Reforma administrative dhe shkolla e trajnimit zgjedhor!

0
684

Opinion  nga  Ermal Shehu

 

Viti 2014 për Shqipërinë pa dyshim që do të jetë një vit sfidash, pasi si i tillë është paraqitur tek ne që para se të niste. Nuk mund të etiketohet ndryshe, kur fundditët e paraardhësit u karakterizuan nga një fushatë premtimesh, por edhe replikash skeptike për zbatimin e projekteve të premtuara. Një ndër to ishte edhe diskutimi për një ndarje të re administrative në vendin tonë. Se sa do të rezultojë efektive në të ardhmen kjo reformë, nëse vihet në jetë, kjo është vështirë të thuhet që tani, pasi mbetet ende në kuadrin e një propozimi në mungesë të teknikaliteteve detajuese. Megjithatë, kjo duket se është në qendër të vëmendjes së ndërkombëtarëve. Para disa ditësh, ambasadori i OSBE në Tiranë, z. Florian Rauning, në një intervistë u shpreh qartë se kjo do të ishte një nga prioritetet e tyre për vitin 2014. Ai, gjithashtu, theksoi se kjo reformë duhet të jetë cilësore e gjithëpërfshirëse dhe se OSBE dhe ndërkombëtarët do të jenë të gatshëm të asistojnë. Nëse në Shqipëri do të aplikohet një ndarje e re administrative, gjë e cila pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 është lënë edhe në formë rekomandimesh nga raporti përfundimtar i OSBE-së dhe ODIHR-it, kjo do të na çojë drejt ndryshimeve të dukshme në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, z. Rauning përmendi edhe se ata janë duke punuar në dy fusha kryesore: për përmirësimin e procesit zgjedhor si edhe për profesionalizimin e komisionerëve dhe njerëzve që punojnë për procesin. Zgjedhjet në vendin tonë, në periudhën demokratike në shumicën e rasteve, kanë pasur probleme prej të cilave është rënduar situata. Ato janë bërë shpesh burim konfliktesh verbale dhe fizike për mbështetës të palëve garuese. Për vendin tonë, periudhat para dhe paszgjedhore kanë qenë në përgjithësi pengesat kryesore në lidhje me proceset integruese ndërkombëtare. Paaftësia jonë për të menaxhuar me sukses situatat vendimmarrëse të sovranit për pushtetin kanë rezultuar penalizuese. Ndërhyrja energjike e politikës në proces, por në shumë raste edhe paaftësia e njerëzve përgjegjës, e kanë bërë procesin zgjedhor të jetë larg standardeve ndërkombëtare. Duket se herën e ardhshme ndërkombëtarët me anë të veprimeve konkrete, do të marrin një rol më vendimtar në mirorganizimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Kjo, pasi ambasadori Rauning shprehu qartë se, përveç të tjerash, OSBE në Shqipëri në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si edhe me Këshillin e Evropës, janë duke punuar për zbatimin e një projekt-programi për të ngritur shkollat e komisionerëve zgjedhorë. Në fakt, mungesa e tyre e deritanishme duket të ketë qenë një pikë e çalë në sistemin tonë zgjedhor. Nëse kualifikimi tekniko-ligjor i njerëzve që punojnë për këtë sistem nuk do të kishte munguar, atëherë padyshim që edhe problemet zgjedhore do të ishin reduktuar ndër vite. Shkollimi i komisionerëve do t’u jepte mundësinë atyre të njiheshin më konkretisht me anën juridike të procesit zgjedhor, se sa një trajnim i organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disa javë para ditës së zgjedhjeve. Këto trajnime shpeshherë neglizhohen nga ana e partive politike pasi të bëra në periudha fushatash elektorale, i privojnë ato nga prania e njerëzve gjatë organizimeve të tyre. Nëse ky projekt-program i ndërkombëtarëve në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të realizohet në praktikë, atëherë pjesëmarrja e komisionerëve të propozuar nga subjektet politike, për t’i garantuar efikasitet procesit, duhet patjetër të jetë e detyruar. Për të qenë i suksesshëm ky projekt duhet gjithashtu të njihet mirë me problematikat që në tërësi karakterizojnë procesin zgjedhor tek ne. Sistemi i sotshëm elektoral në Shqipëri është ai proporcional rajonal, bazuar në zona zgjedhore shumë-emërore. Zonat zgjedhore janë 12 dhe përputhen me numrin e ndarjeve administrative territoriale të qarqeve. Struktura e administratës zgjedhore në Shqipëri vepron në bazë të një hierarkie ku në majë të saj gjendet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas tij Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV) dhe Grupi i Numërimit të Votave (GNV). Si hallka të ndryshme për realizimin e një procesi ato kanë edhe problematikat e tyre në lidhje me kualifikimet njerëzore, që në disa raste ndahen nga njëra-tjetra (duke përjashtuar këtu KQZ-në si organi më i lartë zgjedhor, anëtarët e së cilës kanë mandate 4-vjeçare me të drejtë rizgjedhje sipas Kodit Zgjedhor). Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor është një organ kolegjial i përbërë nga 7 anëtarë i ngritur nga KQZ-ja përkohësisht për periudhën e zgjedhjeve. Zakonisht, trajnimet që KQZ organizon për kualifikimin e anëtarëve të KZAZ nuk çalojnë në pjesëmarrje, por në zëvendësimin që anëtarëve të trajnuar u bëhet nga partitë politike propozuese, me persona (militantë) të cilët nuk kanë kaluar në trajnim. Komisioni i Qendrës së Votimit gjithashtu është organ kolegjial i krijuar dhe me varësi nga KZAZ-ja. Trajnimet e tyre zakonisht, hasin në vështirësi të tipit nga mospjesëmarrja në to nga ana e anëtarëve të KQV, e deri te largësia e zonave rurale në të cilat ato ndodhen. Problematikë jo e vogël në sistemin e sotëm haset edhe në trajnimin e Grupeve të Numërimit të Votave, me një përbërje prej 4 vetash; gjetja e identitetit të tyre nga trajnuesit për të kryer trajnimin deri ditën e zgjedhjeve, është thuajse një mision i pamundur. Zakonisht GNV-të e pakta të trajnuara para datës së zgjedhjeve ndryshohen me të tjerë persona më të besuar. Ata ruhen nga partitë politike me fanatizëm militantesk pasi konsiderohen si vija e parë e përballjes me kundërshtarin, për ruajtjen e votës. Trajnimet e tyre në përgjithësi vitet e fundit nga trajnuesit e KQZ-së janë zhvilluar disa orë pas përfundimit të procesit të votimit. Duhet thënë se problemet zgjedhore në Shqipëri vijnë në një shkallë piramidale me progresion të tyre sa më poshtë shtrihemi në hallka. Shumicën e këtyre problemeve, kryesisht teknike, do ta zgjidhte realizimi i projekt-programit për të ngritur shkollat për komisionerët. Ky do të bënte që sistemi zgjedhor të ishte shumë herë më efikas sesa sot. Mbledhja e gjithë komisionerëve në një vend me detyrimin për tu trajnuar, padyshim që, përveçse do të rriste shkallën e profesionalizmit njerëzor, do të frenonte pothuajse deri në zhdukje tekat për të cilat partitë politike neglizhojnë me qëllim sistemin. Natyrisht që ndryshimet në sistemin zgjedhor për të qenë sa më efiçientë duhet të ndërthuren edhe me ndarjen administrative (nëse ajo do të bëhet). Kjo, në të ardhmen do ta çonte sistemin në duart e profesionistëve dhe do ta shkëpuste atë nga ndikimi i drejtpërdrejtë i partive politike, të cilat shpeshherë në proces u japin urdhra absurde komisionerëve të tyre. Ndoshta, kjo do të jetë edhe rruga për të shkëputur sistemin zgjedhor nga ky konflikt interesi që e ka karakterizuar, ku subjektet politike përveçse palë garuese duhet edhe të garantojnë mbarëvajtjen e procesit. Nëse nga klasa politike shqiptare do të mbahen parasysh dhe vihen në jetë me rigorozitet dhe përgjegjshmëri rekomandimet dhe mbështeten realisht projektet e ndërkombëtarëve për Shqipërinë, në lidhje me teknikalitetin e sistemit administrativo-zgjedhor, pa dyshim që në të ardhmen në progres-raportet e tyre për ne, optimizmi do të zërë vendin e skepticizmit të derisotëm.