Sonja Caka
Drejtori Zoto: Shqetësim dhe problematikë, rritja e mbipopullimit të burgje, duhet ndërhyrë
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka lëshuar akuza të rënda ndaj drejtuesve të mëparshëm të sistemit të burgjeve, lidhur me akordimin e lejeve shpërblyese apo të veçanta në mënyrë abuzive. Sipas tij lejet janë dhënë pa kriter dhe prej tyre kanë përfituar të dënuar që nuk e meritonin. Ministri u është referuar vetëm lejeve të dhëna në 9-mujorin e parë, nga muaji janar deri në shtator të vitit 2013, ku, sipas tij, numërohen 1300 leje shpërblyese dhe 1200 të veçanta, të dhëna në mënyrë abuzive. “Në një periudhë 6-mujore, janar-korrik 2013, janë dhënë rreth 1300 leje shpërblyese dhe rreth 250 leje të veçanta, ku vetëm për muajin maj janë dhënë rreth 350 leje, si dhe sende të ndaluara, rreth 1000 celularë, që janë tregues i qartë i një sistemi të kalbur. Ne jemi të vendosur që në çdo rast të respektojmë të drejtat dhe liritë e personave që vuajnë dënimin në këto institucione, por jemi po kaq të vendosur që të luftojmë në çdo rast korrupsionin qoftë politik, apo edhe elektoral”, – u shpreh ministri gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Më pas, ministri renditi të mirat që sjell zbatimi i dënimeve alternative dhe roli i Shërbimit të Provës dhe Mbikëqyrjes Elektronike, duke u shprehur se do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të mbipopullimit dhe do të ndihmonte në riintegrimin e personave të dënuar. Ndryshimi i ligjit “Për trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”, nxitja e punës së të dënuarve, dhënia me rigorozitet e masave disiplinore, trajnimi i stafit policor janë disa nga mjetet më efikase që janë përdorur muajt e fundit në DPB.
Risia
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimin e Provës kanë parashikuar të ngrenë një Komitet për Politikat Penale. “Nxitja e punës te personat që vuajnë dënimin, si një koncept jo ndëshkues, por motivues, si dhe përmirësimi i rregullave të shpërblimit të punës së kryer prej tyre, do të jetë ndër angazhimet tona, mes iniciativave nënligjore, për 6-mujorin e parë të vitit 2014. Për realizimin e nismave ligjore, si dhe masave zbatuese në funksion të tyre, duhet një bashkërendim i punës me Shërbimin e Provës, me fokus ngritjen e një Komiteti për Politikat Penale”, – bëri me dije ministri Naço, duke shtuar se “objekt i punës së këtij Komiteti do të jetë rritja e ndërmjetësimit me institucionet e prokurorisë dhe gjykatave për shtimin e numrit të masave alternative të dënimeve, për personat që kryejnë kundërvajtje penale, apo vepra penale të konsideruara me më pak rrezikshmëri shoqërore”. Po ashtu, sipas ministrit, do të konsolidohet rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë e Shtetit, për sa i përket koordinimit të punës, shkëmbimit të informacionit dhe mbikëqyrjes së shtetasve të privuar nga liria, të cilët përfitojnë leje shpërblyese apo te veçanta. Një tjetër objektiv i Ministrisë së Drejtësisë është edhe mundësia e zgjerimit të sistemit të mbikëqyrjes elektronike, me synimin e shtrirjes në të gjithë vendin. Për personat, të cilëve u është aplikuar një masë alternative ndaj dënimit me burgim, mbikëqyrja elektronike synon të jetë një zgjidhje, në të njëjtën kohë dhe një mekanizëm, që synon të garantojë zbatimin korrekt të vendimeve gjyqësore.
Problematika
Mbipopullimi i burgjeve vazhdon të mbetet një problematikë e prekshme në sistemin e burgjeve dhe për këtë arsye është kërkuar shpesh që të zbatohen dënimet alternative apo Mbikëqyrja Elektronike. Sipas statistikave të servirura nga drejtori Artur Zoto, për periudhën janar-dhjetor 2013, janë trajtuar mesatarisht 5400 të dënuar/paraburgosur në të gjitha IEVP-të, kundrejt 4850 gjatë vitit 2012. “Krahasuar me vitin 2012, gjatë vitit 2013 janë trajtuar 11.3% më shumë. Sipas të dhënave statistikore, mbipopullimi për vitin 2013, ka qenë në shifrën e 935 personave ose 20.6%, mbi kapacitetin aktual të institucioneve të ekzekutimeve të vendimeve penale, të cilat në total kanë kapacitet për 4537 të burgosur”, – u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. “Vazhdon të ngelet problem mbipopullimi i lartë i të dënuarve dhe të paraburgosurve në disa IEVP. Ky fenomen detyrimisht sjell pasoja në drejtim të reduktimit të kohës së ajrimit, kohës së takimit me të afërmit, të trajtimit individual të të dënuarve apo paraburgosurve nga ana e punonjësve të kujdesit social dhe ligjor. Mbipopullimi sjell pasoja edhe në drejtim të transferimit të dënuarve nga paraburgimet dhe komisariatet në institucione më pak të mbipopulluara, larg vendbanimit të familjarëve të tyre. Aktualisht, mbipopullimi është në shifra që s’ka njohur ndonjëherë dhe historia e vet institucionit”, – u shpreh z. Zoto.
Reagimi
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, z. Clive Rumbold, në fjalën e tij u shpreh se sistemit penitenciar në Shqipëria i janë akorduar 60 milionë euro, nga të cilat 40 milionë për infrastrukturën në burgje dhe 20 milionë për trajnimin e stafit dhe mbështetjen teknike. “Megjithatë, këto nuk kanë mundur të çojnë në një përmirësim të situatës, pasi për këtë duhet të kontribuojnë edhe aktorët e tjerë institucionalë. Duhet të luftohet korrupsioni nga brenda sistemit penitenciar dhe të vendoset ligji, pasi ky është edhe misioni i drejtësisë. Ne do të inkurajonim përdorimin e Shërbimit të Provës, që mund të jepte një ndihmë në përmirësimin e situatës së mbipopullimit në burgje”, – tha Rumbold.
Elbasan
Vrasja e dyfishtë, Blerim Eshja dënohet me burg përjetë
Vrasja e dy dasmorëve në një ceremoni mortore në një fshat të Elbasanit u ka kushtuar një burgim përjetë dhe 25 vite burg vëllezërve Edmond dhe Blerim Eshja. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i trupës gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit për dy të pandehurit Eshja, të akuzuar për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim. Kërkesa e akuzës ka ardhur, pasi përfaqësuesi i akuzës foli për dinamikën e ngjarjes dhe renditi provat që dispononte, të cilat provonin fajësinë e të pandehurve. Sipas vendimit, nga të gjitha veprimet hetimore, provohet plotësisht fakti kriminal se i pandehuri Edmond Eshja, në bashkëpunim me vëllain e tij, të pandehurin Blerim Eshja, ka konsumuar veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, me viktima shtetasit Pëllumb Belegu, Maringlen Dushku dhe i plagosur rëndë i dëmtuari Mondi Dushku (“Vrasje në tentativë” për Mondi Dushkun), krim ky i parashikuar nga nenet 79 pika “dh” dhe neni 25 i Kodit Penal. Sipas organit të akuzës, provohet plotësisht fajësia e të pandehurve Edmond Eshja dhe Blerim Eshja për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave me viktima shtetasit Pëllumb Belegu, Maringlen Dushku, dhe plagosur rëndë i dëmtuari Mondi Dushku.