Pse vonohet sërish certifikimi i tokës bujqësore?

0
253

Ervin Kaduku

– 20 vjet pas nisjes së reformës në bujqësi, ende nuk funksionon tregu i tokës bujqësore, kryhen vrasje në familje për një gardh dhe pengohet zhvillimi i një sektori përparësor, ku parcelizimi është pengesa kryesore

 

f1_degradim20-jpg1358765351Që nga krijimi i komisioneve të verifikimit të titujve të pronësisë (viti 2009) dhe deri tani janë paraqitur rreth 12 mijë kërkesa në shtet nga individë dhe institucione të ndryshme. Rreth 5 mijë prej tyre janë trajtuar dhe kanë marrë zgjidhje ligjore. Po kështu, janë marrë 2.600 vendime dhe ka rezultuar se rreth 1.000 tituj pronësie kanë qenë fituar në kundërshtim me ligjin, në një sipërfaqe toke bujqësore prej rreth 630 ha.

Qeveria Rama sërish ka vendosur për një shtyrje të verifikimit të titujve të pronësisë së tokës bujqësore, duke vonuar një proces, që është vendimtar për zhvillimin e vendit.

 

Problematika

Zgjidhja e çështjeve të pronës është një problem shumë kompleks, që ka shoqëruar periudhën e tranzicionit gjatë 20 viteve të fundit. Deri tani, për sa i përket tokës bujqësore, nëpërmjet reformës së privatizimit të saj, është bërë e mundur që rreth 80% e sipërfaqes së përgjithshme, të jetë në pronësi private. Ndërkohë, rreth 95% e subjekteve (familjeve bujqësore) janë pajisur me titullin e pronësisë (Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi ose siç quhen ndryshe “tapi”), ndërsa regjistrimi fillestar i këtyre pasurive është kryer në rreth 86% të zonave kadastrale të vendit. Ky regjistrim është një parakusht që pronarët të marrin edhe certifikatën e pronësisë.

Pajisja me certifikatat e pronësisë është një domosdoshmëri, pasi ato shërbejnë për pronarët e tokës si një instrument ligjor për të kryer veprimtari të nevojshme, si transaksione, qiradhënie, garanci bankare etj. Po kështu, me pasjen e tyre rritet edhe siguria për pronën, që kërcënohet shpesh, një dukuri kjo, e hasur jo rrallë në disa zona të vendit.

Vetëm në këtë mënyrë mund të aktivizohet edhe tregu i tokës e konsolidimi i tij, pa të cilat bujqësia e vendit tonë nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive.

Procedurat

Aktualisht është ngritur dhe funksionon një Grup Pune për evidentimin e problemeve dhe përmirësimet e nevojshme të procedurave ligjore për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë. Ky grup kryesohet nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Në mesin e muajit shkurt mendohet të jenë gati një numër propozimesh të natyrës teknike, ligjore apo edhe financiare për lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit.

Komuna Frakull në qarkun e Fierit është përzgjedhur si komunë pilot. Puna aty ka filluar dhe në dy fshatra të saj ka përfunduar evidentimi rast pas rasti i dokumentacionit ligjor dhe teknik për të gjitha familjet bujqësore. Mbi bazën e përvojës së fituar, duhet të veprohet edhe në komuna të tjera të vendit dhe sidomos në zonat më të rëndësishme bujqësore.

Kush përfiton

Çdo subjekt (familje bujqësore), që disponon Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, të lëshuar nga komisionet e ndarjes së tokës në përputhje me legjislacionin përkatës, ka të drejtë të pajiset me certifikatën e pronësisë.

Afatet kohore

Problematikat janë të shumta, procesi është kompleks dhe kërkon bashkëpunimin dhe koordinimin e shumë institucioneve në nivel qendror dhe vendor. Por nga ana tjetër, finalizimi sa më i shpejtë i kësaj nisme, do të sillte një impakt shumë pozitiv dhe jo vetëm ekonomik. Megjithatë, sërish qeveria ka vendosur shtyrjen e afateve të verifikimit të titujve, pa të cilin nuk mund të çohet në fund procesi i pajisjes me certifikatën përkatëse të fermerëve.

Lidhur me vendimin e fundit për shtyrjen e afatit të verifikimit të titujve të pronësisë, ministria sqaron se kjo është ndërmarrë, duke marrë parasysh faktin se ende nuk ka përfunduar shqyrtimi i kërkesave apo ankesave të paraqitura nga individë apo institucione shtetërore, veprimtaria e të cilëve lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore. Së dyti, nuk ka përfunduar as plotësimi me dokumentacionin e pronësisë për një kategori familjesh bujqësore në disa zona të vendit, të cilat janë subjekt i ligjit, që e përdorin tokën për qëllime bujqësore, por për shkaqe të ndryshme kanë mangësi në dokumentacionin e pronësisë.

“Ndërkohë, më duhet të saktësoj që verifikimi i titujve të pronësisë nuk është pengesë për regjistrimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe pajisjen e pronarëve me certifikata pronësie”.

Procesi i verifikimit është mjaft kompleks dhe realizohet nëpërmjet bashkëpunimit të disa institucioneve si komunat/bashkitë, DAMT dhe ZVRPP të koordinuara nga komisionet vendore pranë prefektit të qarkut, ndërsa në nivel qendror nga Komisioni Qeveritar i Tokës. Ndonëse detyrat e këtyre institucioneve janë të përcaktuara qartësisht me ligj, sërish është i nevojshëm një bashkëveprim më i mirë i tyre dhe në kontekst është thelbësore që prefektët të luajnë një rol shumë më aktiv.

 

Vështirësitë

Ende mbetet për t’u verifikuar një numër i konsiderueshëm titujsh pronësie, kryesisht në territoret e ish-NB-ve dhe zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, sidomos në zonën bregdetare të vendit.