Kredi të këqija mes miqsh

0
255

  Ish shefi i bankës greke Postbank akuzohet se u ka dhënë kredi milionëshe me kushte të favorshme biznesmenëve me të cilët kishte raporte miqësore. Dëmi për taksapaguesit llogaritet në mbi 400 milionë euro.

Ndërtesa ku po zhvillon punimet Forumi Ekonomik BotërorPërmasat e skandalit nuk janë ende plotësisht të qarta. Por e sigurt është megjithatë se sipas prokurorisë së Athinës, ish shefi i bordit të institutit të kredisë, dikur shtetëror Hellenic Postbank, Angelos Filippidis, ka akorduar nga viti 2007 deri 2010 kredi për shumë sipërmarrje, të cilat nuk do të kishin kaluar asnjë test serioz boniteti. Taksapaguesve u është shkaktuar kështu një dëm prej më shumë se 400 milionë eurosh. Veç kësaj Filippidis duket se ka marrë ryshfete për ndërmjetësimin e këtyre kredive, të cilat i ka depozituar në llogari bankare jashtë vendit.

Në lidhje me skandalin e Postbank po kryhen aktualisht hetime ndaj 39 personave. Dy ish drejtorë të institutit të kredisë janë arrestuar në Athinë. Vetë Filippidis u arrestua në Stamboll, prej nga morën zjarr zëra të rinj se ai ka depozituar shuma të mëdha parash pranë bankave turke. Veç kësaj prokuroria greke dyshon për llogari të tjera bankare në Mal të Zi dhe Zvicër.

“Dhënia e kredive për biznesin filloi me Filippidis në vitin 2008 dhe ishte në kundërshtim me praktikat e zakonshme të Postbank, e cila deri atëherë vepronte si një arkë e vogël kursimi”, shpjegon analisti i ekonomisë Panajotis Bousbourellis. Vërtet një riorientim i tillë në biznesin me klientin nuk është në vetvete antiligjor, por Banka Qendrore greke vitet e kaluara ka paralajmëruar jo pa arsye për rreziqet e larta të aktivitetit të Postbank. Paralajmërimet e saj duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, kritikon Bousbourellis.

 

Akuza kundër shpëtimtarëve të bankave dhe sipërmarrësve

Pas privatizimit instituti i kredisë u shpëtua nga falimentimi me pesë miliardë euro nga fondi grek për shpëtimin e bankave, ndër të tjera për shkak të kredive pa garanci. Fakti që shefja e fondit Anastassia Sakellariou, kishte mbajtuar dy vjet më parë një post drejtues në Postbank e vështirëson përpunimin ligjor të çështjes. Sipas aktipadisë Sakellariou në janar 2012 si personi përgjegjës për menaxhimin e riskut në Postbank, kishte aprovuar ristrukturimin e një prej kredive të kontestuara. Ministri i Financave Jannis Stournaras i del në mbrojtje punonjëses së tij: ai deklaroi se ka besim të plotë te drejtësia por edhe tek zonja Sakellariou.

Por më shumë zhurmë shkaktoi padia kundër sipërmarrësit në fushën e sigurimeve dhe mogulit të medieve Dimitris Kontominas. Ai konsiderohet si një nga sipërmarrësit më të suksesshëm të Greqisë dhe u bë i njohur edhe në Gjermani kur në 2008 i shiti RTL-së grupin e tij Alpha Media Group për 125,7 milionë euro (për të riblerë aksionet e tij në mënyrë të papritur nga RTL në 2012).

Një pikë e rëndësishme e padisë kundër sipërmarrësve të prekur është përdorimi për qëllime të tjera i kredive, thotë Bousbourellis. “Merrni rastin e Kontominas: ai akuzohet se me paratë nga kredia është pasuruar personalisht dhe ndër të tjera ka blerë një shtëpi për të bijën”, thotë analisti nga Athina.

 

Ndërthurje e politikës me ekonominë

Kontominas i përgënjeshtron akuzat. Punonjësit e tij deklaruan për shtypin se të gjitha kreditë janë rikthyer sipas marrëveshjeve të kontratave. Një provë përfundimtare për përvetësimin e parave në të vërtetë nuk ka. Por dyshohet se të gjithë klientët e mëdhenj të Postbank paratë nga kreditë i kanë depozituar në llogari të fshehta ose në firma offshore në të gjithë botën, dhe ndiheshin të sigurtë pasi kishin kontakte të mira politike.

Ndërthurjet e ngushta mes ekonomisë dhe politikës nuk janë asgjë e re në Greqi, thotë gazetari dhe ish zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tsiodras. Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur sipërmarrës kanë marra para të shtetit me kushte të favorshme ose kanë bërë biznese të mira me shtetin kundrejt ryshfeteve, thotë i indinjuar Tsiodras. “Nuk duhet të harrojmë se Postbank ka qenë bankë shtetërore, drejtuesit e saj zgjidheshin gjithnjë nga partia që qeveriste”, tërheq vëmendjen gazetari.

Edhe Bousbourellis i referohet ndërthurjes së politikës së partive dhe administratës shtetërore: shefin e Postbank Filippidis e pati zgjedhur asokohe vetë ish kryeministri Kostas Karamanlis. Vetëm pas ndryshimit të qeverisë në 2009 Filippidis u zëvendësua dhe në vend të tij erdhi Kleon Papadopulos, një mik i kryeministrit të ri socialist Jorgos Papandreu, shpjegon Bousbourellis.

Opozita e majtë, e cila sipas sondazheve të fundit ka përparësi ndaj konservatorëve në pushtet, duket se kërkon ta shfrytëzojë politikisht skandalin e Postbank. Kryetari i opozitës Alexis Tsipras flet për një “trekëndësh korrupsioni” mes biznesve të mëdha, bankave dhe partive politike, të cilët këmbejnë ndere me njëri-tjetrin.

“Opozita kritikon jo vetëm Postbank por edhe ‘Bankën Bujqësore të Greqisë’ (ATE). Ajo akuzohet se u ka bërë dhurata në formë kredish të dy partive, socialiste dhe konservatore. Kreditë janë vërtet dhurata edhe vetëm për faktin që banka pranon si garanci për kredinë të ardhurat nga financimet e partive, megjithëse pagimi i tyre nuk është aspak i sigurt”, shpjegon gazetari Tsiodras. Veç kësaj edhe bordi drejtues i ATE, e cila ka qenë më parë shtetërore, zgjidhet nga partia në pushtet.

 

 

 

Kriza e euros nuk është kapërcyer

Fjalimet e shumicës së politikanëve në Davos kanë një synim të qartë: ato bëjnë publicitet për investime në vendin e tyre dhe duan ta paraqesin vendin nga vijnë si vend atraktiv. Po të kemi parasysh këtë, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble u përmbajt mjaft. Mesazhi i përfaqësuesit më të lartë të qeverisë gjermane në Davos është: vazhdimësi.

Përsa i përket politikës financiare gjermane, në një kohë të parashikueshme ajo nuk do të ndryshojë. “Ne do të vazhdojmë politikën financiare me borxh zero”, tha Schäuble të premten (24.01.2014) në bisedë me Peter Limbourg, Drejtor i Përgjithshëm i Deutsche Welles.

“Në këtë kuadër dhe vetëm në këtë kuadër ne do të zbatojmë gradualisht atë që kemi premtuar në fushatën tonë elektorale”, tha Schäuble. Në marrëveshjen e koalicionit, qeveria gjermane ra ndër të tjera dakord për shpenzime shtesë në politikën e pensioneve.

 

Tepër të suksesshëm?

Schäuble i hodhi poshtë kritikat, sipas të cilave sukseset gjermane në eksporte do ta rrezikonin ekuilibrin ndërkombëtar. “Në Eurozonë ne nuk kemi ndonjë suficit në bilancin e pagesave”, tha ministri. Përkundrazi, teprica në eksporte ka me vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Nga kjo përfitojnë sipas Schäubles edhe shtetet e tjera të BE, sepse në produktet gjermane të eksportit “ka shumë kontribute të partnerëve tanë evropianë. Pa ne, recesioni në Eurozonë do të kishte qenë shumë më i fortë, kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë për Evropën”.

Atmosferë më e mirë

Stabiliteti i ekonomisë gjermane është në këtë kuadër një shkak për shëndoshjen aktuale graduale të shteteve të eurozonës. Si shenjë të shlodhjes Schäuble quajti uljen e interesave bankare për huatë shtetërore nga Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Spanja.

Megjithatë ka ende shumë për të bërë. “Ne nuk e kemi kaluar plotësisht lumin, por gjithsesi jemi në lartësinë e Davosit,” u shpreh Schäuble. Megjithatë, gjendja ekonomike në Evropë nuk jep shkas të madh për t’u shqetësuar, si para një viti. Ky ndryshim atmosferik ishte diçka “që mund ta prekje me dorë” edhe në takimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në takimet e nivelit të lartë të G20-ës.

Para së gjithash gjendja është përmirësuar në Greqi. “Gota greke ishte thuajse bosh dy vjet më parë, tani ajo është e mbushur përgjysmë”. Schäuble shprehu respekt të madh për përpjekjet greke për reforma. “Nuk do të kisha dëshiruar që të më duhej t’i zbatoja reforma të tilla në Gjermani”.

Pak para Schäubles në Davos foli kryeministri britanik, David Cameron, duke e quajtur “energjinë e lirë” si parakusht për një ekonomi të aftë për konkurrencën. Cameroni foli edhe pro metodës Fracking, të diskutueshme në Evropë, me anë të së cilës duke përdorur produkte kimike të forta është bërë e mundur të shfrytëzohen rezerva, deri tani të pashfrytëzueshme, nafte dhe gazi. Kjo metodë ka bërë në SHBA që të bjerë në mënyrë drastike çmimi i gazit. Por mbrojtësit e ambjentit paralajmërojnë për dëme të mëdha për natyrën.

Ndërsa qeveria gjermane i përmbahet kthesës së planifikuar energjitike, pra kalimit nga bartësit fosilë dhe bërthamorë të energjisë në burime të ripërtëritshme si era dhe fuqia solare.

Para së gjithash shoqata ekonomike druhen se në këtë mënyrë do të shkaktohen shpenzime energjitike.

 

Lëvdata për Francën

Aftësia për konkurencë është një temë e vazhdueshme në Davos, edhe këtë vit. “Ka disa vende, të cilat për momentin nuk e arrijnë aftësinë për konkurrencë”, tha Schäuble. I pyetur për deklarimin e presidentit francez, Francois Hollande se do ta rigjallërojë ekonominë e ngecur në vend përmes lehtësimeve në tatime për sipërmarrjet, Schäuble tha se “jam shumë i bindur se Franca do të forcohet më tej në këtë mënyrë.”

 

Jashtë nga BE?

Në Britaninë e Madhe, e cila nuk është pjesë e bashkimit monetar, por anëtare e BE, atmosfera ndaj Evropës aktualisht është refuzuese. Sipas një sondazhi, partia kritike ndaj Evropës dhe me drejtim të djathtë United Kingdom Independence Party (UKIP) mund të bëhet në zgjedhje partia më e fortë, me rreth 30 përqind të votave, përballë 20 përqind për partinë e kryeministrit Cameron. Megjithatë, Cameroni mendon se do t’i bindë bashkëkombasit e tij që të qendrojnë në BE, para referendumit të planifikuar – me kusht që përpara të kryhen reforma.

Schäuble beson se Mbretëria e Bashkuar “do të mbetet në Evropë dhe një ditë do të marrë pjesë më fort edhe Zvicra”. Një reformë e institucioneve evropiane është vërtet e vështirë, por urgjentisht e domosdoshme. “Ne nuk do ta arrijmë integrimin evropian pa një ndryshim të strukturës.”

 

 

 

FMN e sheh ekonominë botërore në kurs përmirësimi

FMN është bashkuar me qendrimin e organizatës së tij simotër, Bankës Botërore dhe ka projektuar një pamje mjaft optimiste të së ardhmes të ekonomisë botërore. Por ai sheh ende rreziqe.

Një javë, pasi Banka Botërore bëri në Uashington një prognozë optimiste për ekonominë botërore, shembullin e saj po e ndjek edhe organizata simotër, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Mesazhin kryesor i World Economy Outlook, i aktualizuar të martën (21.01.2014) në Uashington: ekonomia botërore vazhdon shlodhjen, por kjo shlodhje është e brishtë dhe jo e njëtrajtshme.

Kështu, rritja globale, sipas prognozave të FMN, nga tri përqind vitin e kaluar do të rritet në 3,7 përqind këtë vit, por vendet e industrializuara dhe ato në ekspansion ekonomik do të rriten me ritme të ndryshme. Në një kohë kur vendet e industrializuara mund të presin një rritje me 1,3 deri 2,2 përqind, vendet në ekspansion ekonomik dhe në zhvillim do të rriten nga 4,7 përqind në vitin e kaluar, në rrethj 5,1 përqind këtë vit.

 

Frenat janë liruar

 

Me këtë, Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmon prognozën e tij të tetorit. “Shmangia është vetëm 0,1 përqind”, tha kryeekonomisti i FMN, Olivier Blanchard në Uashington. “Gradualisht, frenat për një shlodhje ekonomike po lirohen”, u shpreh më tej Blanchard. “Dhe kjo ka tri shkaqe: nga njëra anë, presioni për konsolidimin e buxhetit në shumë shtete ka rënë. Së dyti edhe sistemi financiar gradualisht po shlodhet. Dhe së fundi, pasiguria e përgjithshme po bie.”

Por kjo megjithatë nuk do të thotë që të gjitha rajonet e botës rimëkëmben në mënyrë të njëtrajtshme. “Ndër vendet e industrializuara, shlodhja është më e theksuar në SHBA se në Evropë dhe në Evropë më fort në bërthamën e Evropës se sa në Jug”, shprehet Blanchard. FMN shqetësohet para së gjithash për papunësinë e lartë në Evropë.

 

Shlodhje ekonomike e ndarë në dy pjesë

Për SHBA, perspektivat sipas Blanchardit duken përkundrazi të mira. Rritja ekonomike bëhet gjithnjë e më solide, kërkesa private për konsum është e gjallë, ritmet e rritjes ekonomike mund të shtohen nga 1,9 përqind në vitin 2013 në 2,8 përqind në vitin në vazhdim. Kjo nga ana tjetër i jep Bankës Qendrore Amerikane, Fed hapësirën e nevojshme për të dalë nga politika financiare ultraliberale. Por këtë, FMN e pret vetëm në vitin 2015.

Në Evropë, Blanchardi përballet me një shlodhje të ndarë në dy pjesë. Britania e Madhe mund të arrijë një rritje prej 2,4 përqind, Gjermania 1,6 përqind, në një kohë që Franca mund të llogarisë një rritje rreth 0,9 përqind. Për këtë francezi Blanchard bën përgjegjëse “pasiguritë politike” në vendin e tij. Fëmijë problematik në sytë e FMN mbetet Jugu i Evropës. Atje vërtet që eksporti është rritur, por kanë mbetur detyrimi për konsolidimin e buxhetit, kërkesa e dobët në tregun e brendshëm dhe bankat e sipërmarrjet e dobësuara, të cilat e kërcënojnë rritjen.