Shqipëri-Kosovë Portal të përbashkët punësimi. Kurse profesionale në Gjakovë për të rinjtë nga veriu

0
212

Çdo qytetar shqiptar mund të aplikojë për punë në Kosovë

 Çdokush mund të marrë informacion për vendet e lira të punës në të dyja vendet

 

 

punesimiMbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe e qeverisë shqiptare ka shërbyer edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila do të bëjë të mundur punësimin e përbashkët. Marrëveshja do të ketë si synim punësimin dhe informimin e qytetarëve shqiptarë dhe atyre kosovarë. Ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, dhe homologu i tij kosovar, Nenad Rashiq, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen mes dy shteteve. Në një konferencë për mediat, Veliaj njoftoi se do të hapet një portal pune, ku do të mund të aplikojnë, përveç qytetarëve shqiptarë, edhe ata të Kosovës dhe të Maqedonisë. Ndër të tjera, ky është një hap tjetër drejt integrimit të Shqipërisë në BE, shtoi ministri. “Marrëveshja që ne do të nënshkruajmë, bën të mundur që çdo qytetar shqiptar dhe kosovar të aplikojë për punë”, – u shpreh Veliaj. “Kjo marrëveshje, – vijoi ministri, – do të shtrihet edhe me vendet e tjera, si: Maqedonia, Mali e Zi, Turqi, me synim zhdukjen e barrierave të tregut të punës”. Ndërkaq, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Kosovës, Nenad Rashiq, tha se detyra e tyre e përbashkët është krijimi i mundësive të reja për punësim për të gjithë qytetarët.

 

Mundësitë

Përveç punësimit të ndërsjellë, marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëjë të mundur që të rinjtë të cilët jetojnë në rrethet e Tropojës, të Hasit dhe të Kukësit, të kenë mundësi për të zhvilluar kurse profesionale në Gjakovë. Kjo pritet të jetë një mundësi e mirë edhe për të rinjtë nga Kosova, të cilat dëshirojnë të punojnë në vendin tonë. Nëpërmjet portalit të ri, çdokush mund të marrë informacion për vendet e lira të punës dhe të informohet në kohë për të gjitha konkurset. Po dje, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u shpreh nga qyteti i Durrësit se fondet që qeveria ka përcaktuar për sistemin e punësimit, do t’u ofrohen bizneseve që kanë numrin më të madh të vendeve të lira të punës. Duke folur për financimet që do të lëvrohen në muajin mars të këtij viti, Veliaj tha se synim i qeverisë është që të investojë fuqishëm për trajnimin profesional.

 

Portali i punësimit, shumë pak qytetarë kanë gjetur një punë

Portali i punësimit, i përuruar nga Kryeministri pak ditë më parë, nuk po jep akoma rezultate pozitive. Të dhënat e para nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit tregojnë se shumë pak të papunë kanë arritur të punësohen. Ndërkohë, portali “puna.gov.al” tregon se ka rreth 2284 vende të lira puna, shumë pak prej kompanive kanë publikuar kërkesa reale për vende të lira punë, pjesa më e madhe janë regjistruar pasi kjo gjë kërkohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale.

 

 

 

Pezullohen operacionet në ish-Spitalin Ushtarak, stafilokok në sallat e operacionit

Ish-Spitali Ushtarak apo Qendra Universitare e Traumës në Tiranë pezullon operacionet e planifikuara. Në tri sallat që përballojnë edhe fluksin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale janë gjetur mbetje mikrobi të stafilokokut. Një bakter ky, që shkakton infeksion të plagëve. Ndotja mendohet të jetë shkaktuar nga vetë personeli shëndetësor, i cili shpesh futet në sallën e operacionit pa respektuar rregullat higjieno-sanitare. Blloku operator është dezinfektuar. Pas 24 orësh, do të kryhet një tjetër analizë për të parë gjendjen e tij. Ndërkohë, mjekët thonë që në të vetmen qendër të traumës në vend janë marrë masat për të realizuar vetëm ndërhyrjet kirurgjikale të konsideruara urgjente.

 

 

Sëmundjet e zemrës, kontroll edhe ata që nuk kanë dyshime

Të afërmit e njerëzve që vdesin nga sindroma e vdekjes së papritur duhet të kontrollohen për probleme të fshehura në zemër, thonë ekspertët. Shumë prej 12 vdekjeve të pashpjegueshme në ditë midis të rinjve në Britani të Madhe janë gjetur më pas të jenë rezultat i kushteve të trashëguara të zemrës. Fondacioni britanik thotë se një test i thjeshtë i gjakut mund të përcaktojë nëse të afërmit e gjakut kanë të njëjtin risk gjenetik. Ajo po u kërkon njerëzve të bëjnë më shumë testet e gjakut për t’i shpëtuar këtij kurthi, sipas saj. Kushtet e trashëguara të zemrës mund të shihen nga një gjurmë e thjeshtë, e njohur si EKG, që shikon aktivitetin elektrik brenda zemrës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency