Reforma administrative për territorin PD: Jo në zyrat e PS-së. LSI: Gjithëpërfshirje

0
208

Florenc Drizari

Poni: Nuk e tolerojmë këtë dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj maskarade apo farse që mund të ndodhë

 Petrit Vasili: Reforma administrative shkon përtej minorancave dhe mazhorancave të momentit

  

bathoreReforma e re administrative për ndarjen territoriale të vendit ka nisur prej kohësh në strukturat e qeverisë, ndërkohë që opozita shqiptare kundërshton procesin, duke e quajtur atë të njëanshëm dhe jotransparent. Përfaqësues të opozitës propozojnë që procesi i reformës administrative territoriale të jetë bipartizan dhe reforma të hartohet nga Kuvendi, dhe jo nga zyrat qeveritare e partiake. Ish-zv.ministri i Brendshëm, Ferndinand Poni, tha se çdo propozim që do të vijë jashtë Kuvendit, do të refuzohet dhe për këtë i bëri thirrje mazhorancës të zhvillojë një proces, ku palët të jenë të përfshira. “Më shumë se kaq i jemi drejtuar z. ministër dhe i kemi drejtuar qëndrimin tonë lidhur me reformën. Si diskutohen kriteret? Diskutojnë të dyja palët në Parlament dhe vendoset atje, dhe jo me apriori të kryerjes de fakto në një zyrë që Rama të vendosë larg standardeve evropiane. Ne nuk e tolerojmë këtë dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj maskarade apo farse që mund të ndodhë”.

Në një prononcim për mediet të bërë një ditë më parë, Poni thekson se ndarja administrative territoriale cenon reformën zgjedhore dhe mazhoranca nuk mund të përdorë forcën e kartonëve. Sipas tij, për Kodin Zgjedhor ka pasur një konsensus të gjerë dhe miratimi i njëanshëm i kësaj reforme do të cenonte marrëveshjen mes palëve.

“Një ndarje e re territoriale cakton proceset zgjedhore dhe zonat zgjedhore dhe Kodi Zgjedhor është bërë me konsensus, do duhet gjithmonë të jetë një proces bipartizan, konsensual”, – ka thënë Poni.

Por debatet për ndarjen e re territoriale të vendit kanë përfshirë edhe përfaqësuesit e LSI-së, të cilët në parim shprehen të hapur për të përfshirë të gjitha palët në proces. Kjo reformë, sipas tyre, duhet të bëhet në interes të shqiptarëve, dhe jo të interesave partiake. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Valisi, tha se reforma territoriale duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vlerësuar se arsyetimi politik i procesit është i gabuar.

“Reforma administrative shkon përtej minorancave dhe mazhorancave të momentit që e pjellin, e parë si një instrument taktik, politik për një çështje elektorale të caktuar ka bërë një arsyetim thellësisht të gabuar në dëm të tij dhe të shqiptarëve”.

Qeveria ka nisur tashmë procesin e konsultimeve për reformën administrative territoriale, me synim përmbylljen e saj para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ndërkohë që përfaqësuesit vendorë kanë shprehur hapur disa kundërshtime lidhur me këtë nismë.

Shumë prej njësive vendore, kryesisht komuna, do të shkrihen në kuadër të reformës dhe shumë prej drejtuesve të këtyre zonave nuk do të kenë më mundësinë t’i drejtojnë ato, edhe për shkak se gara në njësitë më të mëdha do të jetë më e ashpër dhe me konkurrentë të shumtë. Duke marrë shkas nga fakti se mazhoranca e ka përcaktuar këtë reformë si domosdoshmëri, opozita ka shprehur më parë qëndrimin e saj parimor, duke kërkuar që kjo reformë të kryhet nga Parlamenti, dhe jo nga qeveria.

Ndërkohë, pas disa takimeve konsultative ku janë paraqitur idetë dhe strategjitë për këtë reformë, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, edhe pse nuk ka publikuar diçka konkrete mbi këtë nismë, ka vënë theksin se qeveria do ta përmbyllë këtë reformë brenda këtij viti. Reforma e re administrative për territorin pritet të ndezë debate të gjëra mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, edhe për faktin se në këtë çështje përfshihen interesa elektorale.

 

 

Ndarja aktuale

Qarqet

12 qarqe ka sot Shqipëria në territorin e saj, të cilat drejtohen nga një kryetar, që zgjidhet prej këshillit të qarkut

 

Bashkitë

65 bashki janë aktualisht në vend

Komunat

309 komuna gjenden në territorin shqiptar, drejtuesit e të cilave zgjidhen një herë në katër vjet

 

Ndarja sipas draftit

36 rrethe do të ketë i gjithë territori shqiptar

30 mijë banorë do të jetë numri maksimal i bashkive rurale

20 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive rurale

10 mijë banorë do të jetë numri maksimal i njësive të vogla rurale

 

 

 

 

 

Hyn në fuqi mekanizmi vezullues

 Fajon: Shqipëria nuk ka abuzuar, vazhdoni fushatën e informimit

 Nga dje ka hyrë në fuqi me mekanizmi evropian i pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë të vendeve të Ballkanit në zonën Shengen. Eurodeputetja Tanja Fajon bëri të ditur dje se ndryshe nga Serbia, Maqedonia dhe Bosnja, Shqipëria nuk përbën shqetësim për abuzimin e rregullave të Shengenit dhe se informimi i duhur i qytetarëve shqiptarë ka luajtur një rol pozitiv në këtë. Ajo bën të ditur se mekanizmi do të aktivizohet vetëm në rastin e një rritjeje të konsiderueshme dhe të papritshme të numrit të azilkërkuesve nga një vend i Ballkanit dhe vende të tjera më vonë. “Deri tani, asnjë shtet anëtar i BE-së s’ka kërkuar që të aktivizohet ky mekanizëm, por duhet të tregohemi të kujdesshëm, pasi aktualisht ekziston një retorikë nacionaliste dhe populiste në disa shtete anëtare kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve. Sigurisht që fushata për informimin e qytetarëve është shumë e rëndësishme. Qeveritë duhet të bashkëpunojnë me Brukselin për vazhdimin e zbatimit të të gjitha kritereve të vendosura nga Brukseli. Aktualisht, bazuar në shifrat që kemi, Shqipëria nuk përbën shqetësim, por kësaj nuk i dihet, ndaj duhet të tregohet shumë vëmendje dhe të bëhet gjithçka e nevojshme në këtë drejtim”, – tha Fajon për “abc news”, duke shtuar se rikthimi i vizave do të thotë rikthimi i kufijve dhe jo një perspektivë e qartë e integrimit evropian.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency