Anxhela Tato
Hetimet, ish-kryeinspektorja e ILDKP-së nuk ka shkelur ligjin gjatë veprimtarisë së saj
Punonjësit e akuzuan Xhukën se refuzoi të kontrollonte 1200 deklarata dhe 200 zyrtarë
Prokuroria ka pushuar hetimin, duke mos gjetur asnjë shkelje nga ana e ish-kryeinspektores së ILDKP-së. Nga ana e organit të akuzës nuk ka rezultuar në asnjë moment që Zana Xhuka të ketë konsumuar elementë të veprës penale, duke mos u regjistruar asnjë procedim penale në emrin e saj. Prokuroria e Tiranës ka pasur dy padi që mbanin emrin e Zana Xhukës, njëra në rolin e të akuzuar dhe tjera si kallëzuese. I pari ishte nga disa punonjës të ILDKP-së që denonconin shkeljet e kryera nga ish-inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Zana Xhuka. Denoncimi kishte të bënte me emërimet klienteliste, sipas grupit të punonjësve, që kryheshin nga kryetarja Xhuka. Ndërsa kallëzimi i dytë ishte edhe ai i bërë nga vetë Zana Xhuka për punonjësit që e kallëzonin dhe publikuan deklaratën kundër saj. Konkretisht, Xhuka akuzoi vartësin Shkëlqim Ganaj se ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e verbale dhe për këtë arsye i ka kërkuar policisë së Tiranës mbrojtje të veçantë të personit të saj dhe familjes. Zana Xhuka akuzohej se ka refuzuar t’i kontrollojë dhe të bëjë një hetim administrativ për rreth 1200 deklarata të mbartura nga viti 2012, duke i arkivuar të papërfunduara e të pafirmosura prej saj.
Kallëzimi i punonjësve
Në padinë e depozituar në Prokurori, punonjësit denonconin faktin që Xhuka ka larguar nga puna punonjës, edhe pse gëzonin statusin e nëpunësit civil, “për shkakun e vetëm se nuk pranuan të firmosnin urdhrat e saj të kundërligjshëm lidhur me administrimin e deklaratave të interesave private për subjekte të veçanta dhe përfitimin e padrejtë nga ana e saj të vlerave monetare dhe aseteve në ILDKP”. Po kështu, në kallëzimin penal thuhet se Xhuka nuk ka pranuar të rikthejë në punë të larguarit, edhe pse KSHC dhe Zyra e Përmbarimit kanë urdhëruar rikthimin e tyre. Xhuka akuzohet se ka larguar nën presion nga shërbimi civil drejtoren e IT-së dhe ka emëruar në këtë pozicion, në kundërshtim flagrant me ligjin për statusin e nëpunësit civil, pa konkurs, një njeri të ndjekur penalisht. Stafi i ILDPK-së akuzon se ka refuzuar të firmosë raportet e inspektorëve të lartë, ku propozohen kallëzime penale dhe gjoba për zyrtarë me fshehje pasurie qindra mijë dollarë dhe konflikte flagrante interesi. Gjithashtu, thuhet se Xhuka ka bllokuar punën e nisur në date 19.11.2012 për kontrollin e plotë të rreth 200 zyrtarëve, për shkak të funksionit dhe për dyshime për pasurinë e tyre, “me arsyetimin absurd e antiligjor se kjo nuk ishte puna e saj”.
Akuza për vjedhje
Gjithashtu, Xhuka akuzohet se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën muaj për muaj bonusin prej 35.000 lekë i dhënë për transportin e zyrtarëve pa makinë, pa naftë e pa shofer. “Znj. Zana Xhuka ka në përdorim personal makinën me targa zyrtare të ILDKPKI, gjithë sasinë e naftës prej 7.000 litrash, shoferin personal dhe nuk duhet ta përfitonte këtë bonus sipas ligjit. E gjithë sasia e naftës e blerë për vitin 2013 është tërhequr nga inspektorja e Përgjithshme nga magazina pa u justifikuar e shoqëruar me procedurat ligjore për tu përvetësuar, shitur dhe për tu futur si para te thata në xhepat e Inspektores së Përgjithshme”. Kolektivi, i cili ka depozituar kallëzimin penal në Prokurori bashkangjitur me dosjen ka dhënë dhe emrat e personave të cilët kanë firmosur këtë kallëzim.
Lufta në Siri
Vritet Bledar Hamzai, familjarët: Na tha se punonte kuzhinier në Arabi
Bledar Hamzai është emri i shqiptarit, i cili ka mbetur i vdekur në Siri. I njohur me nofkën Edu Samed, 28-vjeçari mësohet se është vrarë para dy ditësh. Policia konfirmoi se bëhet fjalë për shtetasin Bledar Hamzai, 28 vjeç, nga fshati Leshnicë i Pogradecit. Sipas policisë, 28-vjeçari para pak kohësh ishte shpërngulur me familjen në Tiranë. Konfirmohet se kanë nisur edhe procedurat e tërheqjes së trupit nga Siria. Lajmi i kobshëm ka mbërritur edhe tek familjarët nga bashkëshortja e tij, e cila prej 6 muajsh shoqëronte bashkëshortin në Siri, së bashku me vajzën 2-vjeçare, ndërsa priste të sillte në jetë edhe një tjetër fëmijë. Familjarët tregojnë se 28-vjeçari prej kohësh ishte përqendruar tek feja islame dhe u largua nga Shqipëri 1 vit e gjysmë më parë, ndërsa asnjëherë nuk e tregoi vendndodhjen e tij të vërtetë. Ata tregojnë se 28-vjeçari u kishte thënë familjarëve se ndodhej në Arabi dhe askush nuk shqetësohej për fatin e tij. “Iku 1 vit e gjysmë më parë. Na tha se do të shkonte në Arabi dhe do të punonte. Në verë mori dhe bashkëshorten me vete, të dy ishin besimtarë. Asnjëherë nuk na treguan të dy për të vërtetën se ku ndodheshin, por Bledi tha se punonte kuzhinier. Sirinë nuk e përmendi kurrë”, – tha tezja e 28-vjeçarit, Zeliana Lipo. Familjarët i bëjnë thirrje shtetit të sjellë sa më parë trupin në Shqipëri. Vetëm në fshatin Leshnicë janë edhe tre të rinj të tjerë, të cilët janë larguar në Siri duke luftuar kundër regjimit të Assadit, njëri prej tyre ka humbur kontaktet me familjarët 9 muaj më parë dhe askush nuk di asgjë për fatin e tij, ndërkohë që vetëm në dy javët e fundit janë vrarë disa shqiptarë që po luftojnë krah rebelëve sirianë që po përpiqen ta rrëzojnë diktatorin Assad.
Durrës
Në kërkim për trafik droge, pranga 35-vjeçarit
Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje dhe trafik droge është vënë në pranga nga policia e qytetit bregdetar të Durrësit. Blutë bëjnë me dije se është arrestuar Artur Kaci, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si autor i veprave penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe vjedhjes me dhunë. Operacioni për arrestimin e 35-vjeçarit u zhvillua nga sektori i Antidrogës në Durrës, ndërsa ka nisur tashmë procedura për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Berat
Ishte shpallur në kërkim për rrëmbim fëmijësh, arrestohet Elidon Lamaj
Policia në Berat ka vënë në pranga një 31-vjeçar, i cili akuzohet për rrëmbim dhe shfrytëzim fëmijësh. Mësohet se Elidon Lamaj, i njohur edhe me emrin Erjon Bendaj, u arrestua dje në banesën e tij në Berat, për llogari të Interpol Romës, që e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë, në momentin e arrestimit 31-vjeçari nuk ka bërë rezistencë.
Tiranë
Frikë nga provimi, telefonatë anonime në polici për bombë
Identifikohet autori i alarmit fals të pardjeshëm për bombë në shkollën “1 Qershori”. Policia identifikoi dje 13-vjeçarin R. H. si autori për alarmin fals të dhënë në shkollën 9-vjeçare. Minoreni po merret në pyetje në komisariatin nr. 6 dhe mësohet se ka lajmëruar për bombë nga frika e një provimi që kishte pardje. Pas alarmit për bombë pardje në mesditë, policia evakuoi nxënësit dhe mësuesit nga mjediset e shkollës. Me urdhër të drejtorit, mësuesit nxorën jashtë të gjithë nxënësit.