Me njoftimin e ndryshimeve në projektligjin “Për artin dhe kulturën”, ministrja Mirela Kumbaro ka dhënë dje dy lajmërime, që kanë hedhur poshtë gjithë strukturën se si jepeshin fondet e Ministrisë për projektet artistike.
Arsyeja, sipas saj, kanë qenë ankesat e shumta në derë të Ministrisë nga palët e interesit, që në këtë rast patjetër që janë artistët, ata që aplikojnë më shumë në shtet.
Këto grupe ka thënë Kumbaro janë shprehur të zhgënjyer se si Ministria e së djathtës ka hartuar ligje për artin dhe kulturën pa reflektuar mendimin e dhënë tyre.
Konkretisht, kjo “pakënaqësi” lidhet me funksionimin e Qendrës së Artit Skenik, e krijuar në 2012, për të qenë një strukturë që decentralizonte “vendimin” e ministrit mbi projektet, e për më tepër që paratë nuk do firmoseshin më prej tij. Ajo që ka ndodhur në realitet është zvarritja e gjatë për ta vënë në funksion këtë “strukturë” të së djathtës, por që rezultoi e dështuar. Ja për keqadministrim, ja për sofistikim të vendimeve, apo ndërhyrjeve arbitrare të klaneve për të përvetësuar para për projekte – në të shumtën nuk bëheshin aspak transparente.
“Asnjëherë s’ka qenë e saktë fusha e veprimit të qendrës duke iu mbivendosur artificialisht Drejtorive të përmbajtjes në derën përballë dhe duke i detyruar subjektet artistike të kalojnë si top pingpongu nga një derë në tjetrën, duke çuar edhe në dështime të projekteve artistike ose në mospagesa të aktiviteteve të kryera, madje edhe të porositura nga vetë ministria siç ka qenë rasti i disa aktiviteteve të 100 vjetori që sot e kësaj dite nuk janë paguar”.
Por këtë fenomen nuk e denoncoi njeri, asnjë palë nga grupet e interesit – artistë apo intelektualë. Tani po, pasi pushteti i kaluar e mori “verdiktin” e humbjes, për të gjitha dështimet, qoftë kjo edhe në kulturë!
Mirëpo artistët janë po ata, intelektualët po ashtu të cilët asnjëherë nuk reagojnë për situata të tilla “gangrene”. Këtë herë pasi janë “vjelë” nga Ministrja e Kulturës, që siç janë parë në takime, janë të njëjtët kanë lehtësuar vendimin e arsyeshëm, për ta shkrirë Qendrën e Artit Skenik.
Pas këtij vendimi, shtesë e ndryshuar dje në projektligj, pushojnë së funksionuari këtë “strukturë” ende pa iu ndezur motorët, duke ia kaluar kompetencat sërish Ministrisë së Kulturës.
Ajo që ka sqaruar dje ministrja e Kulturës në një konferencë për shtyp, lidhej me datën 15 janar, ditë e parë e formës së re të aplikimit për projektet artistike. Por më parë, Kumbaro ka sqaruar se dikasteri që ajo drejton ngarkohet të përcaktojë mënyrën e organizimit të funksionit të një Kolegjiumi pranë MK-së, përbërë nga personalitete të fushave të ndryshme të artit dhe kulturës, të cilët do të caktohen po nga Ministria.
Skema e re që ka njoftuar Kumbaro lidhej me planifikimin dhe ndarjen e fondeve si dhe me formën e re të aplikimit për projektet artistike. Por, kanë kaluar 100 ditë nga detyra e re e Kumbaros, kohë e mjaftueshme për të mos mbajtur më konferenca shtypi mbi idetë apo vizionet.
Re. Ku.
Bie edhe Komedia, Teatër Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
Ndërsa debatet dhe ankthet në oborrin e Teatrit Kombëtar lidhen me drejtuesin e ri të saj, që sipas Kumbaros, emri do të thuhet javën që vjen, reforma preku edhe Teatrin e Komedisë.
Referuar nenit 1 të projektligjit “Për artin dhe kulturën”, ministrja ka deklaruar se prej ditës së djeshme Teatri i Komedisë do të riemërtohet Teatri Eksperimental, me emrin e aktorit “Kujtim Spahivogli”, që do të jetë i orientuar ndaj të rinjve dhe zhvillimeve më të fundit bashkëkohore në fushën e teatrit.
Prej dje, thirrje publike për projekte artistike
Dje, ishte dita e parë e hapjes zyrtare të aplikimit për fonde në Ministrinë e Kulturës për projekte artistike. Kumbaro ka bërë njoftimin duke thënë se këto fonde do të jenë transparente, po ashtu dhe menaxhimi i tyre do të bëhet publik! Kjo është një procedurë e detyruar nga institucionet publike, dhe aspak ndonjë meritë ministrash.
Po, dje është hedhur në web-in e Ministrisë ky formular, me formë të detajuar aplikimi, me udhëzues dhe pika kontakti për informacione. Gjithë këtë shpjegim ministrja e ka dhënë në mënyrë simbolike që artistët të mos trokasin me në derë të ministrit apo t’u thërrasin në biseda kafenesh, që parakupton ryshfet, miqësitë, klanet! Kështu, projektet do të dërgohen për aplikim kur Ministria të bëjë “thirrjen publike”, përcaktuar dy herë në vit.