Tohir hap “plagët” e vjetra, rikthehet çështja “Vuçiniç”

0
164

Presidenti zikaltër po mundohet që të sjellë me doemos lojtarin malazez pranë gjirit të Interit

 

tohir Të gjithë projektorët duket se janë rikthyer përsëri mbi Interin dhe Juventusin. Jo vetëm për faktin se skuadrat do të përballen së bashku këtë javë. Çështja e vjetër e merakos për Vuçinçin duket se është rikthyer prapë në një tratativë reale. Duket se Mirko është i vendosur që të kalojë te Interi, pasi tashmë duket se Erik Tohir ka arritur që të zbusë marrëdhëniet mes dy klubeve. Malazezi përfundoi testet mjekësore te Interi kohë më parë, por dështoi shkëmbimi i tij me Guarinin, që acaroi tej mase marrëdhëniet mes klubeve, në pikën më të ulët që prej skandalit të vitit 2006. Sidoqoftë, duket se indoneziani nuk po qëndron pa asnjë motiv në Milano për një seri takimesh, pasi ai tashmë edhe ka urdhëruar që të zbuten marrëdhëniet me Juventusin. “Tohir po merret me Juventusin. Nëse ai do t’i kërkojë falje këtë nuk e di. Nuk e di se ku qëndrojmë. A është Vuçiniç në negociata? Nuk e di, këtë pyeteni presidentin, ai do të flasë për të me Juventusin. Ne na vjen keq për dështimin e transferimit, por të gjithë e dinë se secili klub ka synime të caktuara. A dua të largohet? Jo, të gjithë bëjnë punën e tyre”, – ka deklaruar drejtori i Interit, Fasone, që ishte dhe një ndër personat që nisi këtë tratativë. Zhurma për transferim erdhi ditën e hënë të javës së kaluar, kur u deklarua se po arrihet në një akord midis Juventusit dhe Interit për shkëmbimin e lojtarëve. Një zë që u konfirmua edhe nga Marota, i cili u shpreh se po interesohej për të marrë ish-lojtarin e Portos pranë skuadrës së tij. Kështu, zyrtarisht skuadra milaneze ishte hedhur në negociata për këtë lëvizje bashkë me “Zonjën e vjetër”. Një lëvizje e zgjuar e Marotës kjo, që po mundohej të nxirrte diçka që deri para disa ditësh dukej e pamundur në një transferim real. Mirëpo kjo gjë nuk u mirëprit mirë nga tifozët e Interit, pasi kolumbiani është një ndër lojtarët kyçë të skuadrës, që e ka ndihmuar skuadrën dhe është parë si shpëtimtari i saj. Në krahun tjetër, Vuçiniç duket se pas dëmtimit e ka humbur mundësinë për të qenë pjesë e formacionit të parë. Vetë futbollisti kolumbian, Guarin, nuk është paraqitur para disa ditësh në stërvitje me Interin. Në medie të ndryshme italiane lajmet ishin të sigurta për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin, madje edhe vëllai i kolumbianit e publikoi si zyrtare kalimin e tij te Juventusi, por në të vërtetë ngjarjet nuk rrodhën ashtu. Ish-lojtari i Portos deklaroi se në rast se nuk kalonte tek Juventusi, nuk do të stërvitej me skuadrën e Interit dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Të dyja skuadrat ishin afër, derisa të hënën javën që shkoi, kur presidenti i Interit, Erik Tohir, përnjëherë vendosi ta bllokonte transferimin pas protestave të tifozëve. Megjithatë, negociatat janë rihapur shpejt, pasi Vuçiniç po shikohet si një mundësi e artë e që mund ta përforcojë skuadrën zikaltër që këtë periudhë nuk po kalon kohëra të mira, për shkak edhe të rezultateve në ndeshje.

 

 

 

 

Riberi: Dua të jem frymëzim për të rinjtë

Francezi Frank Riberi shpreson që të frymëzojë brezin e ri të lojtarëve të kombëtares franceze në botërorin e këtij viti në Brazil. Blutë dështuan në fazën e grupeve në Botërorin 2010 dhe Riberi dëshiron që të tregojë shembullin më të mirë në Kupën e Botës në vijim se si luhet në një kampionat të tillë. “Unë flas me lojtarët e rinj francezë dhe sidomos me lojtarët që nuk kanë luajtur shumë nëpër skuadrat e tyre. Ne përfaqësojmë një vend të madh dhe një fanellë blu që ka shumë peshë në krahët tona. Ka shumë presion dhe nuk është e lehtë ta menaxhojmë atë. Kështu, unë tentoj që të inspiroj më së miri lojtarët e rinj. Nuk jam i frikësuar nga asgjë. Unë jam i fortë mentalisht, kam shumë karakter. Nuk jam i frikësuar nga asgjë”, – është shprehur Riberi që po kalon një periudhë të artë për sa i përket lojës që po bën me Bajernin.

 

 

Venger: E ardhmja, mision i vështirë

Tekniku Arsen Venger ka thënë se shorti ndaj Liverpulit në FA Cup e ka ngarkuar më shumë kalendarin e ndeshjeve për “topçinjtë”. Arsenali do të takohet dy herë me Liverpulin, ashtu sikurse edhe me Mançester Junajtid dhe Bajernin e Mynihut brenda 11 ditëve gjatë shkurtit, teksa në mars radhazi do të jenë takimet me Bajernin, Totenhemin, Çelsin, Mançester Sitin dhe Evertonin. Venger është optimist që lojtarët e tij mund të përballojnë presionin e testeve të tilla, por thotë se do të jetë e rëndësishme që ata të mos lëndohen. “Është një short interesant ndaj Liverpulit dhe do të jetë shumë e vështirë. Ne kemi avantazh se shumë prej ndeshjeve i zhvillojmë në shtëpi. Do të ketë shumë ndeshje, që do të thotë se ekipi duhet të jetë shumë i fokusuar. Është një sfidë e madhe, por jam i bindur se mund t’ia dalim. Është shumë me rëndësi që të bëjmë rotacionin në mënyrë të duhur”, – u shpreh menaxheri i londinezëve.

 

Ksavi: Nuk do të dorëhiqem

Mesfushori që ka bërë historinë e Barcelonës, Ksavi, është shprehur se ai nuk ka synim që të largohet nga klubi katalanas, teksa synon që të përmbushë kontratën e tij me klubin. Mesfushori ka qenë shumë i kërkuar nga ekipe të ndryshme jashtë Evropës, por mjeshtri i mesfushës thotë se ai nuk mendon të largohet nga Barcelona. “Unë nuk do të shkoj as në Katar e as në Nju Jork, unë dua që të përfundoj karrierën time te Barcelona. Do të qëndroj këtu, ndihem i rëndësishëm dhe i dobishëm. Kam qenë këtu për shumë vite dhe kam shumë kujtime. Ne kemi fituar shumë tituj me këtë brez të futbollistëve. Vërtet kemi bërë punë të madhe”, – u shpreh lojtari katalanas.

 

 

Mata: Junajtid mund të luftojë për titull

Djajtë ende kanë mundësi ta fitojnë titullin e Premier Ligës. Kështu mendon transferimi i ri, Huan Mata. Spanjolli kaloi në “Old Trafford” nga Çelsi për 37.1 milionë paund, ndërsa të hënën është prezantuar si futbollist i Mançesterit. Junajtid është 14 pikë prapa liderit Arsenal, por mesfushori sulmues beson se kjo diferencë është e arritshme. “Të jem i sinqertë, ajo që më pëlqen te Mançester është karakteri. Mendoj se nëse një klub tjetër do të ishte kaq poshtë në ligë, do të ishte shumë, shumë vështirë që të rikthehej dhe të merrte pozitën e parë. Mendoj se ky klub mund t’ia dalë. Ky klub është mësuar të luftojë deri në fund për të marrë rezultatet që dëshiron, për të treguar karakter, ky është imazhi i vërtetë i Man. Junajtidit, të luftojë për tituj, të rikthehet gjithmonë nga momentet e vështira”, – është shprehur ish-lojtari i Valencias.