Gëzim Saliu
Kryeministri, Koka dhe Sejdini mbjellin fidanë në Krastë, Rama: Mjedisi do të rehabilitohet
“Qeveria do të rindërtojë stadiumin e Elbasanit, do të luhen ndeshjet e skuadrës kombëtare”
Kryeministri Edi Rama inspektoi dje punimet në HEC-in e Banjës, ku theksoi se qeveria shqiptare do të mbështesë çdo investim që krijon vende të reja pune dhe që respekton standardet evropiane. “Ne kemi dy mesazhe të qarta: E para, ne do të bëjmë çdo gjë, ditë e natë, për të mbështetur të gjithë investitorët dhe investimet e tilla, si ky, që plotësojnë standardet si kudo në Evropë, standardet që meriton Shqipëria. E dyta, ne i mbështesim plotësisht këto lloj investimesh dhe çdo investim që krijon vende pune të reja. Krijimi i vendeve të reja të punës është një lajm i mirë. Është fantastike që këtu do të krijohen disa mijëra vende të reja pune, ndërkohë që ekzistojnë disa qindra tashmë dhe që në 3 vitet e ardhshme do të arrijnë në afro 3 mijë vende të reja pune. Kjo është një gjë shumë e mirë”, – u shpreh kreu i qeverisë. Ndërsa Ola By, drejtori ekzekutiv i “Devoll Hidropower”, i kompanisë investuese për HEC-in, pohoi se aktualisht janë qindra të punësuar në këtë vepër, por ky, sipas tij, është vetëm fillimi. “Jemi të kënaqur me dialogun me qeverinë e re”, – tha ai.
Në Elbasan
Pas vizitës në HEC-in e Banjës, Kryeministri vizitoi dje një fidanishte në qytetin e Cërrikut si edhe Krastën në qytetin e Elbasanit, ku nismës së ministrisë së Mjedisit, për pyllëzimin me fidanë të rinj, iu bashkua Rama dhe kreu i Bashkisë së këtij qyteti, Qazim Sejdini. Kreu i qeverisë tha se kultivimi i fidanëve është mbështetur nga Fondi për Zhvillim i Qeverisë Turke, që do të prodhojë, sipas tij, gjysmë milioni fidanë në vit. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se pyllëzimi dhe landfilli për përpunimin e mbetjeve janë dy prioritetet kryesore të qeverisë për përmirësimin e mjedisit. “Unë besoj se fidanishtja e re, fusha e re e përpunimit të mbetjeve është kaq shumë e kërkuar me dekada dhe ne do të fillojmë nga puna për ta transformuar në një landfill për t’i dhënë fund helmimit të përnatshëm të qytetit. Projekti i pyllëzimit këtu në këtë zonë dhe pastaj, që do të shtrihet kudo ku do të na duhet të fillojmë ripërtëritjen e pyjeve, përbëjnë një pamje komplekse besoj, të shprehjes së vullnetit tonë për t’i kthyer të gjithë këtij qarku, por edhe të gjithë Shqipërisë, shpresën e humbur se mjedisi do të rehabilitohet, se mjedisi do të jetë në shërbim të njerëzve, se mjedisi do të jetë burim shëndeti dhe jo burim sëmundjesh”, – tha Rama. Ndërkohë, kryebashkiaku Sejdini theksoi në fjalën e tij se vazhdimi i pyllëzimit të zonës i jep më shumë gjallëri. “Ministria e Mjedisit ka akorduar 18 milionë lekë të reja për të rehabilituar rreth 20 hektarë të degraduar këto vitet e fundit”, – bëri të ditur nga ana tjetër ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Po ashtu në Elbasan, Kryeministri Rama vizitoi edhe stadiumin e qytetit, ku premtoi akordimin e një fondi për kthimin në një stadium me standarde për zhvillimin e ndeshjeve të ekipit kombëtar. “Qeveria do të rindërtojë stadiumin, këtu do të luhen ndeshjet e skuadrës sonë kombëtare deri kur të jetë ndërtuar stadiumi i Tiranës. Ne do të marrim përsipër, në bashkëpunim me Federatën, ta transformojmë këtë stadium ashtu siç duhet”, – tha Rama.
Shtyhet me dy javë
Konkursi ndërkombëtar për vijën bregdetare të Vlorës, më 12 shkurt
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit bëri të ditur dje se konkursi ndërkombëtar për vijën bregdetare të Vlorës do të zgjasë afatin e pranimit të projekteve me dy javë. “Për shkak të kërkesave të shumta nga ana e të interesuarve dhe për t’u dhënë më shumë kohë të gjithë të interesuarve për të përgatitur propozimet e tyre, Ministria vendosi të shtynte afatin e fundit të dorëzimit të dokumentacionit për këtë konkurs deri në datën 12 shkurt 2014”, – thuhej në njoftimin e ministrisë. Konkursi ndërkombëtar për vijën bregdetare të Vlorës u lançua më 28 nëntor 2013 dhe deri më sot kanë aplikuar 95 projektues, nga të cilët 65 studio ndërkombëtare, 15 studio vendase dhe 15 grupime studentore. Pas datës 12 shkurt, juria ndërkombëtare e konkursit do të vlerësojë propozimet dhe do të përzgjedhë 5 studio/propozimet më të mira, të cilat do të ftohen të paraqesin propozimet e tyre “live”, përpara jurisë ndërkombëtare. Në datat 21 dhe 22 shkurt 2014, do të zhvillohet faza finale e konkursit dhe përzgjedhja e fituesve. Kjo veprimtari do të shoqërohet edhe me ekspozimin publik të propozime të paraqitura në emër të këtij konkursi për vijën bregdetare të Vlorës.
Mbledhja e KQZ-së
Dorëheqja e Nelit dhe e Maksutit, merr mandatin e deputetit Ndoka dhe Kuçi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dorëzoi dje mandatin e deputetëve Arben Ndokës dhe Mirela Kucit. Në mbledhjen e djeshme, me katër vota pro u miratua projektvendimi, “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandati i deputetit, të znj. Mirela Neli”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës, Arben Ndokës. Po ashtu u miratua projektvendimi “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialistë për Integrim, në Qarkun e Durrësit, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandati i deputetit, të znj. Silvana Maksuti”. KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në Qarkun e Durrësit, Merita Kuçit. Kryetarja e KQZ-së, Lleshi ka theksuar se në këtë proces aplikohet renditja e kandidatit të së njëjtës gjini për mbushjen e vakancës, ndërkohë që kur lista shteron, vijon me emrat në radhë. “Në mbështetje të Kodit Zgjedhor, në kohën kur lista për femrat shteron, ne duhet të miratojnë kandidatin në radhë, në bazë të listës”, – thanë përfaqësuesit e KQZ-së. Çështja e heqjes dorë nga mandati ka qenë temë e nxehtë në seancën e kaluar të Parlamentit, ku ligjvënësit e djathtë akuzuan se grave deputete u është bërë presion për dorëzimin e mandatit, deri në kërcënim me jetë.