Info sport Prokurori shtyn çështjen e skandalit “Benzema-Riberi”

0
160

benzemaProblemet për francezët Benzema dhe Riberi duket se do të vazhdojnë. Kjo, pasi akoma do të përballen në dyert e gjykatave. Prokurori i skandalit seksual të Frank Riberi dhe Karim Benzema ka kërkuar pushimin e çështjes, pasi nuk ka asnjë provë për të akuzuar dy lojtarët e kombëtares franceze që ishin në dijeni se Zahia Dehar ishte ende një minorene kur ata shkuan me të në vitin 2009. Prokurori Zhan-Zhylien Ksavier-Rolai tha gjatë seancës së djeshme të gjyqit që po zhvillohet në Paris se është e pamundur të verifikohet që lojtarët ishin në dijeni se kanë shkuar me një prostitutë minorene. Një kërkesë e tillë është një lajm i mirë për lojtarët që pritet të shpallen të pafajshëm. Skandali i publikuar në vitin 2009 bëri një bujë të madhe mediatike nga e cila duket se përfitoi viktima Zahia që tashmë është bërë mjafte famshme në Francë.

 

Valentina, gruaja që i ka marrë zemrën Pirlos

Duket se ngjarje të reja të rëndësishme po ndodhin në Pirlon dhe këto jo në aspektin sportiv, por në jetën private. Mesfushori italian ka javë që përflitet se ka nisur një marrëdhënie të re me një bionde. Tashmë duket se edhe emri i biondes është zbuluar dhe bëhet fjalë për Baldinin. Quhet Valentina Baldini, është e dashura e re e Andrea Pirlos. Mesfushori i Juventusit, që para pak ditësh i dha fund martesës me ish-gruan e tij Debora Robersi, tashmë është në krahët e një tjetër biondeje, shkruan revista italiane “Chi”. Valentina punon në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe është shumë e njohur në qytetin e Torinos, edhe për shkak të një lidhjeje të mëparshme me Rikardo Grande Stivens, djali i Franco Grande Stivensit, avokat i njohur dhe mik i familjes Anjeli.

 

 Mikael Shumaker është luftëtar

Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë rritet frika se shtatë herë kampioni i botës në Formulën 1, Mikael Shumaker, mund të mos zgjohet më, por të qëndrojë në një gjendje të përhershme kome. Ai ndodhet nën kujdesin maksimal të mjekëve në një spital francez, që pas aksidentit të rëndë në ski, një muaj më parë. Mjekë neurologë thonë se sa më shumë zgjatet gjendja e komës, aq më shumë pakësohen shanset që një ditë pacientë të tillë të zgjohen. Por pavarësisht nga kjo, familjarë të Shumakerit, bashkëshortja e tij Korinë dhe dy fëmijët e çiftit, shprehen optimistë. “Ai është një luftëtar dhe nuk do të dorëzohet kurrë!”, – deklarojnë familjarët, që vazhdojnë të falënderojnë fansat e ish-pilotit të Formulës 1 për mbështetjen dhe solidaritetin e shprehur në forma të ndryshme.

 

 

Pike kthehet në një zombi

Pas ndeshjes kundër Atletiko Madridit në La Liga, Xherard Pike përjetoi një eksperiencë shumë të veçantë. Dy amatorë e shndërruan për disa çaste mbrojtësin e Barcelonës dhe të Spanjës në një zombi të vërtetë, duke i propozuar të jetë pjesë e serisë “Walking dead”. Pike kontaktoi me amatorët nëpërmjet “Twitter”-it, duke pranuar ofertën, por edhe pse kishin kaluar disa ditë dhe të gjithë e kishin harruar, Pike postoi dje një foto në rrjetet sociale, ku dukej si një zombi i vërtetë.