Florenc Drizari
Berisha: Sot në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit ose edhe nga vetë Rama
Ish-kryeministri Sali Berisha priti në një takim ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, zotin Alexander Arvizu. Takimi u zhvillua me kërkesë të z. Arvizu, ndërkohë që nga ana e ish-kryeministrit Berisha, biseda me diplomatin amerikan u quajt e hapur dhe miqësore. Në takim u fol për një numër çështjesh në lidhje me zhvillimet e muajve të fundit në vend, veçanërisht në ato që prekin sistemin gjyqësor.
Zoti Berisha para zyrtarit të lartë amerikan theksoi se qeveria “Rama – Meta” po sulmon institucionet e pavarura të vendit me procedura antikushtetuese dhe antiligjore. Një shembull i qartë në këtë aspekt sipas ish-kryeministrit, është përpjekja për shkarkimin e kryetares të ILDKP-së, me qëllim që të sigurojnë fshehjen e pasurisë së tyre, si dhe të ushtrojnë presion mbi sistemin gjyqësor dhe hallka të tjera të shtetit.
Zoti Berisha theksoi se për shkak të këtij presioni, gjykatësit po refuzojnë çështje në të cilat paditet qeveria. Në këtë kuadër, zoti Berisha theksoi se sot në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit ose edhe nga vetë Rama.
Sali Berisha
“Një zhvillim shumë shqetësues është presioni i ekzekutivit mbi gjykatat. Për shkak të këtij presioni gjykatësit sot po refuzojnë çështje në të cilat paditet qeveria. Sot në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit ose edhe nga vetë Rama. Gjithashtu qeveria “Rama – Meta” me ligjin e ri kërkon të anulojë njësitë e përbashkëta hetimore të luftës kundër korrupsionit vetëm se nuk i ka ne vartësi, në një kohë kur korrupsioni po rritet në mënyrë galopante. Këto njësi duhet të forcohen, por jo të asgjësohen siç do të bëjë qeveria me ligjin e ri. Me të gjitha këto qëndrime Shqipëria ecën në drejtim të kundërt me procesin e integrimit”, – deklaroi Berisha.
Gjithashtu, ish-kryeministri Berisha në këtë takim shprehu shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e lidhura me procesin e integrimit të Shqipërisë. Zoti Berisha theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është kryekëput një proces i bazuar në standarde dhe progresi i vendit drejt anëtarësimit varet nga përmbushja e këtyre standardeve nga qeveria. Në këtë kontekst, ish-kryeministri Berisha nënvizoi se opozita është e pozicionuar me vendosmëri në favor të çdo mase që shërben për përmbushjen e standardeve. Zoti Berisha shprehu shqetësimin se me veprimet e këtyre muajve të parë të qeverisjes, zoti Rama, nën moton “nuk zbatojmë ligjet e Berishës”, po shkon në drejtim të kundërt me përmbushjen e standardeve, duke dhunuar dhe rrëzuar sistematikisht me vendime qeverie Kushtetutën, ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave. Të gjitha këto veprime, theksoi zoti Berisha, rrënojnë parimet e shtetit të së drejtës. Gjithashtu, ish-kryeministri i vendit theksoi se zoti Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe standardet evropiane, po shkatërron administratën shtetërore dhe institucione të tjera kyç të shtetit, duke shkarkuar drejtuesit dhe punonjësit e trajnuar e specializuar te tyre, për kualifikimin e të cilëve janë shpenzuar qindra milion euro. “Kështu, ai ka vendosur në krye të Policisë së Shtetit një komisioner të Partisë Socialiste, në krye të Agjencisë së Pastrimit të Parave ka vendosur kryefinancierin e PS-së, në krye të Institutit të Statistikave anëtarë dhe drejtues të strukturave të PS-së dhe G-99, ndërsa në krye të Komisionit të Prokurimit Publik ka vendosur një nga personat më të politizuar të vendit, i cili përcakton fituesit e tenderëve sipas porosive nga lart”, – theksoi zoti Berisha.
Takimi mes ambasadorit Alexander Arvizu dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, vjen pas një periudhe “ftohjeje” të marrëdhënieve të tyre politike, ku të dy përfaqësuesit kanë shkëmbyer deklarata në distancë lidhur me çështjen e armëve kimike siriane në Shqipëri si dhe kompetencat e një përfaqësuesi diplomatik.
Marrëdhëniet Berisha – Arvizu
Edhe pse ambasadori Amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, ndodhet në fund të mandatit të tij, kjo nuk e pengoi atë të takonte ish-kryeministrin Sali Berisha, marrëdhëniet mes të cilëve duket se ishin “të ngrira” që pas protestave për çështjen e armëve kimike. Mes Berishës dhe Arvizus nuk kishte pasur takim prej kohësh dhe “acarimi” më i dukshëm publik ndodhi gjatë protestave kundër armëve kimike, kur ambasadori amerikan la të kuptohej se Partia Demokratike ishte ende nën drejtimin e Sali Berishës dhe jo të Lulzim Bashës. “Unë po flisja për Uashingtonin që më kërkonte që të përcillja këtë dhe fakti që kjo gjë nuk u përmbajt sot, sugjeron që ata ose harruan dhe zgjodhën ta injoronin, ose a është ai (Lulzim Basha) vërtet në krye të Partisë Demokratike? Nuk e di se cila është më shqetësuese”, – deklaroi në “Top Story”-n e 14 nëntorit ambasadori Arvizu. Ndërkohë, pak ditë më vonë për këtë deklaratë, ambasadori Alexander Arvizu mori edhe një përgjigje nga ish-kryeministri: “Unë them se ato janë çështje jodinjitoze të shtruara. Pyetja që shton është një pyetje shumë e pamend e një diplomati që i lejon vetes të bëjë një pyetje të tillë”, – tha në një takim me gazetarët pesë ditë më vonë ish-kryeministri Berisha. Mungesa e dialogut mes Sali Berishës dhe Alexander Arvizus u theksua edhe kur zyrtari i Departamentit të Shtetit Jonathan Moore vizitoi Tiranën. Ambasadori e shoqëroi zotin Moore tek Lulzim Basha, por jo tek Sali Berisha, por përpos këtyre qëndrimeve, mes të dy përfaqësuesve pati dje një takim ku u diskutuan shumë çështje në politikën e ditës.
Berisha: Rama nuk ka mandat të bisedojë në Serbi për Kosovën
Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka reaguar dje ndaj vizitës që do të kryejë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, në Serbi. Duke marrë shkas nga deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Berisha theksoi se Kryeministri nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë mandat për të diskutuar në Beograd për Kosovën. “Pas marreveshjeve Prishtine – Beograd te firmosura ne Bruksel jane krijuar mundesi reale per nje bashkepunim te gjere rajonal. Ne kete kontekst, Tirana dhe Beogradi duhet te bejne perpjekje per zhvillimin e marredhenieve dhe bashkepunimit te gjere bilateral ne interesin me te mire te dy vendeve. Por perfshirja e Kosoves ne axhenden e takimit bilateral Tirane – Beograd, siç njoftoi zoti Mrkic, eshte absolutisht e denueshme. Kosova e pavarur ka perfaqesuesit e vet me legjitimitet kombetar dhe nderkombetar dhe nuk mund te perfaqesohet nga asnje perfaqesues i Shqiperise apo ndonje vendi tjeter per interesat e saj ne Beograd. Zoti Mrkic dhe Edi Rama duhet ta dine mire se koherat kur Beogradi diskutonte me perfaqesuesit e Shqiperise per Kosoven kane marre fund”, – shkruante ish-kreu i qeverisë shqiptare në rrjetin social “Facebook”.
PD: Qeveria po krijon fasada të reja, jo vende të reja pune
Myqerem Tafaj: Shumë zhurmë për asgjë
Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, tha se përurimi i zyrës së re të punësimit në Tiranë është “shumë zhurmë për asgjë”, për vetë taktin se, sipas tij, ky shërbim ekziston në kryeqytet prej nëntë muajsh.
Në një deklaratë për mediat pranë selisë së PD-së, z. Tafaj tha se “qeveria e Partisë Demokratike e ka nisur këtë projekt që në mandatin e saj të parë, dhe me pilotim arriti ta realizonte në Tiranë e në Korçë, falë edhe bujarisë së qeverisë suedeze. Prej 9 muajsh, shërbimi ofrohej në 36 qytetet e vendit. Vendet e reja të punës ishin të vlefshme dhe mund të kontrolloheshin nga qytetarët e vendit, në çdo qytet të Shqipërisë. Mund të gjendeshin online, por ndihma për të papunët jepej edhe nga punonjësit e këtij shërbimi në këto zyra. Është qesharake se si për një dekor, për një tapet dhe për një fasadë të re, qeveria e Ramës të trumbetojë sikur dje ka ndodhur mrekullia. Edhe zyra e inauguruar dje, në fakt, ofron ato vende pune që ishin ndërkohë të shpallura nga zyra e punësimit në Tiranë”.
Sipas deputetit të opozitës, nuk kemi asnjë vend të ri pune, por kemi thjesht një fasadë të re në qytet. “Premtimi i Edi Ramës për hapjen e 300 mijë vendeve të punës nuk mund të fshihet me akte televizive dhe me shfaqje me ngjyra.
Ky premtim nuk realizohet duke mohuar punën e qeverisë paraardhëse dhe shërbimet ekzistuese. Vendet e reja të punës hapen vetëm me vizionin e duhur, me platformën e duhur, dhe hapen kur qeveria punon shumë, dhe jo kur krekoset para kamerave pa bërë asgjë”, – deklaroi Tafaj.