Burgu i Drenovës Sharrat u futën me ushqime pak ditë pas arratisë

0
150

Anxhela Tato

Hetimet, 5 gardianë transportuan 4 sharrat në qelitë e bashkëpunëtorë të Tafilit

Mjetet e ftohta u gjetën në një kuti shahu të fshehur në pjesën e brendshme të frigoriferit

 

burgu-i-drenovesZbulohen detaje të reja për katër sharrat që u gjendën në qelitë e burgut të Drenovës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se kanë qenë pesë gardianë, të cilët i kanë kaluar këto mjete të mprehta në qelitë e të burgosurve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për pesë punonjësit pritet që të kërkohet pezullimi nga detyra dhe lëshimi i urdhrit të arrestit. Ndërkohë që mësohet se sharrat kanë qenë të destinuara për tu përdorur për prehjen e hekurave në arratisjen e 23 nëntorit nga shtatë të dënuarit. Mjetet e ftohta janë paketuar me ushqimet dhe bashkë me një kuti shahu nga bashkëpunëtorët e jashtëm të Admir Tafilit dhe Fran Marashit. Por ka një përplasje në lidhje me periudhën se kur janë futur këto sende në burg. Sipas Drejtorisë së Burgjeve sharrat kanë hyrë para gjashtë muajsh në burg, ndërsa burime nga prokuroria pohojnë se ato janë futur pak ditë pas arratisë. Ndonëse qëllimi i tyre ka qenë për të ndihmuar shtatë të dënuarit që të arratiseshin, dyshohet se sharrat do të përdoreshin në tentativa të tjerë. Sipas policisë, sharrat ishin futur në qelinë e të burgosurit Dan Hutra, i cili vuan dënimin prej 25 vitesh burg për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2007. Më pas sharrat janë fshehur në një kuti shahu dhe janë dërguar në sektorin e paraburgimit, ku ndodhen të rinjtë që ndihmuan Admir Tafilin në arratisjen e bujshme të nëntorit. Sipas policisë, kalimi i kutisë së shahut nga sektori i sigurisë së lartë tek paraburgimi dyshohet të jetë bërë me ndihmë të oficerëve të burgut. Ndërkohë prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dy ditë më parë forcat e sigurisë zbuluan në burg katër sharra që presin hekur. Nga verifikimet paraprake rezulton se kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, është bërë nga grupi i Transferim-Shoqërimeve dhe Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Burime brenda burgut të Drenovës pohuan se gjatë një kontrolli në sektorin e paraburgimit, mbrëmjen e së premtes janë gjetur katër sharra që presin hekur. Policia bën të ditur se sharrat u gjetën në një kuti shahu në dhomën ku qëndrojnë 3 personat që akuzohen se kanë ndihmuar Admir Tafilin dhe 6 të dënuarit e tjerë në arratisjen e bujshme të 23 nëntorit, të cilët janë pikërisht Elvis Lami, Olsjan Maçi, Albi Maçini. Gjithashtu, grupi i kontrollit gjeti edhe 2 telefona celularë në qelitë e Durim Lekës dhe Almarin Muçës.

Arratisja

Më 23 nëntor 2013, të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Artur Gora dhe Eduart Lula u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë Drenovë, pasi kishin mundur të pajiseshin me armë, të cilat i kishin futur në qeli përmes frigoriferëve. I pari që ra në prangat e policisë ishte Artur Gora, i cili i mbetur vetëm pas daljes nga qelitë, kishte marrë një taksi dhe ishte larguar në drejtim të shtëpisë së tij në një fshat të Korçës. Të nesërmen e arratisjes, forcat RENEA arritën të arrestonin tre të shumëkërkuarit, Tafili, Marashi dhe Guri, në një magazinë të braktisur në Prrenjas, të cilët nuk bënë rezistencë. Tre të dënuarit u tjerë kishin mundur të kapërcenin kufirin dhe të hynin në tokën greke, ku u kapën pas përplasjes me armë me forcat e policisë. I dënuari Gëzim Guri mbeti i plagosur. Arratisja e shtatë të dënuarve nga burgu i Drenovës u ka kushtuar lirinë 21 policëve të institucionit të vuajtjes së dënimit në qytetin juglindor. Me urdhër të Prokurorisë së Korçës, 21 policë të burgut, mes të cilëve dhe dy femra, përfunduan prapa hekurave, pasi dyshohen për shpërdorim detyre, për shkak të mosveprimit të tyre për të parandaluar ngjarjen e rëndë. Nga hetimet e para pas ngjarjes së rëndë, që dëshmoi për sigurinë e dobët në burg, prokuroria duket se ka siguruar prova, që i ngarkojnë me përgjegjësi efektivët e policisë. Edhe pse ende nuk është konfirmuar nëse ndonjë nga policët ka bashkëpunuar me të dënuarit, është fakt që brenda në qeli është bërë e mundur të futen armë dhe celularë, çka i komprometon rëndë ata. Sipas prokurorisë, futja e sendeve të kundraligjshme ka ndodhur për shkak se policët nuk kanë kryer si duhet detyrën e tyre, ndaj për këtë shkak është urdhëruar dhe arrestimi, të paktën derisa të sqarohet pozicioni i gjithsecilit prej tyre.

 

Shkolla e Policisë

Ja cilat janë dokumentet dhe procedurat që duhet të ndjekin aplikantët

Ministria e Brendshme shpall procedurat e testimit për shkollën e policisë si dhe zgjidhjen e problemit të aplikimeve për dëshmi penaliteti. “Lidhur me dëshminë e penalitetit, sqarojmë se kandidatët mund të dorëzojnë të plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore së bashku me autorizimin për kontrollin e vërtetësisë së të dhënave të deklaruara në këtë formular. Të dhënat e tyre do të kontrollohen më pas nga Policia dhe nëse rezulton se aplikanti ka paraqitur të dhëna jo të sakta, atëherë ai do të përjashtohet nga procesi”, – bënë të ditur burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Sipas këtij institucioni, çelja e procesit të aplikimit për të ndjekur studimet në Shkollën e Policisë ka ngjallur një interes mjaft të madh tek të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të bëhen pjesë e skuadrës së Policisë së Shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, që prej fundit të muajit dhjetor kur u çel procesi, kanë informuar në vijimësi lidhur me mënyrën e aplikimit dhe konkurrimit. “Nisur nga interesimi i madh si dhe një numër pyetjesh që kanë ardhur nga qytetarët në adresat e internetit të MPB dhe Policisë së Shtetit po bëjmë një përmbledhje të gjithë informacionit të nevojshëm lidhur me këtë proces, të organizuar sipas pyetjeve të publikut”, bënë të ditur burime e Ministrisë së Brendshme. “Kur përfundojnë aplikimet për konkurrim? Aplikimet përfundojnë në datë 20 janar 2014. Ku bëhen aplikimet? Aplikimet bëhen pranë Drejtorive të Policisë në Qarqe. Çfarë dokumentesh duhen për të aplikuar për në Shkollën e Policisë? Dokumentet që duhen paraqitur janë: Formulari i plotësuar i aplikimit; Fotokopje e pasaportës ose letërnjoftimit ID; Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme; Dëshmi penaliteti; Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit”, – thuhet në njoftimin e ministrisë.