Takimi i dy kryeministrave Milanović: E padrejtë që Serbia të hapë negociatat e Shqipëria jo. Rama: Kroacia, shembulli ynë

0
120

Gëzim Saliu

Rama: Prapavijat në BE na ndëshkuan për statusin, nuk do të mbyllim ambasadën në Kroaci

 Kreu i qeverisë kroate: Kemi suficit të madh, interes tek rritja e eksporteve të Shqipërisë

 

rama dhe milanovicNë vizitën e parë për vitin 2014-ën në selinë e qeverisë, Kryeministri Rama priti dje me një ceremoni zyrtare homologun kroat Zoran Milanović, ku temë kryesore diskutimi ishte integrimi evropian dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi Kroacinë si një model suksesi për rajonin dhe shembull frymëzues për Shqipërinë në kuadër të rrugës së anëtarësimit në strukturat evropiane. “Kroacia është një histori suksesi për të gjithë rajonin dhe pa as më të voglin dyshim edhe për ne. Ne besojmë se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian dhe, paralelisht, edhe marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë janë dy ngjarje të mëdha, në funksion të një kohe të re për rajonin tonë”, – tha Rama. Ndërkohë, Kryeministri kroat, duke shprehur mbështetjen e plotë të shtetit që ai përfaqëson për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, bëri të ditur se statusi i kandidatit duhej të ishte marrë që në muajin dhjetor. Sipas Milanovićit, nuk është e drejtë që Serbia ka hapur negociatat me BE-në, edhe pse Kroacia e mbështet këtë proces, dhe ndërkohë Shqipëria nuk ka marrë ende statusin e kandidatit. “Kur ju flisni për mbështetjen tonë ndaj Shqipërisë për kandidaturën e saj në BE, kjo nga ana e jonë është e sinqertë. Po aq e sinqertë sa ka qenë mbështetja jonë ndaj Serbisë. Nuk e konsideroj të drejtë faktin se Serbia i ka filluar negociatat për anëtarësim, gjë që e kemi përkrahur, ndërkaq që Shqipëria nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim. Pra, qëndrimi ynë është se Shqipëria, si edhe vendet tjera të rajonit, do të duhet që sa më parë të fitojë statusin e kandidatit dhe të filloj negociatat me BE-në. Ky është qëndrimi ynë aktual dhe i tillë do të mbetet edhe më tej”. Nga ana e tij, Rama theksoi edhe një herë se arsye kryesore sipas tij për mos marrjen e statusit të vendit kandidat ishin qarqet ekstreme brenda dhe jashtë BE-së. “Prapavijat funksionuan, fatkeqësisht, në dëm të marrjes së këtij vendimi. Por nga ana tjetër, jam i bindur se gjithsesi, ky proces për ne mbetet, në radhë të pare, një proces që është i domosdoshëm, si proces modernizimi, demokratizimi dhe evropianizimi në Shqipëri”, – deklaroi ai.

 

Ekonomia

Sipas Kryeministrit shqiptar, qeveria që ai drejton është e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me Kroacinë, në të gjitha planet. “Sigurisht, që ne konsiderojmë edhe pjesëmarrjen e përbashkët në projektin shumë të rëndësishëm të TAP-it në vendet e Jonit dhe Adriatikut si një nismë me potencial të lartë jo vetëm për zhvillimin energjetik, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Po ashtu edhe profili “maritim” i dy vendeve dhe ky bekim që dy popujt tanë kanë duke ndarë një vijë të mrekullueshme bregdetare të Mesdheut përbëjnë një tjetër arsye të fortë për të bashkëpunuar së bashku dhe për të lexuar së bashku perspektivën tonë në këtë rajon”, – tha ai. Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve kroatë lidhur me mundësinë e mbylljes së Ambasadës Shqiptare në Kroaci, Rama iu përgjigj duke theksuar: “Ne jemi në një proces reformimi të shërbimit tonë diplomatik. Jemi në një proces racionalizimi të burimeve tona. Do të ketë shkurtime, por në funksion të forcimit të prezencës sonë dhe të lidhjeve tona me pjesën më të madhe të vendeve. Kroacia është një nga këto vende, ku ne duam ta forcojmë më shumë prezencën”. Ndërkohë, kreu i qeverisë kroate bëri të ditur se midis dy vendeve ka shumë hapësira bashkëpunimi. “Kjo hapësirë për bashkëpunim është shumë më e madhe seç e kemi aktualisht. Në këmbimet ekonomike unë do të thosha se Kroacia është duke realizuar një suficit tepër të madh, kurse unë mendoj se është interes i përbashkët që të rriten eksportet e Shqipërisë”.

 

 

Presidenti

Nishani: Kroacia, aleate e rëndësishme e Shqipërisë në rajon

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të vizitës zyrtare që ai por zhvillon në Shqipëri. Kreu i shtetit e cilësoi këtë vizitë me rëndësi shumëdimensionale, sepse Kroacia sipas tij është një vend mik, bashkudhëtare në procesin e anëtarësimit në NATO dhe një bashkëpunëtore e afërt në procesin e integrimit evropian. “Kroacia është një aleate e rëndësishme për Shqipërinë në rajon, dhe, për këtë arsye, ne i kushtojmë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve tona me këtë vend”. Sipas Nishanit, Shqipëria e konsideron anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, si një portë më afër Evropës për vendin tonë, ndërsa shprehu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë më fort Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Kreu i shtetit, më tej, vlerësoi lart edhe mbështetjen kroate ndaj gjithë rajonit, duke theksuar se Procesi i Bërdos, ku Kroaci ka rol drejtues, po i shërben rritjes së frymës së dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me vendet partnere të BE-së. Nga ana e tij, Kryeministri Milanović, e siguroi Presidentin se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë fort Shqipërinë në integrimin evropian dhe vuri në dukje se, sipas vlerësimit të tij, Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE.

 

 

Mbledhja e KQZ-së

Si shpërndahen 190 milionë lekë për partitë politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së djeshme shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota pro projektvendimin “Për shpërndarjen e fondeve vjetore, partive politike për vitin 2014”. KQZ vendosi të shpërndajë fondin prej 190 milionë lekë, partive politike për vitin 2014, ku në vend të parë qëndron PS me 75.938.521 lekë e pas saj vjen PD me 59.441.771 lekë. Ndërsa 22.837.891 lekë KQZ ka dhënë për Lëvizjen Socialiste për Integrim e 9.779.951 lekë për PDIU. Pjesë e fondit për partitë, janë edhe republikanët me 8.893.981 lekë, PBDNJ me 6.392.441 lekë, PKDSH 6.392.441 lekë dhe FRD me 323.000 lekë. Pjesë e mbledhjes së djeshme të KQZ-së ishin gjithashtu edhe projektvendimi “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, në Qarkun e Lezhës, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të znj. Mejreme Delishi”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun Lezhë, znj. Mirela Neli (Syku). Gjithashtu, u miratua edhe projektvendimi “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në Qarkun e Durrësit, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit Lefter Koka”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në Qarkun Durrës, znj. Silvana Maksuti.