Përplasja për dorëheqjen e deputeteve Berisha: Atentat ndaj demokracisë. Rama: Ju gënjen mendja se do të keni popullin me vete

0
168

Gëzim Saliu

 

Opozita braktis punimet e Kuvendit në shenjë proteste. Kryeministri: PD, burim toksik i mbetjeve të politikës së vjetër komuniste

 “Akti më i rëndë pas atentatit që u organizua në Parlament ndaj Azem Hajdarit”

 

Berisha ne Parlament Dorëheqja nga mandatet e deputetit e dy kandidateve femra të PS-së në qarkun Lezhë dhe një e LSI-së në Durrës shkaktoi debate të ashpra në seancën e djeshme parlamentare, ku opozita akuzoi mazhorancën se zëvendësimi i tyre u bë nën presion politik dhe mafioz. Debati nisi nga gratë deputete të PD-së, si Mesila Doda dhe Jozefina Topalli, të cilat kërkuan në radhë të parë mbështetjen e gjinisë femër në Parlament lidhur me këtë çështje dhe theksuan se gratë e dorëhequra janë kërcënuar. Ndërkohë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi që çështja të mos përdorej për propagandë politike, në mungesë të provave ligjore. I menjëhershëm ishte reagimi i ish-kryeministrit Berisha, i cili lëshoi një sërë akuzash ndaj mazhorancës qeverisëse si edhe kritikoi ministren Kodheli si grua dhe si kryesuese e listës në qarkun e Lezhës, për mosmbështetjen e grave deputete. Ndaj këtyre akuzave u kundërpërgjigj ministrja e Mbrojtjes e ndërkohë palët u përfshinë në një debat të ashpër mes tyre. Pas këtij debati, grupi parlamentar i PD-së bojkotoi vijimin e punimeve në Parlament në shenjë proteste për çështjen, deri në një urdhër të dytë.

 

Berisha – Rama

Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha deklaroi se mazhoranca po flak gratë deputete nga Parlamenti, duke vendosur, sipas tij, mafien mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën e vendit. “Pritet që ditët e ardhshme të japin dorëheqjen nga detyra e deputetes edhe tri kandidate gra që vijnë në listat e aleancës qeverisëse. Ajo deputete, znj. Dilishi, ka një problem me veshkat dhe mund t’i shërbejë vetes dhe shëndetit në pozitat e deputetes disa herë më mirë, ka rregullat e veta, jo flakjen. Dëgjove, ka një kufi Mimi Konfidentja, jo flakje. Por këtë bëjnë këta, përdorin një grua që të sulmojë një grua. Kur gruaja bëhet antigrua dhe mbron të drejtat e grave. Përdori një grua për të sulmuar gratë. Ja ku po jua them, po përzihen nga puna dy gra, moj zonja e 20%”. Ndaj këtyre akuzave reagoi ministrja Kodheli e cila tha: “Sali Berisha, ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë si askush tjetër në këtë Parlament të them dy gjëra. Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë, jo një herë, dhe burrash e përmend edhe sot këtë gjë. Me mua nuk krahasohesh kurrë, sepse në CV time nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka për të pasur kurrë derisa të mbyll sytë as vrasje e as hajni”. Pas këtyre deklaratave, palët u përfshinë në një debat të ashpër mes tyre, ku nga ana e tij, kreu i Kuvendit, Meta, kërkoi që nëse opozita zotëronte prova për çështjen, t’i dërgonte në Prokurori. Pas një pushimi 10-minutësh, me kërkesë të PD-së, rinisi seanca parlamentare, ku Berisha nga foltorja e Kuvendit lexoi një intervistë të Mejreme Delishit, e cila shprehej se priste me dëshirë të fokusohej tek detyra e deputetes. “Ne forcuam dënimet, por ai që dënohet nga shteti, ai nuk preket, nuk vritet, ai nuk ekzekutohet. Kjo qeveri është një ekstension i krimit, i bandave, kryekreu i saj ka lidhje të fuqishme me të gjitha bandat. Pra, dhe vijmë sot në seancën më të turpshme, në historinë e Parlamentit ku pas atentatit ndaj Azem Hajdarit, në këtë sallë është atentati i dytë më i madh i demokracisë”. Pas deklaratës së Berishës, opozita braktisi punimet e Kuvendit, ndërkohë që Kryeministri Rama në fjalën e tij akuzoi opozitën se është bërë burim toksik i mbetjeve të politikës komuniste. “Janë katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste. Janë bërë si një kënd i vjetër fletërrufesh dhe i gënjen mendja se populli do të mblidhet në këtë kënd. E marrin popullin për budalla dhe politikën e dinë mjet për të budallallepsur njerëzit që vuajnë padrejtësinë, kriminalitetin dhe katrahurën që lanë pas. Unë e di se disa prej tyre, duke nisur nga pragu i shtëpisë, janë në hall të madh se kanë bërë shumë të këqija”. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se opozita është e frikësuar me kthimin e pPolicisë së Shtetit në krye të detyrës. “Duhet të merren edhe me ata të Tatimeve që janë në kërkim nga policia, pasi kanë marrë arratinë për rimbursimet e paligjshme të miliona eurove TVSH për llogarinë e këtyre. Duhet të merren edhe me mbrojtjen e atij derdimenit të kompjuterave që e kanë vënë të mbrojë lëkurën e tyre që të shpëtojë lëkurën e tij për hesapin e tyre me librin elektronik të tatimorëve”, – deklaroi Kryeministri Rama.

 

 

Debati në Parlament për dorëheqjen e grave deputete

Pas njoftimit të Kryetarit të Kuvendit, Meta, për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet merr fjalën deputetja e PD-së, Mesila Doda

Doda – Në emër të Aleancës së Grave deputete, ju kërkoj ju, se janë dy gra që ikin nga lista e Lezhës, tri gra që ikin nga Parlamenti. Nuk mjafton të vini në takimet me gratë. Gratë deputete duhet të shprehen. Vendi nuk mund të bëhet më i mirë, nëse dhunohen gratë.

Ndërhyjnë nga salla pa mikrofon gratë deputete të PD-së, të cilat çohen edhe nga karriget e Parlamentit në shenjë proteste.

Vasilika Hysi (si anëtare e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin) – lexon verifikimin e mandateve të dorëheqjes së Lefter Kokës, Mejreme Delishit, Silva Maksutit, Mirela Nelit.

Jozefina Topalli – Sot janë dy, nesër pas zonjës së Lezhës do detyrohet tjetër të japë dorëheqjen. A nuk ishin këto kontributore të PS-së? E dini se zonja Mejreme është kërcënuar? Edhe ajo që vjen pas Mejremes do japë edhe tjetra dorëheqjen. Kodi i heshtjes është kodi i mafies, prandaj i ka mbyllur gojën Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit. Nuk janë të sëmura, por i kërcënojnë ato.

Ilir Meta – Vetëm një shqetësim kam. Që ju jeni kaq e shqetësuar për të drejtat e grave këtë e kuptoj, por që nuk keni marrë pjesë në asnjë aktivitet të Aleancës së Grave në Parlament këtë nuk e kuptoj. Fjalën e ka znj. Kodheli.

Ndërhyjnë nga salla. Meta – Nuk ka qenë asnjëherë në mbledhjet e Aleancës së Grave Deputete.

Mimi Kodheli – Zonja Topalli nuk ka qenë asnjëherë në asnjë aktivitet, sepse nuk është pjesë e Aleancës. Kur ne e themeluam Aleancën dhe propozuam zonjën Doda ose propozova zonjën Mesila për kryetare, unë Mimi Kodheli, zonja Topalli nuk ishte fare pjesë e Aleancës. Thënë kjo, më vjen keq se në emër të grave nuk mund të abuzohet për gratë. Unë si ish-deputete e qarkut të Lezhës, si kryesuese e listës në këtë qark, kam dhënë dorëheqjen nga posti në respekt të marrëveshjes. Ju siguroj që lista e deputetëve e PS në Lezhë është gjithëpërfshirëse, e respektuar, dinjitoze. Ajo listë është përballur me mafien, me dhunën që ai qark sjell për shkak të varfërisë që e keni lënë ju për 8 vjet. Thënë kjo, askurrkush nuk i njeh zonjat. Unë ju them se zonja Mejreme Delishi është zonja më e nderuar që rrethi i Lezhës ka. Është e turpshme të abuzohet me të…

Ndërhyjnë nga salla deputetët e opozitës – Pse i kërkuat të japë dorëheqjen?

Kodheli – Ajo është në proces dialize dhe ka pamundësi fizike.

Berisha pa mikrofon – Pse e futët në listë…? Doni mafien në Kuvend.

Sadri Abazi pa mikrofon – Ulu mor ulu, mos fol, se mafia je ti.

Kodheli – Ajo hyri në listë, për shkak të figurës që përfaqëson në këtë rreth. Ju jeni ata që nuk keni asnjë grua të zgjedhur në administratën lokale. Unë mund t’ju them vetëm diçka që ky është një shou, që nuk është i denjë për Kuvendin dhe as për gratë shqiptare. Le të jemi seriozë, ky është një proces tjetër i njohur. Zonjat vazhdojnë të jenë të respektuara në detyrat që kanë kryer më përpara.

Kërkon fjalën sërish Doda, ndërhyn Meta – Nuk ju ka përmendur dikush zonja Doda. Nuk është kjo mënyra për protagonizëm politik (pasi Doda nuk largohet nga foltorja, Meta vendos t’i japë fjalën për 2 minuta).

Mesila Doda – Z. Kryetar i Kuvendit, dëshira ime e fundit do ishte ta politizoja. Duhej t’ju bëj me dije se në thirrëm një mbledhje të Aleancës së Grave Deputete dhe u ra dakord për të miratuar deklaratën e cila nuk bie dakord. Me këta hapa që kanë ndodhur këtu, ky Parlament ka vend ose për kriminelët, ose për politikanët. Jemi njerëz që na kanë votuar. Ky vend nuk mund të vazhdojë kështu. Kur kanë frikë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ky vend ka marrë fund. Kërkoj ta shtyni këtë votim, që është i turpshëm. Të gjithë bashkë, ose të kërkojmë komision hetimor, ose t’i kërkojmë Presidentit, OSBE-së, BE-së, ambasadave, që të shprehen për këtë fenomen kaq të turpshëm. Zonja Kodheli me gjithë respektin që kam për ju, juve sot duhet t’i kishit mbrojtur ato gra dhe jo të justifikonit dorëheqjet e tyre

Meta – Zonja Doda, ju flisni me siguri të madhe për presione për shantazhe. Unë habitem përderisa janë kaq të sigurtë, pse nuk bëni veprime konkrete në emrin tuaj personal si deputetë dhe në emër të gjithë grave që ju mbështesin në Prokurori.

Topalli – Unë do t’u bëj një propozim kolegeve të mia që të bëjmë një rezolutë në Parlament dhe pastaj t’i informojmë Këshillin e Evropës, edhe OSBE-në, edhe të gjithë diplomacinë që është këtu në Tiranë për një ngjarje që mund të ketë pasoja shumë më të rënda nga ajo që mund të imagjinoni ju.

Meta – Jo, është vetëm retorikë, e pashoqëruar me veprime juridike dhe ligjore mbetet vetëm propagandë për qëllime politike

Berisha drejtohet drejt foltores së Kuvendit, Ilir Meta – Tani fjalën e ka mbrojtësi më i madh i të drejtave të grave.

Berisha – Kjo është një ditë e zezë, kjo është një ditë e rëndë në historinë e këtij Parlamenti. Në një vend që dhunohen në mënyrën më brutale gratë, ku dhuna familjare është bërë problem madhor dhe ne sot në Parlament i nënshtrohemi mafies, tentakulave të saj, një kompromisi të turpshëm, të dy bashkëkryetarëve, për të përzënë nga Parlamenti dy zonja e për t’i zëvendësuar me përfaqësues të mafies. Ky akt do peshojë shumë rëndë mbi këtë vend, Parlament e këtë shoqëri. Sillni këtu eksponentë të mafies duke përzënë dy zonja. Sa u takon problemeve me shëndetin, ajo si deputete mund të kujdeset për shëndetin e vet 3 herë më mirë, pasi Parlamenti ka trajtimet e veta për deputetët e sëmurë, dhe jo flakjen. Ka një kufi ti Mimi Konfidentja dhe mos kalo të gjithë kufijtë. Mos tejkaloni, nuk kam çfarë të them, kur gruaja bëhet antigrua. Unë të them ty se atij që i bën avokatin jo një herë po me dhjetëra herë të ka sharë ty, sepse kishte xhelozi se merrje me shumë se ai.

Revoltime në sallë nga ana e deputetëve të mazhorancës. Braçe – Pushojeni këtë…

Berisha – Ulu mor aty ti.

Rama nga karrigia e Kryeministrit i drejtohet opozitës – E shihni si i trajton gratë…

Meta – Ju lutem, mbaroi koha.

Berisha – Këta përdorin një grua për të sulmuar gratë. Atë akt që kreve ti sot këtu, është akti më i turpshëm i bërë ndonjëherë në sallën e Parlamentit.

Duartrokasin deputetët e opozitës.

Meta – Vazhdojmë seancën, sepse fjalimi për të mbrojtur të drejtat e grave degradoi me një fyerje ndaj një zonje të nderuar.

Kodheli – Sali Berisha ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë si askush tjetër në këtë Parlament që të them dy gjëra sot…

Reagojnë deputetët e opozitës.

Kodheli – Pushoni ju, se as ia keni idenë e asaj që do them. Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë, jo një herë, dhe burrash akoma e përmend këtë gjë. Për të tjerat me mua nuk krahasohesh, sepse në CV time nuk kam dhe nuk ka pasur asnjëherë as vrasje, as hajni.

Duartrokasin deputetët e mazhorancës. Meta – Ju lutem! Dua të bëj të qartë që i gjithë ky protagonizëm nuk ka asnjë arsye pse të degradojë ndaj zonjave ministre apo deputete. Së dyti, ju ftoj, nëse keni të dhëna për presione mafioze, ju lutem shumë drejtojuni organeve të drejtësisë, përndryshe gjithçka tjetër është një propagandë.

Berisha pa mikrofon nga vendi – Kemi prova.

Meta – Nuk ke prova fare, e vetmja provë është që fyet një zonjë të nderuar këtu për të mbrojtur të drejtat e grave.

Berisha pa mikrofon nga vendi – Kam prova dhe po deshe t’i bie këtu në moment.

Meta – Çojini në Prokurori. Nuk ke pse i sjell këtu provat, çojini atje (lexon çështje në rendin e ditës dhe emrat e deputetëve që do të flasin).

Edi Paloka – Z. Kryetar, kërkoj 5 minuta pushim në emër të grupit për të përcaktuar qëndrimin tonë.

Meta – Meqenëse kërkuat 5 minuta pushim, unë them të bëjmë 10 minuta pushim.

Pas rinisjes së seancës parlamentare, në orën 12:10 minuta, Berisha nga foltorja e Kuvendit lexoi një intervistë të zonjëa Mejreme Delishi, ku theksoi se deputetja priste me dëshirë të fokusohej tek detyra e deputetes. “Një tritol shpërtheu sot në Durrës, një tjetër në Parlament, ne jemi dëshmitarë të mafies, ndaj opozitarëve në veçanti, ne jemi dëshmitarë të një politike terrori, tritoli, granatash, të arrestimeve brutale, akuzave familjare ndaj eksponentëve të opozitës, të pritave shtetërore ndaj të burgosurve të liruar. Unë nuk kursej, ne forcuam dënimet, por ai që dënohet nga shteti, ai nuk preket, nuk vritet, ai nuk ekzekutohet, kjo qeveri, është një ekstension i krimit, i bandave, kryekreu i saj ka lidhje të fuqishme me të gjitha bandat. Pra dhe vijmë sot në seancën më të turpshme, në historinë e parlamentit ku pas atentatit ndaj Azem Hajdarit, në këtë sallë është atentati i dytë më i madh i demokracisë”.