore

Operatorët turistikë thonë se edhe këtë vit, pavarësisht situatës jo të favorshme ekonomike, shqiptarët i kanë zgjedhur destinacionet për të kaluar Vitin e Ri. Sipas tyre, ofertat janë zgjeruar, duke sjellë pushime lëvizëse disaditore, gjatë të cilave mund të vizitohen disa destinacione njëkohësisht. Stambolli, Lubjana dhe Beogradi janë kryeqytetet që do të frekuentohen më shumë, edhe për shkak të kostos më të ulët të transportit. Një element tjetër, që vihet në dukje nga operatorët, është se janë ofruar edhe paketa turistike brenda vendit. Ndërkohë, nuk do të mungojnë edhe pushimet e nxehta në dimër, si zgjedhje ekstravagante për ata që adhurojnë diellin. Pavarësisht situatës problematike në vendet pranë Detit të Kuq, Dubai mbetet një destinacion mjaft i kërkuar. Operatorët thonë gjithashtu se çmimet e paketave turistike nuk kanë pësuar ndryshime në krahasim me një vit më parë.

 

 

Gjermanët, më nostalgjikët ndaj monedhës së vjetër

Mbahen si vendi që është më i lidhur se kushdo mbas euros, por gjermanët duket se janë në mënyrë të papritur, shumë më nostalgjikë ndaj monedhës së vjetër, markës. Rreth 14 vite pas futjes në përdorim të euros janë ende në qarkullim rreth 13 miliardë marka, e barabartë me 6.67 miliardë euro.

Ky raport është publikuar nga Bundesbank, i cili shpjegon se arsyeja e këtij fenomeni qëndron më shumë në faktin se këto monedha mund të jenë harruar në ndonjë sirtar apo diku tjetër, por nuk përjashtohen edhe koleksionistët. Shumica e markave ende nuk janë këmbyer në euro, por sipas Bundesbank kjo sasi është jashtë vendit, sidomos në vendet e ish-Jugosllavisë, ku marka ka vepruar në praktikë si monedhë e dytë.

Instituti i Frankfurtit gjithashtu shpjegon se ekziston edhe një kureshtje në zbulimin e markave, që janë këmbyer kohët e fundit në sportelet e saj, që shpesh janë zbuluar pas vdekjes së gjyshërve, të cilët i kishin fshehur nëpër bodrume, apo në dhomat e tyre. Kartëmonedha që nuk janë këmbyer ende në euro, janë kryesisht ato me prerje të vogël. Sipas Bundesbank, mungojnë ende 17 për qind e kartëmonedhave prej 10 marka dhe 51 për qind e prerjeve 5 marka.

Që nga janari e deri në nëntor të vitit 2013 në sportelet e Bundesbank janë këmbyer marka në totalin e 105.6 milionë, shumë e barabartë me 54 milionë euro. Banka Qendrore e Gjermanisë do të vazhdojë të këmbejë monedhat e vjetra për një periudhë të palimituar, ndërsa ata që zotërojnë franga franceze, lira italiane apo dhrahmi greke, mund t’i mbajnë si kujtim pasi nuk mund të këmbehen më.

Ndërsa Banka e Spanjës do të vazhdojë të këmbejë monedhën e vjetër, peseta, deri në vitin 2020.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency