Komisioni i Sigurisë Kombëtare Qefalia kërkon raportimin e kreut të SHISH-it, Noka, interpelancë me Tahirin për vrasjet në kufi

Florenc Drizari

 

 Spartak Braho: Me këto televizionet është bela e madhe, nëse do të kenë gjëra të sakta, do t’i verifikojmë

 

 komisioni i sigurise spatak brahoKreu i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ministri i Brendshëm pritet të raportojnë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit, deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, kërkoi që kreu i SHISH-it të raportojë para deputetëve për emërimet e fundit në këtë institucion. Kërkesën e tij deputeti socialist e mbështeti referuar një emisioni investigativ për lëvizjen e funksionarëve të shërbimit sekret. “Jemi njohur nga një emision investigativ, ku bëhet fjalë për lëvizjet pa kriter në Shërbimin Informativ Kombëtar. Si anëtar i Komisionit të Sigurisë, do të doja që kryetari i SHISH-it të vijë pranë Komisionit dhe të informojë për problematikat që ka paraqitur media”, – deklaroi Qefalia. Nga ana e kryetarit të Komisionit, Spartak Braho, u kërkua një verifikim më i hollësishëm i të dhënave dhe fakteve që shfaqen në emisionet investigative në Shqipëri. “Tani me këto televizionet është bela e madhe. Nëse do të kenë gjëra të sakta, do t’i verifikojmë e do t’i shqyrtojmë, por nuk mund të vihemi ne në lëvizje nga një emision, qoftë “Fiksi”, qoftë “Alarmi””, – deklaroi Braho. Ndërkaq, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, e quajti këtë kërkesë një tendencë të mazhorancës për të ndikuar politikisht në institucionet e pavarura. “Kjo është në kuadrin e një strategjie për të sulmuar të gjitha institucionet e pavarura dhe kushtetuese nga ana e mazhorancës, por përpara se të flitet për lëvizje në një institucion të pavarur, i cili vepron mbi bazën e ligjit, të diskutojmë për lëvizjet dhe masakrën që është bërë në organizatën policore dhe në strukturat e tjera shtetërore”, – deklaroi Noka. Gjithashtu, deputeti i Partisë Demokratike kërkoi praninë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në Komisionin e Sigurisë për të raportuar lidhur me vrasjen në fund të vitit që shkoi të dy shqiptarëve në kufi me Greqinë. “Duhet të biem dakord që përpara se të flitet për një ndryshim apo një tjetër, ne e kemi lënë që javën që vjen ministri i Brendshëm me gjithë menefregizmin që e karakterizon në lidhje me vrasjet e dy shqiptarëve në kufi nga autoritetet greke, duhet të vijë dhe të raportojë këtu. Për këtë arsye ne jemi këtu. Opozita ka rënë dakord me kryetarin e Komisionit që ministri të vijë në datën 28 dhe të tregojë dhimbje dhe respekt për ata dy shqiptarë të vrarë. Të vijë e të bëjë detyrën, sepse nuk janë vrarë dy lepuj, por janë vrarë dy shtetas shqiptarë. Pastaj të flitet për gjëra të tjera”,- deklaroi Flamur Noka. Më herët, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka raportuar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare lidhur me gjendjen e rezervave të shtetit për përballimin e fatkeqësive natyrore si dhe situatën e rendit publik. Seancat me ministrin Tahiri janë shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, lidhur me situatën e sotme të sigurisë, krahasuar me situatën e kaluar gjatë qeverisjes së djathtë.

 

 

Miratohet Konventa për Sigurinë me Gjermaninë

 Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë”, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit, veçanërisht kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit, prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, trafikimit të armëve, migracionit ilegal dhe trafikut të paligjshëm të personave.

Gjithashtu, Komisioni miratoi dhe për projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e TAMPERES “Për sigurimin e burimeve të telekomunikacionit për zvogëlimin e fatkeqësive dhe operacionet e ndihmës”.

Konventa synon zvogëlimin e barrierave rregullatore në rastet e dhënies së ndihmës ndërkombëtare, mbrojtjen e interesave të palëve kërkuese dhe ofruese të ndihmës, si dhe mbrojtjen e ofruesve të asistencës së telekomunikacioneve, gjatë qëndrimit të tyre në vendet kërkuese, duke ruajtur të drejtën e palës kërkuese për mbikëqyrjen e asistencës. Konventa parashikon krijimin e marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet ofruesve të ndihmës dhe shtetit kërkues ose marrës të ndihmës, në rast të fatkeqësive.

 

 

Meta në Marsejë: Rritja ekonomike në 2013-ën ishte 1.3%, papunësia mbetet 13 për qind

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në punimet e sesionit VIII të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut. Në këtë takim, Meta ishte i shoqëruar nga deputetët Klodiana Spahiu dhe Dashamir Shehi.

Sesioni VIII i Asamblesë Parlamentare të Mesdheut mbahet në Marsejë të Francës, në datat 20-22 janar 2014. Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje vendosmërinë e koalicionit të ri qeverisës në avancimin e reformave të ndërmarra, teksa theksoi se Shqipëria i mban prioritetet e APM në krye të axhendës se saj politike dhe sociale dhe se bashkëpunimi konkret ndërqeveritar dhe ndërparlamentar do të kontribuojë në ruajtjen e rajonit të Mesdheut në fokus të investitorëve ndërkombëtare. Meta tha se Shqipëria i ka shpëtuar recesionit, ekonomia e saj tha ai, ka përjetuar një rritje ekonomie modeste, e cila për vitin 2013 është vlerësuar 1,3%, me një përmirësim të pritshëm prej 2% në vitin 2014. “Ndërkohë që kërkesa e jashtme nga Eurozona është pakësuar, aktualisht ekonomia jonë po operon nën potencialin e saj të vërtetë. Qeveria jonë sapo ka mbyllur një marrëveshje me FMN-në dhe Bankën Botërore për rreth 1 miliard dollarë për një periudhë 3-vjeçare, për të stabilizuar ekonominë dhe për të krijuar hapësirën për zhvillim dhe investime”, – deklaroi Meta. Gjithashtu, kreu i Kuvendit tha se në muajin mars, qeveria do të paraqesë në Kuvend një paketë nxitëse për të përmirësuar në mënyrë drastike klimën e biznesit për të gjithë sektorët e ekonomisë (veçanërisht sektorin e prodhimit), duke përfshirë reduktimin e procedurave burokratike dhe barrët e taksave administrative. “Fokusi ynë kryesor është në krijimin e infrastrukturës për tërheqjen me sukses të Investimeve të Huaja Direkte. Ne po ulim taksat për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përfshijnë 95% të të gjitha bizneseve në Shqipëri dhe përfaqësojnë 80% të forcës së punës në sektorin privat. Papunësia mbetet në rreth 13%, por ndihet më shumë tek rinia jonë, si kudo tjetër në Evropë”, – theksoi kreu i Kuvendit.

 

Homazhet për 21 Janarin Rama: Drejtësia të

Kërko