Pas 6 ditësh Shtyhet reforma administrativo – territoriale, opozita: Mazhoranca s’ka besueshmëri në marrëveshje

0
159

Florenc Drizari

Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit

 

konferenca_kryetareve_16.1.2014(2)Konferenca e Kryetarëve miratoi dje kalendarin tre javor të Punimeve të Kuvendit dhe seanca e parë plenare për vitin 2014-të, pritet të mblidhet ditën e hënë në orën 17:00. Në rend të ditës ishte miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit 20 janar – 6 shkurt 2014 si edhe përfshirja në të e propozimit të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrative dhe territoriale në Republikën e Shqipërisë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka u shpreh se është e nevojshme të realizohet një reformë e tillë ku opozita ka qenë pjesë jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në diskutimet në parlament. “Komisionet dhe grupet e punës janë ngritur bashkërisht dhe kanë qenë të dyja palët me të drejta të plota në këto komisione, duke pasur të dyja palët të drejtën e vetos. Absolutisht, ne kemi rezervat tona, sepse na propozohet ngritja e një komisioni nga një parti që deri më sot ka treguar se nuk ka pikën e besueshmërinë në realizimin e marrëveshjeve”, deklaroi z. Paloka.

Pas konsultimeve u ra dakord që t’i lihet kohë opozitës deri të mërkurën pasdite për t’u njohur me propozimin e PS-së dhe për të dhënë mendime apo sugjerime. Më pas kjo nismë të përfshihet në kalendarin e punimeve të Parlamentit. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin nënkryetarët e Kuvendit, kryetarëve të grupeve parlamentare, kryetarëve të komisioneve të përhershme, si dhe të Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi

Z. Meta bëri me dije se si Kryetar Kuvendi e ka depozituar këtë kërkesë për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrative dhe territoriale në Republikën e Shqipërisë.

“Jemi mbledhur sot lidhur me kalendarin e punimeve për periudhën në vazhdim me rastin e hapjes së sesionit të ri si edhe për grafikun e raportimeve për disa institucione kushtetuese dhe të tjera të krijuara me ligj. Për programin e punës dhe projektkalendari në mbështetje të nenit 26 dhe 27 të rregullores është shpërndarë katër ditë më parë për të gjithë anëtarët e Konferencës së Kryetarëve. Në këtë program janë përfshirë të gjithë çështjet që janë depozituar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim, projektligje të propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe deputetë, dekrete të Presidenti si dhe propozime nga institucione të ndryshme për kandidaturat”, tha Kryetari i Kuvendit. Projektkalendari përfshin një pjesë të këtyre çështjeve dhe parashikimi në projektkalendar është bërë mbi bazën e depozitimit në Kuvend, ndërkohë që ato të depozituara më herët janë parashikuar për këtë 3-javor.

Pas futjes në procedura parlamenare të kësaj nisme të qeverisë, priten debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, edhe për faktin se kjo çështje prek një sërë ligjesh të tjera në vend, ku një ndër to është edhe kodi zgjedhor.

Edhe pse përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk kanë mbajtur ende një qëndrim zyrtar lidhur me çështjen e reformës administrativo-territoriale, në dukje demokratët kritikojnë besueshmërinë e qeverisë, duke vënë theksin tek precendenti i krijuar me ligjin e nëpunësit civil.

 

 

 

Reforma administrative, Ruçi: Të hapur për çdo sugjerim të PD-së

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste Garmoz Ruçi deklaron se PS është e hapur për çdo sugjerim që Partia Demokratike mund të bëjë për reformën administrative.

Në një prononcim për mediat pas Konferencës së Kryetarëve ai u shpreh se komisioni do të jetë bipartizan dhe se vendimet do të jenë me shumicë të cilësuar. “ Nisma jonë synon gjithëpërfshirjen partive parlamentare dhe të partive që s’janë në parlament”- deklaroi Ruçi. Aktualisht kjo reformë pritet të diskutohet në Kuvend në mesin e javës së ardhshme, për faktin se opozita kërkoi kohë deri të mërkurën për t’u njohur me propozimin  e qeverisë.

 

Berisha: Rama paraqet si sukses të 100-ditëshit një zyrë të përuruar 6 vjet më parë

Inagurimi i zyrës së punësimit në Tiranë nga Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, ka sjellë edhe reagimin e Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka sulmuar pasardhësin e tij, duke thënë se ajo zyrë ishte përuruar që në vitin 2008. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha publikon fotografi të momenteve kur ka prerë shiritin për inaugurimin e këtij shërbimi, 6 vjet më parë.

“Të dashur miq, “sot po inagurojmë një shërbim që priti 20 vite që të ndërtohej” do t’ju deklaronte shqiptarëve Edvin Kristaq Rama, tek paraqiste si suksesin perle të 100 ditëve, Zyren Rajonale të Punës për Tiranën. Mirëpo në muret e kohës ishte shkruajtur, filmuar dhe fotografuar se kjo zyrë e pajisur me teknologjinë më të lartë ishte inauguruar nga unë dhe ministri Barka me datë 30 qershor të vitit 2008. Zyra ishte ngritur ne kuadrin e një projekti të financuar nga qeveria suedeze, me të cilin u ngritën më pas 12 zyrat e punës në 12 qarqet e vendit.”- shkruan Berisha.

“Me një investim tjetër, po të qeverisë suedeze, në shkurt të vitit 2013 u inaugurua portali i “e-punësimi” që lidhej me të gjitha zyrat e qarqeve. Në portalin e “e-punësim” çdo punkërkues apo punëdhënës mund të fuste të dhënat e tij nga çdo skaj i vendit dhe çdo vend i botës për të kërkuar pune apo punëtorë. Shqipëria pra disponon një sistem dixhital modern të zyrave të punësimit.”- vijon më tej ish-kryeministri.

“Po si shpjegohet qe kryekreu inauguron për sukses të 100-ditëshit një zyrë të inauguruar 6 vjet më parë? E bene ai këtë për tu tallur me qytetarët apo veten e tij?? Jo dhe jo. Ai e bën këtë mbasi në mendjen e tij të sëmurë Shqipëria reale nuk ekziston. Zërat dhe halucinancionet e kanë zëvendësuar atë në mendjen e tij me Shqipërine e skëterrës, atë të Berishës, ndaj dhe ai do vazhdojë me këtë skenar, duke nxjerre nga skëterra e paraqitur si të vetat me qindra rruge, ujësjellësa, kanalizime shkolla, spitale të Shqipërisë reale madje jo vonë do na japë sihariqin e madh të anëtarësimit tonë në NATO apo të heqjes së vizave. Këta janë personazhe te “Fermës të derrave” të Xhorxh Orëell apo shtetit policor të neobllokmeneve shqiptare.”- përfundon Berisha.