Sonja Caka
Ndihmuan Admir Tafilin dhe të tjetër për t’u arratisur, tentojnë vetë. Policia u gjen sharra brenda një kutie shahu
Katër fleta sharre hekuri janë gjetur brenda një qelie në burgun e Drenovës, duke parandaluar në këtë mënyrë një tentativë arratie. Arratisja e mundshme nga burgu i sigurisë së lartë, vetëm dy muaj pas arratisë së shtatë të dënuarve me burgime maksimale, u zbulua gjatë një kontrolli të befasishëm në qelinë e atyre që organizuan arratinë e parë, atë të 23 nëntorit të vitit të kaluar. Fletët e sharrave janë gjetur në një kuti shahu, që i përkiste të paraburgosurve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari dhe që dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në arratisjen e Tafilit, Marashit dhe pesë të dënuarve të tjerë. Një grup kontrolli i mbërritur nga Tirana kishte bërë një kontroll mbrëmjen e të premtes në qelitë e burgut dhe mësohet se rreth orës 23:00 janë gjetur fletët e sharrave në dhomën e 4 të rinjve. Gjithashtu, në qeli u gjetën dhe dy telefona celularë, që u përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça. Sharrat dhe celularët janë gjetur të fshehura në një frigorifer dhe në një kuti shahu, të cilat dyshohet të jetë futur njëkohësisht me frigoriferin ku ishin fshehur dhe armët automatike të përdorura në arratisjen e nëntorit. Aktualisht në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës kontrollet dhe siguria kryhen nga grupe të gatshme nga Tirana, pasi i gjithë stafi i mëparshëm u shkarkua për shkak të arratisjes së nëntorit.
Reagimi
Drejtoria e përgjithshme e burgjeve përmes një njoftimi për shtyp informoi se kanë nisur hetimet në bashkëpunim me prokurorinë e Korçës për të zbardhur dinamikën e tentativës së arratisjes. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije, se më dt. 10.01.2014, ora 21:00- 23:00, grupi i DAP-it ka kryer një kontroll në IEVP Drenovë, Korçë, nga ku ka rezultuar gjetja e sendeve të ndaluara. Nga kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, grupi i Transferim- Shoqërimeve dhe Sigurisë (DAP) të D.P.B, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Pal Marku, janë gjetur dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça. Gjithashtu, nga kontrolli në sektorin e paraburgimit u gjetën katër fletë sharre të fshehura në një kuti shahu, që i përkisnin shtetasve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për të dyja rastet u përpilua raport- shërbimi, u mor masa disiplinore e veçimit, si dhe u njoftua Prokuroria e Korçës. Për këtë ngjarje kanë nisur tashmë hetimet” përfundon njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Precedenti
Dy muaj më parë, konkretisht mbrëmjen e 23 nëntorit të vitit të kaluar, janë arratisur 7 të dënuar nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, të ndihmuar nga personat që dy netë më parë iu gjetën sharrë hekuri brenda qelive. Personat e arratisur ishin të gjithë më dënime përjetë apo maksimale, ndërsa ishin dënuar për vrasje. Të arratisurit janë Admir Tafili, Frank Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lulo dhe Artur Gora, të gjithë të prangosur nga policia brenda pak ditësh. Të dënuarit Frank Marashi dhe Admir Tafili kanë tentuar edhe më herët arratisjen nga burgu i Burrelit, ndërkohë që Admir Tafili ishte i dënuar për vrasjen dy vëllezërve Pjetruishi si dhe i akuzuar për vrasjen e policit Arben Zylyftari, ndërsa Frank Marashi është autori i masakrës në “Urën Vajgurore”. Të burgosurit rezulton të jenë ndihmuar nga jashtë dhe brenda dhe për këtë arsye u arrestuan 22 policië dhe gardianë burgu dhe katër persona nga jashtë. Tri të arratisurit më të rrezikshëm janë arrestuar një ditë më pas në Prrenjas, brenda një magazine, një prej tyre ndërsa udhëtonte drejt fshatit të tij me taksi. Tri të fundit u arrestuan në tokën greke, pas disa ditësh ndjekje.
Abuzimet në Leskovik
Denoncohet në prokurori përgjegjësja e sektorit të ndihmës ekonomike
Ministria e Mirëqënies Sociale vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë dhe denoncimet në prokurori të personave dhe zyrtarëve të cilët kanë abuzuar me ndihmën sociale. Shërbimi Social Shtetëror i kësaj ministrie ka kallëzuar dje në Prokurorinë e Rrethit të Korçës Përgjegjësen e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, Bashkia Leskovik. Ajo akuzohet për shpërdorim të detyrës. “Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 35 për qind e skemës së ndihmës ekonomike dhe 73 për qind e skemës së aftësisë së kufizuar është abuzive. Më konkretisht, 43 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Leskovikut e kanë përfituar atë në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, ndërsa janë vërejtur 62 raste të invalidëve të punës me mungesë dokumentacioni.”- thuhet në njoftimin e djeshëm të ministrisë së Mirëqënies Sociale. Gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara rezultoi se nga 38 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Bashkinë e Leskovikut, 24 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore. Sipas vlerësimit paraprak të ministrisë, për periudhën e kontrolluar, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 3.732.381 lekë. Për këto shkelje Ministria bën përgjegjëse Administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Bashkisë Leskovik. Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.