Anxhela Tato
Pistat e hetimeve të policisë, dyshime për konkurrencën ose borxhet e pashlyera
Xhemal Çela tentoi të ulte shpejtësinë për të dalë, por makina ndërroi krah dhe u përfshi nga flakët
Eksploziv makinës së një biznesmeni në zonën e Plepave të Durrësit. Automjeti ishte ende në ecje, kur është përfshirë nga flakët, ndërsa kur biznesmeni Xhemal Çela ka tentuar të ulë shpejtësinë, makina ka ndërruar krah. Ka mjaftuar kjo lëvizje që mjeti të përfshihej i gjithë nga flakët, duke tronditur kalimtarë të rastit. Ka qenë një grua, e cila i është afruar e para biznesmenit për ndihmë. Lëvizja e saj ka bërë që edhe automjetet e tjera të ndalonin qarkullimin, duke u mbledhur pranë të dëmtuarit. Biznesmeni Çela ka marrë plagë të shumta, djegie dhe hematoma në trup. Në momentin e shpërthimit ai ka dalë jashtë automjetit dhe skena është parë nga dy fëmijë. I gjakosur, Çela ka ecur pak hapa, duke u rrëzuar në tokë dhe lëshonte pasthirrma që tregonin dhimbje. Ndërsa pas disa çastesh, ka mbërritur policia së bashku me ambulancën, duke transportuar me urgjencë biznesmenin për kurimin e parë në spitalin e Durrësit. Por gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe në të tilla rrethana ka qenë i detyrueshëm shoqërimi i biznesmenit për në Spitalin Ushtarak. Mësohet se biznesmeni ndodhet në gjendje kome dhe ka pësuar hemorragji të brendshme. Pavarësisht nga ndërhyrja kirurgjikale dhe përkujdesja e mjekëve, shëndeti i tij është ende i rrezikuar. Hetimet e bluve janë përqendruar në dy pista, konkurrenca dhe dyshimet se biznesmeni ishte i përfshirë në borxhe të shumta.
Ngjarja
Një shpërthim i fuqishëm ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve në zonën e Plepave në Durrës, teksa kanë parë një makinë në lëvizje të përshirë nga flakët. Të alarmuar kanë njoftuar menjëherë policinë dhe kanë tentuar që t’i afrohen automjetit. Ka qenë një grua, e cila i është afruar drejtuesit të automjetit “Citroen C4” për t’i dhënë ndihmë. Ndërhyrja e saj ka bllokuar qarkullimin rrugor dhe ka sjellë reagimin e qytetarëve të tjerë. Ndërsa dy fëmijë tregojnë për policinë se personi që ndodhej brenda në makinë ka dalë në rrugë dhe ka nisur të ecë. “Ai ishte i gjakosur dhe doli nga makina duke lëshuar ofshama dhimbjeje. Atij iu këput këmba dhe dora e ra në tokë dhe vetëm lëshonte pasthirrma nga dhimbjet që kishte. Makina vazhdonte të digjej, ndërsa erdhi policia dhe e morën me ambulancë”, – pjesë e dëshmisë së një të mituri. Nga të dhënat e policisë mësohet se biznesmeni ishte në ecje e sipër kur makina ka shpërthyer. Në këto momente ai ka tentuar që t’i ndryshojë shpejtësinë me qëllim që të dilte, por automjeti ka ndryshuar kahun e drejtimit dhe është përfshirë i gjithi nga flakët. Dyshimet e bluve janë se lënda plasëse ka qenë e telekomanduar dhe ende nuk specifikohet sasia e eksplozivit. Sipas policisë, ka dyshime që kjo ngjarje mund të jetë për shkak të rivaliteteve në fushën e ndërtimit, megjithatëë nuk mohohet as dyshimi i borxheve, duke qenë se ka aludime se Xhemal Çela kishte marrë shuma të mëdha lekësh hua, megjithëse kjo e fundit mbetet vetëm një aludim. Biznesmeni Çela është babai i dy fëmijëve, me origjinë nga Gramshi. Ai është transferuar shumë herët në Durrës, ku është marrë edhe me aktivitetin e ndërtimeve.
Fshirja nga serveri
Ekspertizë 12 kompjuterave për të zbuluar se kush e dha komandën
Vetëm dy kompjutera në Drejtorinë e Tatimeve kanë të drejtë që të ndërhyjnë në fshirjen e të dhënave. Sipas të dhënave të Prokurorisë, rezulton se kompjuteri i drejtores e ka të disponueshme komandën e fshirjes. Të njëjtin akses e ka edhe kompjuteri qendror, që ndodhet në dhomën e serverit, në kat të tretë. Nga ana e organit të akuzës pritet ekspertiza e 12 kompjuterave për të kuptuar se nga kush është dhënë komanda e fshirjes. Ndërkaq, është vendosur tashmë sekuestrimi i pamjeve filmike, të transmetuara nga televizioni “Nees 24”. Në bazë të materialit që i është referuar Prokurorisë, institucioni kallëzues ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj një ish-punonjësi të saj, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dyshon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e saj elektronik. Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen verifikimet e nevojshme, si edhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar pranë Policisë Shkencore. Në të njëjtën kohë, organi i Prokurorisë ka ndjekur pamjet filmike në televizionin “News 24”, të publikuara ditën e mërkurë, dt. 22.1.2014, në të cilat paraqiten disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedurën e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë. Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore, do t’i kërkohet zyrtarisht televizionit “News 24” që të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë për “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.
Orikum
Grabitja, dyshime se autorët janë banorë të zonës
Mbetet ende pa autor grabitja e një dite më parë të filialit të një banke në qytezën e Orikumit në Vlorë. Për kapjen e autorëve janë vënë në lëvizje që prej ditës së djeshme rreth 50 efektive të Delta Forcës, Forcat Speciale të Fierit dhe helikopterë të cilët po krehin zonën për të rënë në gjurmët e grabitësve. Aksioni ndërkohë ka vijuar edhe gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme. Deri më tani kanë shoqëruar mbi 25 persona të dyshuar për ngjarjen. Sipas policisë, dyshohet se autorët janë banorë të zonës dhe mendohet se fshihen në zona pyjore, ndërsa drejtuesi i mjetit të vjedhur ka dhënë në polici përshkrimet e autorëve. Kërkimet e policisë ndërkohë janë përqendruar ne shtëpitë banoreve të zonës dhe zonat pyjore, ndërsa terreni i vështirë deri tani u ka ardhur në ndihmë grabitësve, të cilët ende janë në arrati. Ndërkohë, roja i bankës, Zaim Blushaj, është shprehur se si ka ndodhur ngjarja e një dite më parë. Sipas tij, autorët, pasi parkuan makinën, u drejtuan menjëherë nga ai dhe se e kërcënuan me armë në kokë.
Shkodër
Sherri për bagëtitë, plagos dy persona
Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë gjatë një sherri për pronat, ndërsa ngjarja ka ndodhur në Bërdicë të Shkodrës. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se të plagosurit janë Simon Trëndafili, 53 vjeç, dhe Nuri Nasufi, 54 vjeç. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të policisë së Shkodrës që kanë bërë të ditur se kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, Ahmet Ograja, 57 vjeç. Gjatë arrestimit është sekuestruar edhe arma me të cilën është realizuar plagosja. Të plagosurit janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe, sipas të dhënave, janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Të plagosurit akne marrë plagë në stomak. Ndërsa nga ana e bluve bëhet me dije se dy të plagosurit ishin duke punuar tokën kur ka ardhur i nervozuar 57-vjeçari. Ai i ka kërkuar llogari për faktin pse bagëtitë e tyre ishin futur në tokën e tij. Të dyja palët kanë debatuar ashpër deri në momentin ku autori ka marrë armën dhe ka hapur zjarr.