Sonja Caka
Analiza e Gjykatës së Apelit, reagimi i kryetarit Malaj
Prokuroria dhe Policia të hetojnë më mirë, të sjellin dosje me prova
Nuk ka ndodhur në analizën e hapur për mediat, por me mbylljen e dyerve mësohet se ka pasur përplasje të forta mes gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit. Bëhet fjalë për disa vendime të fundit të dhënë nga kjo Gjykatë. Ndërsa në tryezën e djeshme thirrja e kreut të Gjykatës së Apelit lidhej me kritikat ndaj dy institucioneve që furnizojnë dosjet e të pandehurve me prova para se t’i sjellin për gjykim në gjykatë. “Prokuroria dhe Policia të hetojnë më mirë dhe të sjellin dosje të plota dhe me prova para Gjykatës”, ka deklaruar kreu i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit, Alaudin Malaj. Më pas, në fjalën e tij në pjesën e parë të analizës, e cila u zhvillua me dyer të hapura, kreu i Gjykatës më të madhe të Apelit në vend, u bëri thirrje edhe kolegëve të Shkallëve të Para, për të qenë më të kujdesshëm në dhënien e masave “Arrest me burg”, pasi konstatohet që ato jepen pa kriter. Ndërkohë, z. Malaj nuk ka kursyer akuzat edhe për mënyrën e vlerësimit të gjyqtarëve nga inspektorët e KLD-së. Sipas tij, vlerësimi për gjyqtarët e Apelit nuk mund të bëhet nga funksionarë të cilët nuk kanë punuar gjyqtarë Apeli ose nuk kanë mbi 5 vjet punë si gjyqtarë. “Ky vlerësim duhet të jetë së pari i paanshëm, i drejtë dhe i vërtetë, duke u bërë kështu transparencë e plotë e veprimtarisë së gjyqtarit”, – u shpreh kreu i Gjykatës së Apelit, ndërsa thumboi edhe vetë kolegët gjyqtarë, duke u shprehur: “Flasim e flasim për mospërgojimin e gjyqtarëve nga vetë gjyqtarët, mosinterpretimin e vendimeve gjyqësore nga vetë gjyqtarët, histori e shëmtuar që vazhdon ende në vendin tonë”. Përveç këtyre dy shqetësimeve, kryegjyqtari i Apelit të kryeqytetit kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të ndërmerret një nismë për të përcaktuar ndihmës ligjorë pranë gjykatave, për shkak të numrit të lartë të çështjeve. Gjithashtu, u kërkua të bëheshin ndryshime në Kodin Civil, lidhur me kohën e zbardhjes së një vendimi, nga 20 ditë në 1 muaj, ashtu sikundër e ka edhe legjislacioni italian, prej të cilit është huazuar. Më pas mbledhja vijoi me dyer të mbyllura, ku mësohet se ka pasur diskutime të forta mes gjyqtarëve lidhur me disa vendime të fundit dhënë nga kjo Gjykatë. Prej kohësh në këtë Gjykatë janë krijuar dy klane gjyqtarësh që në çdo takim sulmojnë njëri-tjetrin.
Naço
“Ministria e Drejtësisë ka mbështetur dhe do të mbështesë çdo nismë që shkon drejt pavarësisë së pushtetit gjyqësor, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, gjatë fjalës së tij në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit Tiranë. Gjithashtu, z. Naço theksoi se përmirësimi i infrastrukturës së sistemit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative mbetet një angazhim konstant, në përgjigje të rekomandimeve të progres raportit të vitit 2013, i cili adreson plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, duke theksuar se disa masa janë ende të papërfunduara dhe një vlerësim gjithëpërfshirës i reformës pengohet nga mungesa e treguesve specifikë. “Në kuadër të efiçencës në gjykim, nga Gjykata e Apelit Tiranë kërkohet që procesi gjyqësor të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, po kështu të tregohet kujdesi i duhur ndaj praktikave gjyqësore të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit, në përputhje me unifikimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë. Është i papranueshëm fakti që nga e njëjta gjykatë e shkallës së parë, apo i njëjti gjyqtar, të jepen vendime me qëndrime krejtësisht të ndryshme për të njëjtat çështje. Në këtë drejtim, do të duhet një vëmendje e shtuar nga ana e gjykatave të apelit për t’i bërë barrierë çdo fenomeni, i cili në vetvete perceptohet si veprim korruptiv, si nga qytetarët ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo kërkon, gjithashtu, një nivel më të lartë në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, duke i lënë detyra konkrete, specifike dhe të realizueshme gjykatave të shkallës së parë, në rastet e prishjes së vendimit dhe dërgimit të çështjes për rigjykim”, – u shpreh z. Naço. Sipas kreut të drejtësisë shqiptare, rritja e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies për sistemin e drejtësisë do të kërkojë pa dyshim monitorim dhe marrjen e masave përkatëse për zbatimin e ligjit.
Vlorë
Shkelja e barazisë në tendera, dënohen 8 zyrtarët e Bashkisë së Orikumit
Tetë zyrtarë të Bashkisë së Orikumit janë dënuar dje nga Gjykata e Vlorës me gjoba nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë të reja. Pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Gjykata e këtij qyteti ka shpallur fajtor tetë punonjës të Bashkisë Orikum, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të akuzuar për “Shkelje të barazisë në tendera” dhe i ka gjobitur me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 500 mijë lekë të reja. Prokuroria e Vlorës zhvilloi hetimet pas një kallëzimi të mbërritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga hetimet e Prokurorisë u provua se këta zyrtarë publikë kanë kryer shkelje ligjore në të paktën dy procedura të prokurimit publik, fondi i të cilave arrin në vlerën totale të 22.500.000 lekë të reja. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe shpalli fajtor të pandehurit Riviera Mjalti, Hëna Capoj, Valbona Ibrushi, Enkelejda Xhelilaj, Ilir Kokuri, Alketa Karafilaj, Faslli Bozhani dhe Ilir Troqe. Shkelja më e rëndë është konstatuar në procedurën e prokurimit me objekt “Rehabilitimi i lagjes 4, Orikum”, me fond 20.833.000 lekë të reja. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ka rezultuar se në konkurrim kanë marrë pjesë dy shoqëri, të cilat nuk plotësonin kushtet teknike dhe ligjore. Në rastin konkret, asnjë nga dy operatorët ekonomikë që kanë paraqitur ofertën e tyre në lidhje me tenderin e zhvilluar nuk kanë plotësuar kriteret specifike për kualifikim dhe duhej që të ishin skualifikuar dhe të përsëritej procedura e prokurimit. Në vlerësim të rrethanave të mësipërme, rezulton që lidhur me procedurat e prokurimit të përshkruar më sipër, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë në tendera, si dhe kërkesat e parashikuara në dokumentet e tenderit kanë shpallur fitues së procedurës së prokurimit “Rehabilitim i lagjes “4 Dhjetori”, Orikum”, shoqërinë “S….” sh.p.k, duke i krijuar kësaj shoqërie avantazhe dhe privilegje të padrejta. Po ashtu, Prokuroria e Vlorës ka hetuar mbi kallëzimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ka faktuar shkelje në procedurën e prokurimit publik “Blerje autoveture”, me fond 2.500.000 lekë të reja nga të njëjtën anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Bashkia Orikum. Në përfundim të hetimit është konstatuar se në këtë procedurë kanë marrë pjesë dy kompani dhe është shpallur fituese shoqëria “Q…. sh.p.k”, pavarësisht nga fakti se nuk plotësonte kriteret specifike për pjesëmarrjen në tender.