Anxhela Tato
Policia: Grabitësit planifikuan sulmin e autobusit, ishin nën efektin e hashashit
Nga të shtënat humbi jetën 25-vjeçari Laurent Tabaku dhe mbeti e plagosur 19-vjeçarja Q. Dihani
Sulmuan me armë autobusin duke i marrë jetën njërit prej pasagjerëve, autorët ishin nën efektin e hashashit. Kjo është pjesë nga deklarata e policisë së Gjirokastrës, e cila ka mundur që të vërë pas hekurave katër autorët e dyshuar, të cilët të maskuar qëlluan në drejtim të autobusit të linjës Athinë – Tiranë. Plumbat i morën jetën 25-vjeçarit Laurent Tabaku, i cili po kthehej të takonte të fejuarën. E plagosur në këtë ngjarje mbeti edhe 19-vjeçarja Q. Dihani, e cila fatmirësisht mori plagën vetëm në pjesën e faqes. Burime zyrtare nga policia rajonale bëjnë me dije se janë ndalur shtetasit Klajdi Tringa, 20 vjeç; Besmir Ruçi, 23 vjeç; Jurgen Lola, 22 vjeç, dhe Gentian Beqiraj, 29 vjeç, që të katërt nga Memaliaj. Nga hetimet rezultoi se Klajdi Tringa, Besmir Ruçi e Jugen Lola të ndihmuar nga Gentian Beqiraj kanë thurur një plan një natë para ngjarjes, në lokalin e fshatit Vasjar. Plani ishte që të grabisnin me armë autobusin e linjës Athinë – Tiranë. Nga hetimet paraprake pas marrjes në pyetje të të rinjve mësohet se, nën efektin e hashashit, ata kanë marrë armët dhe kanë tentuar të ndalojnë autobusin që vinte nga Greqia. Pasi kanë dështuar në ndalimin e autobusit, ata kanë qëlluar me breshëri armësh. “Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se Klejdi Tringa, Besmir Ruçi dhe Jurgen Lola, të ndihmuar nga shtetasi Gentian Beqiraj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 27 janar, në orën 01:00, pas një plani të diskutuar dhe të menduar një natë më parë në një lokal, në fshatin Vasiar, për grabitje në rrugë, nën efektin e përdorimit të lëndëve narkotike kanabis sativa, kanë tentuar të ndalojnë duke qëlluar me armë zjarri e më pas të kryenin vjedhjen e pasagjerëve të autobusit të linjës Athinë – Tiranë, me targa AA 578 GC, në vendin e quajtur Mogila, në aksin rrugor Tepelenë-Krahës”, – citohet në njoftimin e policisë.
Hetimet
Nga hetimet rezulton se autorët më pas janë larguar me automjet tip “Mercedes-Benz” në pronësi të Klajdi Tringës, ku gjatë kontrollit iu gjet një sasi e vogël kanabis sativa. Katër të rinjtë bënë të ditur se armët e krimit i kanë hedhur në lumin Vjosë dhe aty po kërkohen nga polumbarët. Gentian Beqiraj është bashkëpunëtor i ndaluar, pasi iu ka siguruar dhe dhënë armën e krimit automatik tre të rinjve, të cilët kanë gjuajtur në drejtim të autobusit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 aparate telefonash celularë, 5.6 gram lëndë narkotike kanabis sativa, 2 automjete të përdorur nga të rinjtë gjatë kryerjes së krimit. Materialet procedurale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen” kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Prodhim dhe mbajtje e municioneve dhe armëve pa leje”. Ngjarja e sulmit ndaj autobusit ndodhi mëngjesin e 27 janarit rreth orës 01:20 minuta në aksin rrugor Tepelenë – Krahës, në vendin e quajtur Mogila. Si pasojë e të shtënave u plagosen 2 persona, Laurent Tabaku, 25 vjeç nga Elbasani dhe 19-vjeçarja Q. Xhihani. Por Laurent Tabaku, 25 vjeç, nuk u rezistoi dot plagëve dhe humbi jetën pasditen e datës 27 janar.
Eksperti kriminalist
“Grabitja e keqorganizuar, autorët donin të terrorizonin udhëtarët”
Nga Telnis Skuqi
GJIROKASTËR – Familjarët e L. Tabakut nga Elbasani, djaloshi që humbi jetën nga dy plumba qorrë, dy ditë më parë, teksa udhëtonte në autobusin e linjës ndërkombëtare Athinë (Greqi) – Tiranë, tashmë mund të ngushëllohen, pasi policia e Gjirokastrës ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë brenda 48 orëve katër maska-grabitësit, që terrorizuan udhëtarët. “Nuk mund t’ia fal dot vetes që një 25-vjeçar të humbasë jetën, vetëm se ai udhëtonte me autobus, ndërsa vrasësit të jetonin të lirë”, – tha një ekspert kriminalistik, i cili preferoi të ngelej anonim. “I kishim një borxh viktimës”, – shtoi ai. Sipas tij, grabitësit kishin si qëllim të terrorizonin udhëtarët, duke shfrytëzuar errësirën e natës. “Për herë të parë, si ekspert, kam hasur një grabitje tërësisht dështake”, – thotë eksperti. Për të, kjo ngjarje do të mbahet mend. Vrasësit e 25-vjeçarit ishin të keqorganizuar. “Zakonisht grabitësit ushtrojnë presion ndaj “presë”, por kurrë nuk vrasin pa motiv, siç ndodhi 48 orë më parë”, – sqaron eksperti. “Ky detaj, – vijon eksperti, – i dha mundësi policisë të zbulonte në një kohë rekord keqbërësit. Që të gjithë “aktorët” e krimit ishin nën efektin e drogës”, – thekson eksperti i kriminalistikës. Më tej, i njëjti zyrtar tha se gjatë hetimeve u shoqëruan 25 persona, prej të cilëve 20 nga Memaliaj. “Personalisht nuk dua të penalizoj qytezën e Memaliajt. Krimi ndodh kudo”, – specifikon eksperti. Ndërkohë, për herë të parë, kanë dalë në publik fotot e tmerrit që kanë përjetuar udhëtarët në autobusin Athinë – Tiranë që, sipas ekspertit, mund të ishte tepër tragjik. Sipas ekspertit, tragjedia mund të ishte edhe më e madhe, në qoftë se drejtuesi i mjetit nuk do të kishte ndaluar në vend. “Ata qëlluan kuturu drejt autobusit, pa pyetur për pasojat”, – thotë ai. Grabitja e autobusëve në jug të vendit zakonisht ka funksionuar “suksesshëm” për autorët. Një vit më parë, po në këtë segment rrugor u grabit një autobus i linjës ndërkombëtare, fatmirësisht nuk u lëndua asnjë udhëtar. Policia lokale nisi hetimet, por çështja u mbyll për mungesë provash.
Fatorinoja
“U futën në autobus dhe më qëlluan, nuk i njoh agresorët”
Fatmir Marku, fatorinoja që mbeti i plagosur pasditen e së martës, mohon që të ketë probleme ose konflikte. “Nuk i njoh fare personat që më qëlluan me thikë. Autobusi sapo kishte ndaluar dhe u hap dera, kur në ato momente agresorët hynë brenda dhe më qëlluan mua. Nuk thanë asnjë fjalë, thjesht m’u vërsulën dhe më goditën. Nuk i njoh fare ata persona. Mbaj mend që ai që më sulmoi me thike, ishte me gjatësi mesatare, i dobët në fizik dhe zeshkan në tipare. Nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe nuk e di pse më qëlluan”, – ka rrëfyer Fatmir Marku. Ngjarja ka ndodhur teksa autobusi ka qenë në lëvizje pranë urës së Institutit Bujqësor në Kamëz dhe është parë edhe nga pasagjerët, të cilët kanë mbetur të tronditur. Nga të dhënat e para të policisë mësohet se katër pasagjerë janë konfliktuar me fatorinon. Sipas rrëfimit të pasagjerëve, autorët kanë filluar të godasin me shkelma dhe grushte fatorinon, i cili i është përgjigjur sulmit. Por situata ka degraduar në përdorimin e mjeteve të ftohta, kur njëri nga autorët ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar fatorinon. Të tmerruar nga këto skena, pasagjerët nuk kanë mundur dot të ndërhyjnë, por kanë njoftuar policinë, ndërsa shoferi ka ndalur autobusin në Kthesën e Kamzës për të qenë të lirë pasagjerët, ndërsa i është drejtuar Spitalit Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore fatorinos. Blutë kanë arritur që të kenë identikitin e autorëve, të cilët janë shpallur në kërkim. Paralelisht janë ngritur edhe postblloqe në segmentet kryesore për të vënë pas hekurave autorët e këtij krimi që mund t’i kishte kushtuar jetën 33-vjeçarit.