Florenc Drizari
Basha: Reformë territoriale, vetëm me konsensus në të gjitha hallkat e vendimmarrjes
“Konsensus në vendimmarrje në komision dhe në aulën e Kuvendit”. Ky është propozimi i kryetarit të Partisë Demokratike ndaj krerëve të mazhorancës për reformën administrativo-territoriale. Një ditë më parë, kreu i PD-së, bashkë me aleatët e opozitës, përsëriti qëndrimin se asnjë qeveri nuk mund të diktojë apo imponojë qëndrimin e saj në një reformë kaq të veçantë e gjithëpërfshirëse, siç është ajo territoriale-administrative. Basha tha se Partia Demokratike bashkë me aleatët është e gatshme të angazhohet dhe të punojmë brenda kuadrit të parimeve të gjithëpranuara nga autoritetet dhe institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe aleatët tanë strategjik. Lidhur me reformën administrative për territorin, kreu i opozitës e krahasoi atë me reformën zgjedhore dhe kërkoi të njëjtin konsensus që është arritur në vitin 2002. Pyetjes së gazetarëve se gjatë Konferencës së Kryetarëve që pritet të mbahet ditën e mërkurë, PD do të jetë e përfaqësuar dhe a do të bëhet pjesë e një komisioni që mazhoranca ka garantuar një numër të barabartë votash, Basha iu përgjigj se opozita nuk do të bëhet pjesë.
Lulzim Basha
“Propozimi i mazhorancës nuk është vetëm i pamjaftueshëm, por është një zhbërje e standardeve të vendosura tashmë prej 12 vitesh në Shqipëri siç janë standardet e vendosura gjatë reformës elektorale të vitit 2002, ku palët u angazhuan për konsensus të plotë në vendimmarrje në komision dhe në aulën e Kuvendit. Ndaj në këtë kuptim, rivendosja e konsensusit kërkon aplikimin e të njëjtit standard, të një precedenti pozitiv të jetës parlamentare. Konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirës për çdo vendimmarrje në çdo komision bipartizan për këtë çështje dhe konsensus të plotë, pra votë me konsensus, për produktin final të kësaj reforme që siç e thashë është gjithëpërfshirëse, e thellë, ka efekte të drejtpërdrejta për cilësinë e jetës së qytetarëve, për decentralizimin, për autonominë vendore. Është një kriter i vendit, për integrimin evropian. Dhe natyrisht ka efekte të drejtpërdrejta elektorale”, – deklaroi Basha. Duke folur për rëndësinë që ka miratimi i reformës administrativo-territoriale për qytetarët shqiptar dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat e BE-së, Basha paralajmëroi se nëse mazhoranca do të vijojë të përdorë forcën e kartonit në Kuvend, do të përballet me një opozitarizëm të fortë në institucione dhe në sheshe. Ai theksoi se gjetja e konsensusit është një mundësi e artë mes të dyja palëve, referuar akuzave të mëparshme për “prishjen” e konsensusit për aktin normativ të qeverisë për nëpunësin civil. “Hapat arbitrarë në drejtim të imponimit me fuqinë e verbër të kartonëve, të një realiteti që shkelmon çdo parim të një demokracie gjithëpërfshirëse, funksionale, çdo precedent të mëparshëm të bashkëpunimit mazhorancë-opozitë jo vetëm gjatë dekadës së fundit por gjatë gjithë këtyre 23 vitesh pluralizëm, do të jenë kambana e fundit për këtë sjellje arrogante, antiligjore të kësaj mazhorance. Dhe do të detyrojnë një reagim të fuqishëm të opozitës në çdo hapësirë institucionale, qytetare, kombëtare dhe ndërkombëtare. Uroj që të mos e shikojë këtë si një provë muskujsh, për të cilën natyrisht nuk angazhohemi, por jemi gati nëse na thërrasin në sheshin e një beteje, që në fakt për ne dhe për çdo qytetar shqiptar do të ishte beteja për mbrojtjen e kufirit të shenjtë të demokracisë. Por uroj ta shohë si një mundësi të artë për të rikthyer besimin”, – deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Mesazh i Bashës për përvjetorin e Presidentit Rugova
“Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Ibrahim Rugova, çdo shqiptar përulet sot me nderim dhe respekt përpara emrit dhe veprës së politikanit të shquar, liderit humanist dhe vizionar, arkitektit të Kosovës moderne dhe evropiane.
Presidenti Rugova është simboli i përpjekjeve të Kosovës për pavarësi. Ai u bë nismëtari i lëvizjes më të madhe paqësore për liri dhe dinjitet njerëzor në Evropë. Atë që Presidenti Rugova theksonte vazhdimisht, se pavarësia e Kosovës do të qetësonte rajonin dhe do të kontribuonte për demokratizimin e të gjithë rajonit, sot po e shohim të jetësohet çdo ditë.
Ibrahim Rugovën e kujtojmë sot edhe si një ndër themeluesit e partisë së parë demokratike në hapësirën gjithëshqiptare – Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Vizioni, përkushtimi, dhe vepra e tij për paqe, liri, demokraci dhe pavarësi, e kanë lartësuar përgjithnjë Presidentin Rugova në altarin e shenjtë të kujtesës dhe historisë së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar”, – thuhet në mesazhin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.