Ervin Kaduku
BERZH ul më tej parashikimin për rritjen ekonomike: vetëm 0.3%
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) sapo ka publikuar raportin më të fundit mbi parashikimin e ecurisë së ekonomisë botërore. Për herë të parë, Banka ka parashikuar një rritje minimale për ekonominë e vendin tonë. BERZH pret që ekonomia shqiptare të shënojë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për këtë vit me vetëm 0.3%. Ky është një reduktim shumë i ndjeshëm në raport me parashikimin e fundit të saj, që i përket muajit tetor. Banka e kishte ulur edhe më tej parashikimin e saj për Shqipërisë, duke e zbritur në 1.2% nga 1.5%.
Sipas raportit, sfidat fiskale janë të ashpra, ndërkohë që borxhi publik në nivelin 67% deri tani përbën një problematikë për ekonominë.
Nga ana tjetër, shqetësim mbetet edhe niveli i lartë i kredive me probleme, në nivelin prej 25% të totalit të kredive të sistemit bankar.
Papunësia
Ndërkohë, sinjale negative po vijnë edhe nga sektori i punësimit. Gjatë tremujorit të tretë 2013, sipas vlerësimeve të marra nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP), numri i të punësuarve për moshat 15-64 vjeç̧ në Shqipëri ishte 928.456 persona, njoftoi dje INSTAT. Ndërsa numri i personave të papunë 15-64 vjeç̧, sipas ATFP-së, vlerësohet të jetë 188.944 persona.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013 shkalla e papunësisë pësoi një rritje prej 1.1%.
Shkalla e papunësisë për popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç̧ ishte 16,9%.
Gjatë tremujorit të tretë 2013 në Shqipëri 58,7% e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune. Ndërsa shkalla e punësimit, e cila tregon përqindjen e të punësuarve ndaj popullsisë në moshë pune, ishte 48.8%.
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç̧ shkalla e papunësisë ishte 26.9%, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç̧ ishte 14%.
Te meshkujt papunësia është pranë nivelit 19%, ndërsa te femrat në shkallën 13.4%. Akoma më shqetësuese janë të dhënat për grup-moshën nga 15 deri në 29 vjeç, ku mbi 30% e meshkujve dhe afro 22% e femrave janë të papunë.
Këto të dhëna tregojnë se rritja e ekonomisë nën potencialet e veta po reflektohet në rritje të papunësisë dhe ulje të punësimit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2013, punësimi në ekonomi pësoi një rënie të fortë me 6.3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sektorët më të goditur ishin ndërtimi dhe shërbimet e tregut, ndërsa i vetmi segment ku punësimi njohur rritje ishte industria nxjerrëse.
Vlen për t’u theksuar se të vetëpunësuarit dhe të punësuarit pa pagë në bizneset familjare përbëjnë mbi 58% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Ndërkohë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ngelet e ulët veçanërisht për femrat. Afro gjysma e femrave në moshë pune dhe të afta për punë, por që nuk janë në kërkim të një pune.
Tregtia e jashtme, vetëm Bosnjës ia kalojmë për eksport
Serbia, Maqedonia, Mali i Zi e kanë treguesin e eksporteve ndaj PBB-së mesatarisht 10 pikë përqindjeje më të lartë se Shqipëria
Pavarësisht nga rritja e fortë e eksporteve shqiptare gjatë vitit të fundit, ato mbeten nën nivelin rajonal, të krahasuara me prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Sipas tabelave të raportuara nga Komisioni Evropian, eksportet në raport me PBB-në për Shqipërinë në 2013 parashikohet të arrijnë në vlerë në rreth 33% të Prodhimit kombëtar. Për fqinjin Maqedoni ky tregues është shumë më i lartë se në Shqipëri, duke arritur në rreth 54%. Eksportet kryesore të Maqedonisë vijnë nga industria e metaleve e tekstileve. Edhe Serbia dhe Mali i Zi paraqesin nivel më të lartë shitjesh jashtë vendit në raport me prodhimin e përgjithshëm, me nga 44% secili. Bosnjë Hercegovina është shteti i vetëm në rajon, që ia kalon Shqipëria, me një raport prej 30% të eksporteve ndaj PBB-së. Eksportet shqiptare shënuan një rritje të ndjeshme prej 16% për 11 mujorin 2013, por ky zgjerim ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e grup-mallit “lëndë djegëse minerale energji”, pra kryesisht shitja e produkteve të papërpunuara të natyrës shqiptare (naftës) dhe nga tekstilet e këpucët, që kanë vlerë të shtuar të ulët, duke i bërë eksportet vendase të paqëndrueshme dhe me pak ndikim në rritjen ekonomike të vendit e hapjen e vendeve të reja të punës.