Tronditja e thellë e rendit publik

0
156

Ermal Shehu

 

Një premtim i fuqishëm, njëherazi edhe shpresëdhënës (ndër të shumtit e dhënë pa kursim nga mazhoranca e sotme), i cili iu paraqit shqiptarëve gjatë fushatës elektorale e nuk mund të kalonte pa u vënë re nga populli, ishte ai i rivendosjes së rendit dhe qetësisë qytetare. A është ky një ndër ato premtime që zakonisht gjenerojnë vota? Patjetër që po! Natyrshëm në periudhat parazgjedhore, jo vetëm në Shqipëri, por kryesisht edhe në vende të tjera që janë në proces aktiv tranzicioni politiko-historik, kriminaliteti shfaq tendenca rritjeje. Kjo pasi pothuajse të gjithë, përfshirë këtu politikanë, ministra, deputetë… deri edhe te vetë policia, përveç “atyre” (eksponentëve kriminalë), fokusohen tërësisht në etapat jetike për ta, të procesit zgjedhor pushtetar. Në fakt, gjatë këtyre periudhave të vakumit të shtetit të së drejtës, qytetari ndien më nga afër forcën e vërtetë të krimit dhe njëkohësisht kupton se sa i dobët gjendet para tij në mungesë të ligjzbatimit. Është pikërisht kjo periudhë kohore, e cila ndonjëherë duket si e lënë tinëzisht e tillë nga përgjegjësit e vërtetë (politikanët), për t’i lënë vetes luksin e dhënies së premtimit më të madh se kundërshtari, për ndreqjen e situatës. Kjo gjendje vazhdon të rëndohet edhe më, gjatë një periudhe gati tremujore, çuditërisht të stërzgjatur në rastet kur sovrani vendos nëpërmjet vullnetit të tij kalim pushtetesh. Gjatë kësaj periudhe, policia pëson njëfarë çoroditjeje, sepse me rrotacionin politik parandien rrotacionin në çdo qelizë të shtetit, dhe në fakt, nuk nevojitet ndonjë parashikim astrologji për të arritur në këtë përfundim, pasi kjo stërthuhet rëndom gjatë fushatës. Megjithatë, qytetari si i vetmi i dëmtuar i këtij fenomeni, mbetet me shpresë e durim në pritje të ndryshimit të premtuar, me të marrë frenat pushteti i ri. Historia demokratike post-komuniste e vendit tonë i njeh si të suksesshme situatat e lidhura me rendin publik gjatë një “fillimi të ri”. Vlen të përmendet si e tillë qeverisja pas vitit ‘97, e cila dukshëm në sytë e qytetarëve arriti të vendoste qetësinë e përgjithshme publike dhe t’i jepte goditje konkrete kriminalitetit, i cili asokohe kishte degjeneruar në kaos. Gjithashtu, në një tjetër kalim rrotacional të pushtetit mazhoranca fituese e demokratëve në zgjedhjet e vitit 2005, ia arriti që brenda një kohe rekord t’i jepte krimit të organizuar goditje të drejtpërdrejta, duke vënë para drejtësisë banda të qyteteve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, duke mbajtur kështu edhe premtimin zgjedhor para qytetarëve. Një goditje nga ana e shtetit përkundrejt krimit duket se po çalon sot, në vitin 2014, nisur kjo që me “fillimin e ri” të 2013-ës nga mazhoranca e sotme. Policia duket se sot po funksionon më së miri si një organ ndihmës i tatim-taksave për mbushjen e buxhetit të shtetit, në një fushatë gjobash të pafundme sesa në qëllimin e saj parësor të goditjes së krimit dhe të rendruajtjes. Nuk duhet kurrsesi të neglizhohet dhe të barazohet me nulë gjobëvënia nga ana e policisë, pasi kjo është një ndër detyrat e saj, e cila bëhet edhe parandaluese për krime të tjera si aksidentet rrugore, megjithatë kjo vepër penale (në shumicën e rasteve në varësi të rrethanave, thjesht kundërvajtje penale) nuk zë vend të parë në hierarkinë e krimeve për të pasur këtë vëmendje absolute. Duhet thënë se në vendin tonë, viti 2013 dhe fillimi i vitit 2014 janë dominuar fatkeqësisht nga vepra të rënda penale, si ajo e vrasjes. Këto padyshim janë vepra me ndikim të drejtpërdrejtë në popull, duke i shtuar atij dita-ditës ankthin psikologjik dhe pasigurinë për jetën që i rezervon e nesërmja. Rëndom, sot nëpër rezymera 100-ditore pushteti, shohim se si dalin përgjegjësit e deleguar të sovranit për t’i paraqitur atij “sukseset e arritura dritësjellëse”, që shumë shpejt do t’ia bëjnë jetën më të bukur. Vetëm se do të duhet durim se fara e së mirës një ditë do të çeli! Mirëpo duhet thënë se në ndonjë nga këto përmbledhje “suksesesh” 3-mujore të planit mungoi nga prezantuesi goditja e një bande të vetme kriminale. Tingëllon bukur kjo, a thua në Shqipëri të mos ketë me të tilla…?! Ndoshta… Në kufijtë e banales po shkon tashmë edhe ai krahasimi absurd i përmendur gati si parullë propagandistike “sot kaq % më mirë se një vit më parë”. Duket sikur shteti i sotshëm është në garë më shtetin e djeshëm, në kohë kur duhej të ishte në garë me vetveten dhe kur e gjitha kjo noton në gjakun që shkaktojnë breshëritë e automatikëve atëherë jemi në kufijtë e fatalitetit. Me anë të këtij opiumi shifrash, përqindjesh, llogaritjesh… “të së mirës” së sotshme krahasuar me “të keqen” e djeshme, ata (politikanët qeverisës) nuk bëjnë gjë tjetër veçse përmbushin me sukses misionin për të cilin duket se janë ngarkuar, atë të tuhafjes së opinionit publik qytetar, për t’i bërë bisht problemit të vërtetë, për të rënduar edhe më shumë mendjet e lodhura! Shteti me anë të mekanizmave të tij ligjzbatues, duhet t’i çrrënjosë edhe qytetarit më të pagdhendur mendësinë momentalo-vrastare të vetëgjyqësisë sa herë që atij i paraqitet një problem konkret. Nuk duhet justifikuar përgjegjësia shtetërore në asnjë moment për ngjarje të rënda të ndodhura me analiza absurde sociale. Jemi pikërisht ne shqiptarët ata të cilëve, me të shkelur si rezident ose si turistë në vende të huaja, ku forca e ligjit kap majat e zbatueshmërisë ndëshkuese si për krimet ashtu edhe për kundërvajtjet, gjëja e fundit që na vjen në mend për zgjidhjen e problemeve është vetëgjyqësia. Kjo, pasi mendja kriminale, përpara se të organizojë krimin, shqyrton mundësitë e largimit nga skena e tij, analizon hollësisht anashkalimin nga ndëshkimi ligjor për veprën dhe kur gjen shembuj konkretë të banditëve “triumfatorë”, vepron pa mëshirë, trondit rendin kushtetues duke rimarrë jetë. Veprat penale të fillimvitit 2014 duhet ta bëjnë patjetër politikën shtetërore të reflektojë. Absolutisht, ata për të mirën e vendit duhet të heqin dorë nga mburrja publike për “arritjet” që në fakt janë detyrat e tyre, për të cilat qytetarët i kanë votuar. Vrasjet e këtyre ditëve tmerrojnë opinionin publik, në traditën shqiptare vdekjeve u rezervohet heshtja, por në respekt të tyre dhe me shpresën e mirë për të ardhmen e jetës në vazhdimësi këtej e tutje le të mos heshtim… Vdekja është proces natyror, vrasja jo!