Florenc Drizari
Kreu i PD-së: Kavaja është për Shqipërinë dhe demokracinë, Meka dhe Betlehemi i saj
Demokratët kremtuan dje 23-vjetorin e krijimit të degës së Partisë Demokratike në qytetin e Kavajës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, shprehu mirënjohje të veçantë për themeluesit e PD-së që sipas tij, e shndërruan këtë qytet në një monument të madh frymëzues të kurajos civile dhe të sakrificës për liri. Z. Basha tha se Kavaja u përball e para me regjimin komunist që në vitin 1990, me parulla të padëgjuara më parë dhe që më vonë, u bënë pararoja të lëvizjeve antikomuniste në Shqiëpëri. Duke bërë një krahasim, kreu i opozitës tha se Kavaja është për Shqipërinë dhe demokracinë, Meka dhe Betlehemi i saj.
“Në ditët kur diktatura vazhdonte të skërmiste dhëmbët e saj të egërsuar kundër çdo shkëndije lirie, në janar të vitit 1990, në muret dhe mjediset e shkollës “Medar Shtylla ” u shfaqën parullat e reja të lirisë dhe demokracisë, që nuk ishin parë deri atëherë në dritën e diellit: “Enver-Hitler”, ”Liri-Demokraci”!”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Në fjalën e tij kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, nuk la pa përmendur edhe figurat e para që mbështetën demokracinë në Shqipëri dhe që u bënë frymëzim për krijimin e partisë Demokratike.
Basha tha se Kavaja hyri e para si komunitet i bashkuar dhe me solidaritet e mbështetje me njeri-tjetrin, në Partinë Demokratike të Shqipërisë, në partinë e krijuar në Tiranë nga studentët e dhjetorit, udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari dhe intelektualët kurajozë, të shquar të kohës, me në krye Sali Berishën, i cili jo rastësisht bashkon në personalitetin dhe karrierën e tij të gjatë, të qënurit njëkohësisht lider historik i PD-së dhe deputet historik i Kavajës.
Duke lançuar bashkimin, hapjen dhe kthimin, Basha theksoi se “Partia Demokratike është partia e gjithë demokratëve, të çdo periudhe dhe brezi, është shtëpia e lirë e demokratëve të çdo periudhe dhe brezi, është shtëpia e lirisë e cilido që dëshiron të kontribuojë përmes saj apo duke e mbështetur atë për Shqipërinë europiane, për demokracinë pjesëmarrëse”.
Për Ramën
Duke folur për vendimet e fundit të qeverisë dhe qendrimet e mbajtura nga Kryeministri Edi Rama, z. Basha tha se ai vazhdon të prodhojë tensione në shoqëri dhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë. “Injorimi i këtyre vlerave dhe zëvendësimi i tyre nga Rama me egoizmin e vjetër të “njëshit”, me arbitraritetin dhe arrogancën e një pushtetari të vulës më të vjetër, ka prodhuar e vazhdon të prodhojë tensione të mëdha midis qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, midis qeverisë dhe opozitës, midis qeverisë dhe sipërmarrjes, midis qeverisë dhe partnerëve e aleatëve tanë strategjikë”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Tritan Shehu: Kavaja, simbol i demokracisë në Shqipëri
“Kavaja ka qenë simbol i lëvizjes demokratike e antikomuniste në Shqiperi, shumë më herët”,-kështu e shprehet ish-deputeti i Kavajës, Tritan Shehu, për 23-vjetorine themelimit të PD-së në këtë qytet. Edhe pse thotë se data e kësaj ngjarjeje ishte pak javë më parë, z. Shehu falënderon të gjithë bashkëpunëtorët dhe demokratët në Kavëjë, duke i cilësuar ata si përfaqësues të qytetit simbol të demokracisë në Shqipëri. “Ngjarjet e atëhershme në Kavaje ishin një sinjal shprese e optimizmi për të gjithë shqiptarët, shumë më shpejt së fillimi i lëvizjes studentore. Rastesisht u vura në dijeni për këtë ceremoni të organizuar sot në sallën e Kinoteatrit. Sa takime kemi organizuar në atë sallë në vitë! Me kujtohet sot ai i shkurtit të 1991-së bashku me Berishën pikërisht aty, tensionet e entusiazmi i asaj ditë, gazetarët e huaj të mahnitur. Si ish-deputet i PD-së Kavajës dëshëroj të përshëndes të gjithë ata që bashkëpunuam sëbashku në ato vite. Ata që i qëndruan dhunës e terrorit të ‘97, edhe në mbrojtje të Tiranës. Të gjithë militantet, anëtarët e PD, të gjithë miqtë e mi aty, të gjithë popullin demokrat të Kavajës. Dhe të rinjtë e sotëm, të cilëve dëshiroj t’u keshilloj që duhet të mësojnë edhe njohin historinë e PD të atij qyteti simbol, për të kuptuar se “jeta” nuk fillon sot!”,-ka shkruar Tritan Shehu në profilin e tij në “Facebook”.
Ngjarja në Mamurras, PD akuza për mungesë transparence, reagon ministria
Partia Demokratike përfaqësuesit e ministrisë së Brendshme si dhe krerët e policisë për fshehjen e njftimeve për raportime të krimeve në vend. Në një deklaratë për median, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi akuzoi sot Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit se kanë fshehur për tre ditë një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Mamurras, ku brenda postës së policisë është plagosur një shtetas. “sipas të dhënave të sigurta dhe referuar asaj që raporton sot media, protagonistët e ngjarjes kanë shkuar në zyrat e policisë për të gjetur siguri, pas konfliktit që kanë pasur. Por në prani të punonjësve të rendit, njëri nga shtetasit e përfshirë në ngjarje ka qëlluar me armën e tij, duke plagosur rëndë shtetasin me inicialet G.K. Duke ndjekur porosinë politike të Ministrit Tahiri, “po nuk doli në media, krimi nuk ndodh”, policia nuk e ka raportuar dhe nuk e ka bërë publike ngjarjen.”- deklaroi Vorpsi.
Sipas PD-së, “në mënyrë të përsëritur, dhe çdo ditë, po zbardhen krime që policia e Tahirit i mban të fshehta”.
“Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të ushtrojë përgjegjësitë e saj për të siguruar rendin, të bëjë transparencë e të zbatojë ligjin, dhe të qëndrojë larg lojërave politike të Ministrit e Kryeministrit për të transformuar realitetin e rëndë kriminal. Sepse realiteti nuk fshihet dot. Përpjekje të tilla vetëm sa e shtojnë edhe më shumë pasigurinë publike, stimulojnë krimin, dhe ulin edhe më shumë rezultatet dhe efektshmërinë e Policisë së Shtetit.”- përfundoi zëdhënësja e PD-së.
Menjëherë reagoi ministria e Brendshme që theksoi se ngjarja nuk ka ndodhur në ambientet e Postës së Policisë në Mamurras ndërsa theksoi angazhimin për transparencë ndaj publikut.