Info Sport Duka: Januzaj, akoma larg Shqipërisë

0
193

Adnan_JonuzajPresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka thënë se nuk është bërë asnjë hap pozitiv sa i përket bindjes që Adnan Januzaj të pranojë të veshë fanellën e kombëtares së Shqipërisë. Kështu ka thënë të mërkurën pas ceremonisë së shpalljes së laureatëve për vitin 2013 nga Federata e Futbollit e Kosovës. “Adnan Januzaj është supertalent, kush nuk e do dhe kush nuk e dëshiron. Nuk është kollaj vjedhja e tij. Është e vështirë dhe pothuajse nuk është bërë asnjë hap pozitiv, përveç një bisede të një zyrtari të Federatës me të atin e tij. Nuk ka asnjë hap pozitiv”, – ka thënë Duka.

 

Honda: Te Milani, me zemër për të fituar

“Zemra më tha se duhet të luaj me Milanin”. Kështu u prezantua Keisuke Honda, 27-vjeçari nga Hamamatsu, prefekturë e Shizuokës në Japoni që do të mbajë fanellën me numrin 10, atë të rezervuar për të mëdhenjtë. Në sallën e konferencave të San Siros ishte njeriu i ditës, me kamerat e projektorët të drejtuar mbi të, 110 gazetarë të akredituar, ndër të cilët 80 japonezë dhe eventin me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në gjithë Japoninë. “Jam entuziast, i emocionuar, vërtet i lumtur. Historia e numrit 10 ka të bëjë me fëmijërinë time. Kur isha 12 vjeç, në një hartim shkrova se një ditë do të doja të luaja në Serinë A me fanellën me numrin 10 të Milanit. Një dëshirë që e kam ruajtur gjithmonë. Tani duhet të tregoj se kush jam në fushë”, – tha gjatë prezantimit Keisuke Honda. “Dëshiroja të bëhesha kampion me këto ngjyra. E kam ndjekur gjithmonë Milanin që fëmijë. Te ne në Japoni, Seria A është shumë e dashur. E kuptoj se tifozët presin shumë prej meje. E di që duhet të shënoj shumë gola dhe të jap shumë asiste. Do të bëj më të mirën time. Do të bëj diçka të veçantë për shokët e mi. Kam nevojë të luaj dhe të fitoj. Mund të luaj në disa pozicione, më pëlqen mbi të gjitha roli pas sulmuesve, si trekuartist”, – vijoi ai. “Zakeroni më qetësoi dhe më inkurajoi. Më tha se Milani është një klub i madh. Për sa i përket Zakeronit, do të më pëlqente që në botëror të përballeshim me Italinë. Jam i lumtur të luaj me numra një si Kaka e Baloteli”, – e mbylli deklaratën lojtari.

 

Tifozët e Santanderit sulmojnë presidentin e tyre

Ultrasit e Racing Santander tentuan të sulmonin presidentin e skuadrës së tyre në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Almerias në stadiumin “El Sardinero”. Të rinjtë kaluan kordonin e sigurisë dhe kërcënuan numrin 1 të shoqërisë në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Almerias. Situata u bë kaotike me kalimin e minutave pasi kontestimi i tifozëve ishte edhe kundër këshillit administrativ që e akuzuan për menaxhim të dobët të shoqërisë. Momentet e tensionit zgjatën disa minuta deri në ndërhyrjen e policisë. Gjithçka nisi pas deklaratës së futbollistëve në fillim të takimit, të cilët u shprehën të pakënaqur për trajtimin nga shoqëria e cila nuk arrin t’i paguajë që prej disa muajsh. Skuadra nuk arrin të shikojë dritë në fund të tunelit, madje këtë sezon luan në kategorinë e tretë të kampionatit spanjoll edhe pse në të shkuarën ka qenë një prej skuadrave që kanë marrë pjesë rregullisht në Primera Division.

 

 Platini: Kosova, shumë shpejt pjesa e UEFA-s dhe FIFA-s

“Siç e dini, ne kemi disa rregulla dhe kushte. Pra, si fillim, çdo vend apo federatë që është bërë anëtare e UEFA-s, më parë ka qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Kjo sigurisht do të vlejë edhe për Kosovën dhe të gjitha vendet e tjera botërore, të cilat dëshirojnë të jenë anëtare e organizatës sonë. Pra, veç kërkesës sipas statusit të UEFA-s, nuk ka tjetër kriter preciz për anëtarësim në UEFA. Futbolli kosovar, përkatësisht Federata e Futbollit Kosovar, i plotëson të gjitha kushtet për një anëtarësim të tillë, vetëm duhet pritur anëtarësimi i saj në familjen e Kombeve të Bashkuara”, – vijoi numri një i futbollit evropian. Duke folur për Shqipërinë Platini ka pohuar rëndësinë e një marrëdhënie të ngushtë në mes UEFA-s dhe FSHF-së. “Së shpejti, Shqipëria do të ketë një stadium të ri”, – është shprehur ai duke shtuar se UEFA dhe FSHF do të mbështesë projektin.