Komandanti Ronaldo dhe galaktikët shtypin Granadën

0
146

Ronaldo dhe Benzema me shokë e patën të lehtë të fitonin ndaj kundërshtarëve

 Galaktikët fitojnë pikë të rëndësishme në luftën për titull

 

urlDuket se gjithçka shkon mirë për Madridin. Ronlado doli fitimtar i “Topit të Artë” dhe tashmë ai me shokë janë dhe liderë në kampionat. Galaktikët ishin komodë në fitoren prej 2-0 kundër Granadës në “Santiago Bernabeu”. Vendasit luajtën më mirë në gjysmën e parë, mirëpo skuadra mysafire arriti ta mbante të paprekur portën. Në pjesën e dytë, “mbretërit” e zhbllokuan rezultatin përmes Kristiano Ronaldos në minutën e 56-të. Ky ishte goli i 14-të i portugezit në 10 paraqitjet e fundit dhe i goli i 22-të sezonal në La Liga. Rastet e “Los Blancos” u shtuan gjithnjë e më shumë në vazhdim të ndeshjes, ndërsa CR7 e goditi shtyllën. Goli i dytë erdhi nga Karim Benzema (74’), i cili mori një asist nga Marselo. Reali i Madridit është në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Barcelona dhe Atletiko Madridi (që nuk i kanë zhvilluar ndeshjet e kësaj jave). Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi për “të bardhët” pa pësuar gol, që njëherësh është rekord i ri i klubit. Kristiano Ronaldo ia kushtoi dje “Topin e Artë” publikut të “Santiago Bernabeu”-t para fillimit të ndeshjes Real Madrid-Granada (16:00) dhe për këtë arsye stadiumi ishte i mbushur plot. Ndoshta ky ishte emocioni i vetëm i takimit, pasi përballja në vetvete nuk solli asnjë surprizë. Granada është një ekip që meriton respekt për renditjen, pasi për momentin është vetëm në vendin e dhjetë. Mirëpo kjo sfidë ishte shumë pak për Realin që ka fituar 9 ndeshje radhazi, 7 nga të cilat pa pësuar asnjë gol. Gjithashtu, Granada kishte edhe një problem tjetër. Kjo, pasi ata u përballën ndaj Madridit me mungesat e Fran Rikos, Jebdasë, Lorit, Dani Benitezit, Ighalos, Diakhatesë dhe Rikit. Skuadra mike e kishte të pamundur misionin për të fituar në “Bernabeu” për të thyer rekordin pas 40 vjetësh. Megjithëse skuadra bëri një performancë të mirë, meqenëse iu përgjigj Realit me kundërsulme dhe nuk ua bëri të lehtë galaktikëve që të dilnin në lojën e tyre. Një lojë që duhet thënë se, edhe pse kishte diferenca të mëdha, pati edhe “luftë”. Kështu, Reali merr tri pikë shumë të rëndësishme, pasi shkon një hap para ndaj kundërshtarëve të Barcelonës dhe Ateltikos. Kujtojmë se të dyja skuadrat bën gafa të mëdha në ndeshjet e kaluara, duke barazuar dhe duke lënë pikë përballë kundërshtarëve që në letër ishin të lehtë. Mirëpo skuadra e Ançelotit nuk do të ketë kohë të marrë frymë, pasi në mesjavë do të përballet për ndeshjen e kthimit për Kupën e Mbretit kundër Espanjolit. Kujtojmë se ndeshjen e parë “Los Blancos” e fituan me rezultatin 1 me 0.

 

 

 Pelegrini: Jemi rritur si skuadër

Trajneri kilian, Manuel Pellegrini, thotë se skuadra e tij është e të njëjtit nivel me Barcelonën dhe Realin e Madridit. “Po punojmë çdo ditë për t’u përmirësuar dhe për t’i çuar përpara këto standarde. Ne e mposhtëm Bajernin e Mynihut në Gjermani në kuadër të Ligës së Kampioneve dhe ky ishte një indikacion se ku po shkonim. Kjo skuadër ka shumëçka për të përmirësuar, por mendoj se nuk jemi shumë larg ekipeve të mëdha. Mënyra e vetme për të vazhduar përmirësimin është fitimi i titujve. Nëse fiton tituj, është për faktin se ke vepruar mirë. Falë mënyrës si po angazhohemi, me kalimin e kohës, do të jemi ekip shumë i fortë në Evropë. Nuk e di çfarë ndodh me skuadrat e tjera, nëse ato frikësohen kur shkelin në “Etihad”,  por e di se ky ekip do të vazhdojë të shënojë gola, sepse këtë dimë ta bëjmë më së miri”, – ka deklaruar trajneri kilian. Mançester Siti do të ketë punë me Barcelonën në Ligën e Kampioneve dhe vetëm atëherë do të kuptojmë nëse fjalët e Pelegrinit janë me vend.

 

 

Ibra dhe PSG barazojnë

Parisienët kanë arritur të dalin vetëm me një barazim si mysafir të Gingampit në “Stade du Roudourou”. Ishte një ndeshje e vështirë për kampionin në fuqi, ndërsa gjysma e parë nuk prodhoi gola. Kur po afrohej fundi i takimit, vendasit realizuan përmes Mustafa Jatabares (84’). Mirëpo, një pikë kryeqytetasve ua siguroi Aleks pas asistit të Lukasit. Paris Sent-Zhermain gjendet në krye të tabelës së Ligës 1, me gjashtë pikë më shumë se Monakoja që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

 

Maxarri vendos sanksione, Guarini nuk luan

Valter Maxarri ka konfirmuar se mesfushori në largim, Fredi Guarin, nuk do të luajë ndaj Katanias. Lojtari ka qenë pjesë e një mosmarrëveshjes mes Interit dhe Juventusit që bëri bujë ditëve të fundit dhe tani është tekniku italian ai që ka preferuar ta lërë atë jashtë sfidës. “Guarin? Pasi u ula të bisedoja me të, kam vendosur që të mos e përfshij atë në ndeshjen e të nesërmes. Ne duhet që të fokusohemi në këtë ndeshje ndaj Katanias. A e kam dhënë dritën jeshile për largimin e Guarinit? Nëse ju them një herë se nuk flas për transferime, atëherë gjithmonë është kështu”, – ka deklaruar Maxarri.

 

Li Na triumfon në “Australia Open”

Tenistja kineze Li Na ka arritur të bëj surprizën të shtunën dhe ka fituar titullin e saj të parë të turneut “Australian Open”. 31-vjeçarja në finale e mposhti sllovaken Dominika Cibulkovën me rezultat 2-0 në sete (7-6, 6-0). “Më në fund e fitova, dy herët e fundit isha shumë afër. Urime Dominikës, ajo zhvilloi një turne të shkëlqyer”, – deklaroi Li para se të falënderonte të gjithë ata që e kanë mbështetur. “Këto ishin dy javët më fantastike në jetën time dhe mendoj se do të qaj. Dua ta uroj Li Na, ajo pati një turne fantastik, dhe ajo e meriton të jetë fituese”, – deklaroi Cibulkova. Rrugës për në finale, Dominika eliminoi teniste si Maria Sharapova e Anjieszka Radvanska, ndërsa Li përjashtoi nga turneu konkurrente si Flavia Penetta e Eugeni Bouçard.