Anxhela Tato
Të arrestuarit dhe 22-vjeçari ishin shokë dhe merreshin me prodhim dhe shitje droge
Policia, pengmarrësit e kërcënonin se nëse nuk d jepte lekët do ta vrisnin
Mbajnë peng shokun,duke e akuzuar se nuk i kishte dhënë lekët nga shitja e drogës. Saj ndërhyrjes dhe infiltrimit të policisë është bërë e mundur lirimi i pengut në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa në pranga kanë rënë tre autorët. Nga ana e policisë mësohet se 22-vjeçarit i është hequr liria nga shokët e tij, të cilët merreshin me prodhim dhe shitje lënde narkotike. Pengmarrësit pretendonin se 22-vjeçari Bledi Ulqini nuk i kishte dhënë 1000 euro nga shitja e drogës. Ata i kanë lënë një vendtakimi pengut dhe pas konfliktit e kanë çuar në një shtëpi në zonën e Babrrusë. Aty 22-vjeçari është mbajtur peng për gjatë gjithë natës nën presion psikologjik dhe dhunë fizike. Nën kërcënimin e armës tre pengmarrësit kërkonin nga 22-vjeçari që t’i jepte lekët në të kundërt do ta vrisnin. Fatmirësisht ka qenë një telefonatë anonime në polici, që ka sinjalizuar se djali po mbahej peng. Pas sinjalizimeve blutë kanë ndërhyrë duke arritur të kontaktonin me njërin nga pengmarrësit. Policia është maskuar në bisedë telefonike si vëllai i pengut, duke kërkuar vendndodhjen për të sjellë lekët. Pengmarrësit të joshur nga lekët e kanë marrë si të mirëqenë gënjeshtrën e bluve dhe në momentin që policia ka mbërritur tre autorët kanë shtangur. Pengmarrësit nuk kanë arritur të bëjnë rezistencë, ndërsa 22-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore me disa plagë të lehta. Nga ana e forcave të policisë bëhet me dije se shkaku ka qenë shuma prej 1000 eurosh që pengmarrësit pretendonin nga 22-vjeçari.
Ngjarja
Burime nga policia bëjnë me dije se pengu dhe tre autorët merreshin me aktivitet të paligjshme duke prodhuar dhe shitur lëndë narkotike. Të dyja palët kishin raport shoqëroro me njëri-tjetrin. Mësohet se pengmarrësit i kishin dhënë 22-vjeçarit Bledi Ulqini një sasi lënde narkotike për të shitur, e cila kishte vlerën e 1000 eurove. Kjo vleftë financiare nuk i është dhënë tre autorëve nga 22-vjeçari. Pengmarrësit pretendonin se 22-vjeçari i kishte marrë lekët dhe nuk i kishte dhënë shokëve pjesën që i takonte secilit. Mësohet se mes të dyja palëve ka pasur konflikt dhe debate për këtë çështje, derisa situata ka degraduar dhe autorët e kanë marrë peng. 22-vjeçari është mbajtur gjatë gjithë natës në një banesë me qira në zonën e Babrrusë. Mësohet e ai është dhunuar dhe kërcënohej se nëse nuk jepte lekët do ta vrisnin. Por ndërhyrja e menjëhershme e bluve ka bërë që i riu të fitonte sërish lirinë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Në banesë janë gjetur 50 fishekë, një armë zjarri dhe disa shkopinj. Në ngarkim të tre të arrestuarve Emirjon Lala, Flogert Mzhika dhe Erind Mzhika është ngritur akuza e heqjes së paligjshme të lirisë.
Shoqata e policëve
“Efektivët e liruar nga detyra janë oficerë karriere”
Reagon Shoqata e punonjësve të Policisë në Lirim 2013 ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dy ditë më parë në emisionin “Top–Story” në “Top Channel”. Me një deklaratë shpërndarë për mediat, shoqata përgënjeshtron deklaratën e Tahirit se oficeret e policisë të larguar së fundi nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk janë oficerë të karrierës, por militantë politikë, të cilët tanimë kanë shkuar pranë partisë së tyre. Sa më sipër, shoqata sqaron se kjo deklarate e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është krejtësisht e pavërtetë, pasi të gjithë oficerët e liruar nga Policia e Shtetit janë oficerë karriere me një përvojë pune 10–20 vjeçare ose më shumë në radhët e Policisë së Shtetit. Kjo kategori oficerësh tashmë të larguar janë pjesë e kontigjentit më të mirëtrajnuar nga misione të huaja policore si Misioni PAMECA, Programi ICITAP, përfaqësia e OSBE-së, ambasadat euro-atlantike etj, thuhet ne deklaratën e shoqatës. “Po ashtu, këta oficerë, që deri dje ishin në radhët e Policisë së Shtetit, shumica dërrmuese e të cilëve janë me arsim të lartë policor dhe profesional sipas drejtimeve që mbulonin, duke ushtruar role drejtuese dhe menaxhuese të punës së Policisë së Shtetit”.
Tiranë
Tentativë plagosje e oficerit të policisë, dyshimte për konflikt të vjetra
Është tentuar të plagoset mbrëmjen e djeshme me armë zjarri një agjent i policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fushë-Mëzez të Tiranës, rreth orës 21:30, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësit të policisë Artan Skura, 36 vjeç, banues po nga ky fshat. Fatmirësisht polici ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe plumbi vetëm sa e ka gërvishtur. Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Dyshohte se motivi i ngjarje smund të lidhte me punën e oficerit ose me konflikte të mëparshme që ai ka pasur. Ndërkohë nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe fiksuar me cilësinë e provës materiale dy gëzhoja pistolete model 54. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjykatës për Krime e Rënda Tiranë për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë të punonjësit të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.
Shkodër
Motoçikleta përplas për vdekje këmbësoren
Një 50-vjeçare, banuese në fshatin Bardhaj, komuna Rrethina në Shkodër, ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme si rezultat i një aksidenti, të ndodhur në vendin e quajtur Ura e fshatit Bardhaj. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se viktima është shtetasja B. Deda, e cila u përplas nga një motoçikletë që drejtohej nga 23-vjeçari Ardit Dumani, lindur dhe banues në Shkodër. Mësohet se edhe drejtuesi i motoçikletës është plagosur rëndë dhe është dërguar në spitalin rajonal në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Burrel
Lëviste me kallash, arrestohet i sëmuri mendor
Një 44-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Burrelit nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Ai endej rrugëve i armatosur me një kallashnikov dhe pistoletë. Blutë e Burrelit bëjnë me dije se 44-vjeçari është endacak që jeton në një barakë në lulishten e Burrelit. Atij i janë gjetur një kallashnikov, një pistoletë dhe një granatë, të cilat janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Policia bën me dije se i arrestuari vuan nga çrregullime mendore.