Sonja Caka
Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas zbulimit të 4 sharrave të hekurit brenda qelive
Zbulimi i katër sharrave të hekurit brenda qelive të burgut u ka kushtuar vendin e punës 11 punonjësve të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Reagimi disa ditë pas ngjarjes ka ardhur nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i cili ka marrë vendim t’i pushojë ata nga puna, ndërsa Prokuroria e Korçës vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Një fakt i tillë konfirmohet zyrtarisht nga drejtoria e burgut, sipas të cilëve, të shkarkuar janë 6 gardianë, 4 operatorë dhe 1 oficer. Vendimi për shkarkimet është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas zbulimit të fletëve të sharrave në qelive të personave që janë arrestuar për shkak se kanë dhënë ndihmën e tyre në arratisjen e Admir Tafilit bashkë me 6 të dënuar të tjerë. Ka qenë pikërisht gjetja e sharrave dhe celularëve pesë ditë më parë në dhomën e tre bashkëpunëtorëve Olsion Maçi, Albi Meçini dhe Elvis Lami, shkaku i shkarkimit të 11 punonjësve të këtij institucioni. Veç shkarkimit nga puna, 11 punonjësit janë çuar edhe në procedim penal në lidhje me këtë ngjarje.
Zbulimi
Pas arratisjes spektakolare, por edhe për shkak të monitorimit të vazhdueshëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të të gjitha kampeve të vuajtjes së dënimit në vend, herë pas here zhvillohen kontrolle të befasishme në qeli për sende të palejuara. I tillë ka qenë edhe kontrolli i zhvilluar në fundjavë në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, jo nga efektivë të këtij burgu, por nga grupe të ardhura nga Tirana. Gjatë kontrollit, nisur edhe nga ndonjë sinjalizim i pasur më parë, në qelitë e ndihmësve të Tafilit në arratinë e dy muajve më parë, u gjetën katër fleta sharre hekuri, me të cilat synohej një tjetër arrati nga ky burg. Sharrat dhe celularët e gjetura në dhomën e tre bashkëpunëtorëve të Admir Tafilit e Fran Marashit, konkretisht Olsion Maçi, Albi Meçini dhe Elvis Lami çuan në nisjen e një tjetër hetimi nga Prokuroria e Korçës, ndërsa dyshohet se janë futur përmes ushqimeve nga familjarët.
Hetimi
Pas ngjarjes, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet e para mësohet se sharrat e hekurit janë futur përmes ushqimeve nga familjarët e Dan Hutrës, të dënuar me 25 vite burg për vrasjen e gruas. Sipas të dhënave hetimore, familjarët e të dënuarit Hutra i kanë futur këto materiale prerëse pas arratisë së Admir Tafilit me 6 të dënuar të tjerë, ndërkohë që mësohet se 11 punonjësit e burgut, tashmë nën hetim dhe të larguar prej ditës së djeshme zyrtarisht nga puna, kanë qenë staf i rekrutuar dy muajt e fundit. Nga hetimi mësohet se sharrat e hekurit janë marrë nga i dënuari Hutra dhe më pas u janë dorëzuar katër personave nën hetim për dhënie ndihme Tafilit në arratisje.
Kërkesa
Pinari kërkon liri me kusht: Jam i sëmurë me zemër, kam edhe nënën të moshuar
Sjellja e mirë, problemet shëndetësore me zemrën apo edhe fakti që ka nënën të moshuar dhe në ngarkim kanë qenë disa nga argumentet e paraqitura para Gjykatës nga Ylli Pinari, një nga të cilësuarit si shkaktar i tragjedisë së Gërdecit. Për këtë arsye ai kërkon të përfitojë nga liria me kusht, ndërkohë që i kanë mbetur edhe 2 vjet e 4 muaj për të vuajtur nga koha e dënimit. Kërkesa është depozituar tri ditë më parë dhe dje është marrë në shqyrtim nga gjyqtari Petrit Çomo. Dje, ish-drejtori i MEICO-s në kohën kur ndodhi shpërthimi tragjik, përmes avokatit i ka dorëzuar argumentet e tij gjykatësit Petrit Çomo. Avokati i Pinarit sqaroi se klienti i tij vuan nga zemra dhe ka nën kujdesin e tij nënën 85-vjeçare, pasi ajo jeton e vetme pas divorcit të Pinarit me gruan e tij. Ndërkohë që Pinarit i kanë mbetur edhe 2 vjet e 4 muaj burg për të shlyer nga dënimi 10-vjeçar që mori nga Gjykata e Apelit. Tashmë do të jetë gjyqtari Çomo ai që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e Pinarit për lirinë me kusht, duke e lënë për kohën e mbetur nën monitorimin e Shërbimit të Provës. Kërkesa për liri e Pinarit vjen pas përfundimit të dënimit dhe lirimit të një tjetër të cilësuari i shkaktar për Gërdecin, Mihal Delijorgji.
Tiranë
Hidhet shorti për dosjen e Gjikës, Arben Micko gjyqtar i çështjes
Pas vendimit të transferimit nga Gjykata e Lartë dhe mbërritjes në Tiranë, menjëherë Gjykata e Tiranës ka hedhur në short dosjen penale të kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe të pandehurve të tjerë, duke caktuar gjyqtarin që do të nisë nga e para gjykimin e saj. Arben Micko është gjyqtari të cilit i është ngarkuar kjo dosje, e cila u transferua nga qyteti bregdetar drejt Tiranës pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Dosja Gjika u transferua, pasi në Vlorë, sipas Prokurorisë, nuk ishin kushtet për t’u zhvilluar një proces normal gjyqësor. Sipas Prokurorisë, kjo dosje kishte ndjeshmëri të lartë në publik dhe mbledhja e mbështetësve të Gjikës jashtë mjediseve të Gjykatës krijonte një situatë jo të sigurtë tek Gjykata dhe organi i akuzës. Mbi numrin një të Bashkisë së qytetit bregdetar rëndojnë akuzat e falsifikimit të dokumenteve të KRRT-së Bashkisë së Vlorës, kjo e kryer në bashkëpunim. Më konkretisht, bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur Tri Racat, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit. Ndërkohë, në total numri i personave në hetim nga Prokuroria e Vlorës në lidhje me dosjen “Gjika” janë shtatë persona, ndërsa trupa gjyqësore në Vlorë pati mundësinë e zhvillimit vetëm të dy seancave, pasi më pas u vendos transferimi. Megjithatë, pas mbërritjes në Tiranë, çdo gjë do të nisë nga e para.