Përgatiti: Violeta Murati
Një vrull fryme për të shuar pa domethënie qirinjtë e tortës së ditëlindjes! Kështu u gjend dje shkrimtari Fatos Kongoli kur Lili, bashkëshortja, i shkundte lehtë krahun për të menduar një gjë, një dëshirë! Kongoli mbushi 70 vjeç, por në atë çast tha se asgjë nuk i vinte në mendje, veç ndjenjës së fortë të emocionit ku në një ceremoni jozyrtare me miq e kolegë u nderua tepër thjesht në sallën e Akademisë së Shkencave.
“Jam i emocionuar. Qysh kur hyra, nuk e dija që do të emocionohesha aq shumë. Do të doja të ishin këtu, të pranishëm edhe lexuesit për t’u përcjellë një mesazh falënderimi. Më kanë mbështetur që të shkruaja. Më pyeti dikush si ndihem. Iu përgjigja se nuk më besohet se jam 70 vjeç. Dikur mendoja shumë larg këtë moshë. Por njeriu është i çuditshëm, ndihet fëmijë brenda vetes”, – këto fjalë Kongoli i tha në qetësi dhe për të mbyllur “kufirin” e tij me paqen, në ligjin e bindjes për t’u mos dorëzuar, që siç shprehet e kthejnë atë vetë dhe letërsinë në arsyen e ekzistencës. Konsideruar shkrimtari i tranzicionit, Kongoli, pranon librat e tij si të tillë, shkruar në kohërat më të vështira, mbi të cilat nuk flet dot për gjurmë, veç ndjenjës së leximit përmes rreshtash se cili është edhe njeriu i tranzicionit. Përgjigjet e para pas ceremonisë, shkrimtari i pati me median, një mënyrë se si “njeriu i ndrojtur”, i ndjeshëm e ka parë pa u tërhequr si njohjen dhe suksesin.
Moment emocionues përpara tortës së ditëlindjes?
Në të vërtetë nuk më shkoi mendja të shprehja ndonjë dëshirë, është hera e parë që fryj një tortë. Nuk kam pasur ndonjëherë ceremoni kaq emocionale me prani njerëzish dhe të kem një tortë ditëlindjeje përpara. Por, në momentin që u përkulua për të shuar qirinjtë, gruaja më tërhoqi pak dhe më tha: Mendo një gjë, një dëshirë.
Pas viteve ‘90 ju renditin ndër shkrimtarët më produktivë të letërsisë shqipe, për ju si kanë qenë këto vite?
Është shumë e vështirë të sjellësh gjithë këto vite në një moment si ky. Unë sot vërtet që ndiej vetëm emocionet e këtij takimi. Jam shumë i emocionuar. Përtej kësaj nuk mund të them asgjë. Ajo që ndiej ishin ato dy fjalë që thashë pak më parë se nuk më besohet se jam bërë 70 vjeç. Vështirë ta besoj. Por është fakt. Njeriu nuk ka dëshirë të dorëzohet, nuk gjen kurrë paqe si arsye e ekzistencës.
Çfarë ka qenë me e ashpër dhe më e mirë në jetën tuaj, të cilën e mendoni?
Nuk jam në gjendje të them tashi. Kam pasur shumë, shumë gjëra të rënda, të ashpra, por edhe gëzime, gjëra plot e nga më të bukurat, ja është ky i sotmi.
Për kë ka luftuar më shumë Kongoli në jetën e tij, Njeriun apo Shkrimtarin?
Unë të them të drejtën vështirë t’i ndaj këto të dyja, por sigurisht që kam luftuar më shumë për të dyja, që të mbetem vetvetja. Ky ka qenë synimi i jetës sime, sepse jeta e tillë është. Kur je i tillë, mendoj se gjithçka bëhet më e thjeshtë, pasi gjërat vijnë nga brenda teje, nga vetja jote.
A mendoni rreth librave që keni shkruar?
Nuk mendoj për ato që kam shkruar. Përkundrazi, jua kam thënë, se sapo botohet një libër i ri përpiqem me çdo kusht ta harroj. Për mua ata janë libra nga “e harruara”, se ndryshe nuk vjen libri i ri.
Shfaqeni si njeri shumë i ndjeshëm, prekeni, keni ndroje, i tërhequr, por njëkohësisht kërkon edhe suksesin, të njihesh… Si qëndrojnë këto bashkë?
Pjesa e parë është ashtu siç thoni juve, por unë nuk jam i tërhequr. Një shkrimtar nëse nuk mbyllet të punojë, si mund t’ia dalë? Të shkruash nuk është gjë e thjeshtë, është mjaft e vështirë. Duhet kohë, mendim për t’i kërkuar gjërat, t’i gjesh – ky është thelbi. Nuk ka rrugë tjetër për mua. Pse kërkoj suksesin? Kjo është gjë e natyrshme. Mbasi kryen një vepër është e natyrshme të kërkosh për t’u njohur. Aq më mirë nëse vlerësohet. Për çdo autor jeta është e pamjaftueshme për çfarë do të thotë. Është krejt e pamjaftueshme, por vjen një kohë kur vetë shkrimtari duhet të kuptojë nëse duhet të vazhdojë të shkruajë për të thënë… apo vjen një moment që më mirë të heqë dorë.
Botuesi juaj ekskluziv, “Toena”, që organizoi këtë ceremoni, ju vlerësoi se pas Kadaresë jeni një nga shkrimtarët më të njohur e përkthyer në Evropë. Ç’do thotë ky definicion?
Sigurisht që ndihem i përkëdhelur në sedër nga ky vlerësim. Ka dhe të tjerë që më kanë thënë këtë mendim. Për sa i përket numrit të botimeve, besoj se nuk ka ndonjë autor tjetër. Sa i takon vlerësimit, kjo është relative sepse secili ka mendimin e tij. Ai është botuesit im dhe unë jam mirënjohës që ka vlerësim të lartë për mua.
Për përmbajtjen e botimeve tuaja jeni konsideruar si shkrimtar i tranzicionit, ju vetë sa e keni ndjerë këtë, si njeri i tranzicionit? Çfarë ka lënë më shumë gjurmë?
Ky është një vlerësim i saktë sipas meje. Ky vlerësim më është bërë shumë vite përpara dhe unë jam dakord. Por, po t’i hysh në thelb, pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë sime nis pas viteve ‘90, kur nis dhe tranzicioni i Shqipërisë. Unë përpara viteve ‘90 kam shkruar disa libra, relativisht pak, vetëm pesë libra. Më pas librat më të rëndësishëm të jetës sime i përkasin kësaj periudhe. Sigurisht që këto janë librat e mi më të vështirë, por edhe më të vlerësuar, më të arrira.
Njeriun e tranzicionit tek unë, jam përpjekur ta vë në dukje libër pas libri, tashmë prej 22 vjetësh. Këtë jam përpjekur të nxjerr, të përshkruaj, pasqyroj.
Keni pengje?
Plot.
Me letërsinë?
Letërsia… Nëse përdor fjalën “peng” dhe është e saktë, mund të them se nuk ka dalë sot askush që të thotë se zotëroj letërsinë.
Ndonjë libër shkruar prej jush, sidomos të jetës ka nxitur debate. A keni menduar se do qe më mirë të mos ishin shkruar, jeni penduar?
E dini si është puna kur kam shkruar ndonjë libër që ka ngjallur debat nuk kam pasur parasysh se si do të pritej. Më pas, vetëm jam mërzitur nga disa mendime që nuk më janë dukur të drejta t’i meritoja, por njerëzit kanë mendjen e tyre. Në të tilla raste për çfarë kam shkruar nuk jam penduar. Kur e nxjerr një libër, duhet të dish që ai nuk i takon më shkrimtarit. Por, po të mos kisha lexues nuk besoj se do të mund të shkruaja më.
Përkthyesi ekskluziv në frëngjishte i veprave të Kongolit
Edmond Tupe: Unë jam krejtësisht “hija” e Kongolit
“Unë jam krejtësisht hija e tjetrit. U bënë 40 vjet që e kam ndjekur Kongolin nga pas. Një shprehje franceze thotë: “Besnik si hije”. Në këtë kuptim pata fatin ta përktheja veprën jo thjesht si përkthim, por si zhbirues për të shkuar tej përtej. Unë jam te Kongoli dhe ai është tek unë. Ai është njeri, së pari. Njeriu dhe shkrimtari janë bashkë. Me huqet, sjelljet, gjitha cilësitë e tiparet tek Kongoli më kanë mahnitur, sa edhe Njeriu. Ai ka lënë gjurmë përmes letërsisë se çfarë është Shqipëria e tranzicionit, një gjurmë të pavdekshme”.
Toçi: Vitet e rëndësishme të Kongolit, si Kadare më i përkthyeri
Prej 14 vitesh bashkëpunim, botuesi i “Toenës”, Fatmir Toçi, tregoi për valën e vrullit në përcjelljen e veprës së Kongolit. Gjithsej 15 vepra, konsideruar si një prej krijuesve që ka kontaktet më të gjera në hapësirën shqiptare. “Këto kanë qenë vitet më të rëndësishme, dhe njëkohësisht më i përkthyer bashkë me Kadarenë”. Prekja e temave bashkëkohore, e sidomos tema e tranzicionit janë ilustrim i njeriut që ka përjetuar vetë ngjarjet. “Kongoli është një nga shkrimtarët që ka shkruar më shumë për jetën e tij”.