Anxhela Tato
Policia: 100 gr lëndë plasëse para derës, shenjë paralajmërimi për Lulzim Haxhinë
Dyshime se autori i ngjarjes mund të jetë ndonjë nga të burgosurit, kërkohen tabulatet telefonike
Lëndë plasëse banesës së kreut të policisë së burgut të Fushë-Krujës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, kur është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm. Familjarët, të trembur, kanë dalë me nxitim nga banesa, e cila ka pësuar vetëm dëmtime materiale. Ndërsa fqinjët, të alarmuar kanë njoftuar policinë, që ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat e para të bluve mësohet se lënda plasëse ka qenë e një sasie të vogël dhe e pozicionuar para derës së banesës së Lulzim Haxhisë në Kamëz. Dyshimet e para janë ngritur se kjo ngjarje mund të ketë të bëjë me detyrën e Haxhisë. Ndërkohë, janë kërkuar tabulatet e bisedave telefonike, për të provuar nëse Haxhia ka pasur kërcënime. Gjithashtu, pritet marrja në pyetje e gardianëve të burgut nëse shefi i tyre ka pasur probleme ose mosmarrëveshje me ndonjërin nga të burgosurit apo nëse ka shfaqur shenja stresi nga ndonjë shqetësim. Blutë kanë marrë copëzat e mbetura të lëndës plasëse, të cilat do t’i nënshtrohen analizës shkencore për të zbuluar nëse ka gjurmë gishtash. Gjithashtu, në pyetje janë marrë edhe fqinjët, të cilët kanë rrëfyer se ishin në gjumë dhe nuk kanë ndier zhurma të dyshimta. Vetë familjarët kanë mohuar të kenë probleme ose konflikte me ndonjë person. Të pyetur nga blutë, familjarët kanë rrëfyer se në orën kur ndodhi ngjarja, ishin në gjumë. “Nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë që të na bënte të dyshonim. Ne kemi qenë në gjumë, pasi ishte ora 2 e mëngjesit, kështu që nuk kemi pasur mundësi që të shikonim ndonjë lëvizje të dyshimtë. Kemi dëgjuar vetëm një shpërthim që na alarmoi, pasi ishte shumë afër. U zgjuam me vrap dhe sapo hapa derën, u fut vetëm tym brenda. Nuk kemi probleme me askënd”, – është shprehur një nga familjarët.
Hetimet
Nga ana e forcave të policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë duke u zhvilluar hetimet për zbulimin e autorit të atentatit ndaj kreut të policisë së burgut të Fushë-Krujës. Dyshimet e para e lidhin këtë ngjarje me profesionin dhe detyrën e Lulzim Haxhisë. Sipas bluve, pas kësaj ngjarjeje mund të fshihet ndonjë nga të dënuarit, i cili ka dashur të trembë Haxhinë për ndonjë situatë që mund të jetë krijuar në burg. Sasia e vogël e lëndës plasëse tregon se ngjarja ka si qëllim që të paralajmërojë Haxhinë. Bëhet fjalë për një sasi prej 100 gramë lënde plasëse të llojit tritol. Vetë shefi i policisë është shprehur se nuk ka asnjë konflikt dhe as përplasje me ndonjë nga të burgosurit. “Nuk kam asnjë konflikt me kolegë ose të burgosur, me këta të fundit kam raport konstant pune. Nuk kam pasur as kërcënime dhe as shqetësime, por dyshoj se ngjarja mund të jetë e lidhur me detyrën time”, – pjesë e dëshmisë së Lulzim Haxhisë para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Vlorë
Sekuestrohet gomonia, do të përdorej për trafik droge në Greqi
Një gomone, e cila dyshohet se do të përdorej për të trafikuar lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, është sekuestruar nga policia e Vlorës. Gomonia është sekuestruar ditën e djeshme nga strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe Delta Forcë, në vendin e quajtur Shpella e Haxhi Aliut, falë alternimit të shërbimeve detare dhe atyre tokësore. Ndërkaq, është arrestuar edhe drejtuesi i këtij mjeti, i cili është shtetasi Chrysanthos Zavitsanos, 47 vjeç. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Vlorës, ndërsa mësohet se gomonia është me gjatësi 9.5 metra, e pajisur me dy motorë të fuqishëm “Yamaha”, 350 kuaj fuqi secili. Sipas policisë së Vlorës, “mjeti lundrues ishte furnizuar me karburant dhe kishte ardhur nga ujërat greke, dhe mendohet se do të përdorej për të trafikuar lëndë narkotike në drejtim të Greqisë”. Ndërkaq, bëhet me dije se po kryhen veprime procedurale dhe hetime të mëtejshme.
Policia
Parandalohet grabitja, arrestohen 3 persona
Policia e kryeqytetit ka mundur të arrestojë 5 persona të dyshuar si autor të grabitjeve me dhunë dhe armë në kryeqytet. Me operacionet “Mesnata” dhe “Navigatori III”, janë arrestuar shtetasit Mikel Koprella, 24 vjeç; Dedë Korriku, 19 vjeç; Arjan Cikollari, 43 vjeç; Ardjan Berezi, 43 vjeç; Ingrid Zeqo, 33 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Erald Kurtaj, 23 vjeç. Veç të arrestuarve janë dhe provat materiale të sekuestruara nga uniformat blu të komisariatit numër 2. Janë pikërisht këto sende të sekuestruara gjatë operacioneve, ku automatikë, kapuça, doreza, e sende të tjera të përdorura gjatë grabitjeve po analizohen në laboratorët e kriminalistikës për të parë nëse janë përdorur në ngjarje të tjera. Sipas policisë, operacionet janë kryer në kryeqytet në rrugën “Medar Shtylla” dhe në zonën e Porcelanit, ndërsa të dyshuarit janë kapur në flagrancë.
Berat
Pranga kreut të bandës së Vakëfit, vrau Festim Sallarin
Arrestohet në Berat kreu i një bande që vriste e grabiste në vitin 1997 në këtë qytet. Sipas policisë, Bashkim None, 45 vjeç, nga Kuçova, kreu i bandës së Vakëfit është vënë në pranga gjatë ditës së djeshme, pasi akuzohet për vrasjen e Festim Sallarin dhe plagosjen e Altin Zhurit e Jaçe Hajdinit. Kjo ngjarje mësohet se ka ndodhur në 25 prill të vitit 1997 dhe tre personat, udhëtonin me një fugon në rrugën Berat-Skrapar. Siç bëhet e ditur, None bashkë me bandën e tij kishin zënë pritë mjetit por ai nuk kishte ndaluar. Në këtë situatë ata kanë qëlluar ndaj mjetit duke lënë të vdekur Festim Sallarin dhe dy të plagosurit. Arrestimi është bërë nga sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Beratit, pas lëshimit të urdhrit nga ana e prokurorisë së këtij qarku.
Interpol
Ishte dënuar me 3 vjet burg, ekstradohet Sadik Sylisufaj
Pasditen e djeshme u ekstradua nga Roma shtetasi shqiptar, Sadik Sylisufaj, 27 vjeç, nga Tropoja. Kjo, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, me një vendim të tre vjetëve e gjysmë më parë e ka dënuar Sadik Sylisufajn me 3 vjet e 6 muaj burg. Në fshatin Gri, Sylisufaj, duke udhëtuar me automjetin me targa TR 0513 E, ka aksidentuar automjetin me targa 547 KS 182 që drejtohej nga shtetasi Eljon N.. Gjatë këqyrjes së automjetit të Sadik Sylisufajt, është gjetur një granatë dore. Ekstradimi u krye nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën. Po falë këtij bashkëpunimi, më datë 13.11.2013, në Bari, Itali, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Zija Shaba. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky shtetas u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.