Gëzim Saliu
Hapet zyra e punësimit, Rama: Ndryshim rrënjësor i shërbimeve
Kryeministri: Prioriteti ynë, punësimi; ndryshojmë modelin e zhvillimit ekonomik të vendit
Përurohet zyra e parë moderne e punës në Tiranë. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se kjo zyrë është një projekt që do të shërbejë si një adresim për çdo të ri të shkolluar dhe çdo punëkërkues për t’u informuar lidhur me mundësitë që ofrohen. Sipas kreut të qeverisë, plaga e papunësisë është ende e thellë dhe se për të ndryshuar situatën është i domosdoshëm ndryshimi rrënjësor i shërbimeve të punësimit. “Ngritja e zyrave për shërbimet e punësimit meriton vlerësimin më të lartë. Plani i papunësisë së të rinjve është i thellë dhe dhimbjet e saj janë shumë të forta në trupin e brishte të shoqërisë sonë. Hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti ynë më i madh, që ka të bëjë me ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo hallkë që hapëm sot nuk është baras me shërimin e një plage si kjo, por vetëm një element i projektit tonë kompleks për punësimin, hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti ynë thelbësor, por ndryshimi rrënjësor i shërbimeve të punësimit do të ketë ndikimin pozitiv në drejtim të përmbushjes së këtij prioriteti”, – deklaroi Rama.
Punësimi
Projekti i qeverisë për punësimin parashikon që brenda 300 ditësh të ngrihet zyrë punësimi në çdo qark të vendit. Për Kryeministrin e vendit, zyra e përuruar dje është vetëm dallëndyshja e parë që lajmëron një stinë të re të marrëdhënies së qytetarit me punëkërkimin. “Do të jetë adresa e besueshme e çdo të riu, e një të reje, e një studenti e studenteje që ka dalë nga rruga e gjatë e studimeve apo e një punëkërkuesi të hershëm apo edhe e shqiptarëve që studiojnë këtu apo jashtë vendit, që kanë nevojë për orientim dhe informim lidhur me mundësitë e punësimit që ofron sot tregu i punës”, – tha ai. Në këtë kontekst, Rama theksoi se si shembull në hapjen e kësaj zyre është Gjermania. “Eksperienca e Gjermanisë, por edhe vende të tjera, ku pika të tilla janë të patjetërsueshme në rrugën e punëkërkimit janë shembull perfekt. Është hallka e parë e një zinxhiri shërbimesh për punëkërkuesit që do të shtrihet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Një zyrë punësimi e standardeve evropiane në qendër të Tiranës, aty ku deri dje qeveria e kishte lëshuar mjedisin me qira për birrari”, – deklaroi Rama. Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, e cilësoi hapjen e kësaj zyre si një premtim të mbajtur, e cila do të vijojë me Durrësin dhe Elbasanin. “Kjo është pjesë e imazhit të një qeverie, pasi më parë zyra e punës ishte në një zgëq, ku askush nuk mund ta gjente, ndaj ne gjetëm një pjesë qendrore, pasi qendror është interesi dhe angazhimi ynë për këtë gjë”, – tha Veliaj. Sipas tij, kjo nis një kapitull të ri të marrëdhënies së qytetarit me shtetin, si hallkë për ndërmjetësimin e punësimit. “Ne do të ofrojmë një shërbim dinjitoz, në mungesë të një vendi pune do të ofrohet edhe një kupon nëpërmjet të cilit të interesuarit do të marrin trajnim e shërbim kualifikues”, – theksoi ministri, duke shtuar se deri më tani janë reklamuar 2180 vende pune dhe 6344 punëdhënës të regjistruar.
Batuta e Ramës
“Për mohuesit, do t’ju tregoj një anekdotë të jetuar. Kryeministri i parë më i moshuar anglez, Uiliam, takim me Kryeministrin izraelit, dhe britaniku i thotë se Izraeli nuk mund të jetë mjaftueshmërisht i sigurt për ato që pretendon. Kryeministri izraelit iu përgjigj se Izraeli shpreson që të jetë i sigurt për një gjë sa është i sigurt kundërshtari për të gjitha ato që thotë”.
Të shkarkuarit
Protesta para zyrës së punës: Duam sqarime nga Kryeministri
Para nisjes së ceremonisë së përurimit të zyrës së punës tek Rruga e Kavajës, 12 persona të shkarkuar dy ditë më parë nga puna qëndruan pranë ndërtesës së re dhe kërkuan të takonin Kryeministrin Rama për të marrë sqarime. Të dymbëdhjetë personat e shkarkuar kanë qenë me profesion ish-specialistë të zyrës së punës. “Kryeministri të na japë sqarime. Ne jemi super të kualifikuar, jemi me master dhe doktoraturë. Të gjejë vend dhe për ne”, – tha një prej punonjëseve.
Vizita
Kodheli me Kryeministrin Samaras: Shqipërinë e pret një perspektivë e qartë evropiane
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në kuadër të vizitës dyditore në Athinë, zhvilloi dje një takim me Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras, ku ky i fundit tha se Shqipëria po kalon një tranzicion pushteti, por po strukturohet fuqishëm. “Të jesh ministre Mbrojtjeje femër do të thotë shumë dhe ky është një mesazh shumë i fortë. Ne dëshirojmë që të rishikojmë dhe të forcojmë më tej të gjitha marrëveshjet mes nesh”, – iu drejtua z. Samaras ministres shqiptare të Mbrojtjes. Nga ana e saj, Kodheli e njohu Samarasin me reformat e ndërmarra në institucionin që ajo drejton, duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit, reformën në Forcat e Armatosura etj. “Shqipëria shpreson të marrë statusin e vendit kandidat në 6-mujorin e parë të 2014-ës. Në këtë pikë ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, – nënvizoi ajo. Në këtë kontekst, Kryeministri Samaras dha mbështetje të plotë për Shqipërinë në aspiratën e saj evropiane. Në vijim të vizitës së saj, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, vendosi një kurorë në monumentin e Ushtarit të Panjohur në sheshin “Sindagma” në Athinë.