Anxhela Tato
Prokuroria e Lezhës: Kryeinspektori dhe 2 vartësit e tij lejuan shtesa katesh dhe pallatesh të paligjshme
KLSH kallëzon penalisht ish-drejtuesit e ALUZINIT Shkodër, dëm ekonomik prej 177 mln lekësh
Pezullohen nga puna zyrtarët e lartë të Inspektoratit Ndërtimor të Lezhës. Në ngarkim të tre funksionarëve është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës dhe vendimi është marrë nga gjykata pas kërkesës së prokurorisë. Sipas hetimeve të organit të akuzës tre zyrtarët Bledar Nikolli, Paulin Lera dhe Alban Ziçi kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, siç ishin shtesa kati dhe pallate shumëkatëshe.
Hetimet
Më datë 23 tetor të vitit 2013 është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga hetimet ka rezultuar se gjatë vitit 2013 këta shtetas në kundërshtim me ligjin nr.9780, datë 16. 07. 2007, “Për Inspektimin e ndërtimit”, duke mos kryer kontrolle dhe mos marrë masat administrative përkatëse, me vetëdije kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa ndërtimeve (shtesa katesh dhe pallate shumëkatëshe) në qytetin e Lezhe. Për ndërtimet e paligjshme këta të pandehur nuk kanë informuar as degën rajonale të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se tre punonjësit, pasi viheshin në dijeni për shkeljet që në fazën fillestare të tyre, nuk reagonin siç e parashikon ligji. Por, pasi objektet pa leje kishin përfunduar dhe kur pronarët e tyre paraqisnin para zyrave të ALUIZNI-t kërkesën për legalizimin, paraqiteshin zyrtarisht pranë këtyre objekteve dhe plotësonin dokumentacionin e konstatimit të ndërtimit të paligjshëm. Pas kërkesës së prokurorisë, Gjykata e shkallës së parë Lezhe, me vendimet e saj ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal ndaj te tre këtyre të pandehurve, pezullimit të ushtrimit të detyrës. Në zbatim të këtyre vendimeve nga ana e prokurorisë është nxjerrë urdhri i ekzekutimit, i cili i është dërguar për zbatim Bashkisë Lezhe. Rasti në Lezhë pason disa hetime të tjera të kryera nga organi i prokurorisë në nivelin lokal, kryesisht sa i përket mungesës së funksionimit të strukturave lokale në fushën e ndërtimeve pa leje.
Kallëzimi i KLSH-së
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Shkodër gjatë auditimit për veprimtarinë e agjencisë në periudhën Janar 2011-Dhjetor 2012. Për këtë arsye KLSH ka kallëzuar në prokurori, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër. Konkretisht, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Shkodër për 6 ish-përgjegjës sektori të këtij institucioni, G.L., E.SH., P.K., N.J., B.J. dhe F.P., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas KLSH-së, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër kanë shkelur ligjin me: “Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit monetar për subjektet ish-pronarë, pra një dëm ekonomik në vlerën 177,832,630 lekë. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si: për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhënies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (regjistrim në ZVRPP).
Tiranë
Plagoset me thikë 33-vjeçari, u konfliktua në një bar-kafe
Gjendet një person i plagosur me thikë mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 pranë zonës së “Selvisë” në kryeqytet. I plagosuri quhet Selidon Hysi, 33 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës. Sipas mjekëve, ai ka marrë dy të çara të lehta me thikë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar disa vetë, për t’i pyetur në lidhje me autorin apo autorët e plagosjes. Deri tani dyshohet se Hysi është plagosur, pasi është grindur në një bar-kafe. Ndërsa nga ana e bluve po vijojnë hetimet intensive për zbulimin e identitetit të autorit të krimit.
Librazhd
Bie nga shkëmbi dhe vdes 65-vjeçari, ngjarja aksidentale
Një 65-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Sipas policisë Sali Çuka ka ndërruar jetë, pasi ka rënë nga një shkëmb. Trupi i tij është gjetur në vendin e quajtur “Shkëmbi i Korbit” në gjendje shumë të dëmtuar. Ndonëse nuk dihen shkaqet se përse 65-vjeçari ndodhej në atë zonë dhe mënyrën se si ai ka rënë nga shkëmbi, por mendohet se ngjarja është aksidentale. Nga ana e policisë janë marrë në pyetje familjarë të 65-vjeçarit, të cilët kanë mohuar që i afërmi i tyre të kishte probleme ose konflikte.
Tiranë
Përfshihet nga flakët kamioni, në kërkim autorët
Një kamion është djegur tërësisht mëngjesin e djeshëm në zonën e Paskuqanit në Tiranë. Mjeti i djegur, kamion tip “Volvo” me targë “TR420G” ishte në pronësi të shtetasit Bajram Gjoni. Sipas policisë të kryeqytetit dyshohet se kamioni është djegur qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar. Ndërkaq, uniformat blu të mbërritura në vendngjarje, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit, si identifikimin dhe kapjen e autorëve.