Ligji për financimin e partive Shpërndarja e fondeve përplas partitë e vogla, Fatmir Mediu debate me Nard Ndokën

0
255

Florenc Drizari

 

Firmëtarët e draftit mungojnë tek Ligjet, të pranishëm vetëm kreu i PR-së dhe i PDK-së

 

kom_ligje28.01.2014Ndryshimet që propozohen në ligjin “Për partitë politike” kanë sjellë përplasje qëndrimesh mes partive të vogla parlamentare dhe joparlamentare. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dje projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8580, dt. 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar”. Iniciatorët e projektligjit janë Nard Ndoka, Taulant Balla, Petrit Vasili, Vangjel Dule, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Të pranishëm në mbledhjen e djeshme nga radhët e firmëtarëve të draftit ishin vetëm kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Mungesa e përfaqësuesve të tjerë, sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, erdhi për faktin se një pjesë prej tyre kishte axhendën e zënë brenda dhe jashtë vendit. Përtej këtyre mungesave gjatë diskutimeve në Komision, mes deputetit Ndoka dhe Mediut pati qëndrime të kundërta lidhur me firmosjen e draftit dhe thelbin e tij.

Fillimisht Fatmir Mediu theksoi se deputetët kanë firmosur një amendament që ka një mospërputhje me relacionin dhe për këtë ai propozoi edhe amendamentin e tij. Mes Mediut dhe Ndokës pati edhe debate në seancën e Komisionit.

Mediu tha se projektligji që ka firmosur bashkë me krerët e partive të tjera synon të ulë pragun e nevojshëm të votave për partitë politike, për të përfituar nga fondi publik, dhe jo që partitë joparlamentare të përfitojnë nga 20% i fondit që është caktuar për partitë parlamentare. Mediu theksoi se nga 1% i votave të marra në zgjedhjet e kaluara, që përllogaritet me afro 17 mijë vota, të zbresë në 10 mijë vota në mënyrë që të përfitojnë edhe partitë joparlamentare. Sipas tij, ky ka qenë diskutimi që është bërë dhe me kolegë të tjerë, përfshirë dhe zotin Ndoka.

Por një qëndrim ndryshe mbajti kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i cili vuri theksin tek miratimi i projektligjit të propozuar si një formë që krijon më shumë barazi mes partive politike në raport me votat e marra në zgjedhjet e shkuara. Sipas Ndokës, ka parti që nuk janë në Parlament, por që në koalicion me partitë e mëdha u kanë munduar atyre mandat deputeti dhe mospërfitimi i fondeve u cilësua nga ai si e padrejtë. “Ka parti që kanë marrë 7 mijë vota dhe kanë një financim nga shteti dhe ka parti që kanë marrë 20 mijë vota dhe nuk kanë financim. Pra, pjesa e 20-përqindëshit vendos një lloj barazie. Ndryshimi që ne kërkojmë vendos një standard dhe financon edhe ato parti që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet parlamentare duke prodhuar në koalicionet përkatëse një mandat deputeti”, – deklaroi Ndoka. Nga ana e tij, deputeti Blendi Klosi theksoi se “20-përqindëshi ndahet, por jo se përjashtohen partitë parlamentare nga 20-përqindëshi. Ai ndahet mes partive parlamentare dhe atyre joparlamentare që kanë 10 mijë vota”.

Aktualisht 70 për qind e buxhetit për partitë politike shkon për grupet parlamentare dhe numrin e deputetëve që ato kanë marrë në zgjedhje, 20 për qind financohet për partitë parlamentare dhe 10 për qind për partitë që kanë marrë 1 për qind të votave në rang kombëtarë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Seanca e djeshme për shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8580, dt. 17.2.2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar”, u shty për në seancën e radhës për mungesë të përfaqësuesve të tjerë që kanë firmosur draftin në fjalë.

 

Amendamenti i Fatmir Mediut

 Sipas kreut të PR-së, Fatmir Mediu, nga një përllogaritje e efekteve financiare që do të mund të sillte miratimi i ndryshimit ashtu siç është propozuar, do të rezultonte që të gjitha partive parlamentare do t’u zbritet nga fondi i caktuar vjetor për secilën prej tyre shuma prej 2.261.905 lekë, ndërkohë që një parti tjetër, e cila nuk është parlamentare, por që ka marrë 10 mijë vota do të përfitonte në mënyrë të pajustifikuar 3.166.666 lekë. Financimi i një partie të tillë në masën 3.166.666 lekë ndër të tjera do të krijonte dhe një privilegj të paargumentuar përkundrejt financimit gjithsej, që realisht merr një pati politike e cila aktualisht në zgjedhjet e fundit ka marrë rreth 15 mijë vota dhe një deputet dhe ndërkohë që ajo si parti parlamentare fiton 4.130.536 lekë.

Mediu propozon që ndryshimi i kufirit të votave të nevojshme për përfitim të partive nga fondet vjetore, të sillet si ndryshim në nenin 19, pika 2, gërma c e ligjit e cila shpreh të vetmin instrument ligjor që kategorizon shpërndarjen e fondeve për të gjitha partitë parlamentare dhe joparlamentare bazuar mbi kriterin e numrit të votave të fituara në zgjedhjet e fundit parlamentare.

 

 

 

Debate tek Ligjet për fondet e partive politike

Nard Ndoka: Në këtë aspekt një disbalancë për partitë politike, pra edhe për ato që kanë një peshë elektorale. Ka parti që kanë marrë 7 mijë vota dhe kanë një financim nga shtetit dhe ka parti që kanë marrë 20 mijë vota dhe nuk kanë financim. Pra pjesa e 20 për qindëshit vendos një lloj barazie. Ndryshimi që ne kërkojmë vendos një standard dhe financon edhe ato parti që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet parlamentare duke prodhuar në koalicionet përkatëse një mandat deputeti.
Fatmir Mediu: Projektligji që unë kam firmosur synon të ulë pragun e nevojshëm të votave për partitë politike për të përfituar nga fondi publik. Kështu nga 1 për qind që I bie afro 17 mijë vota të zbresë në 10 mijë vota. Ky ka qenë diskutimi që kemi bërë dhe me kolegë të tjerë përfshirë dhe zotin Ndoka.
Blendi Klosi: Natyrisht që 20-përqindëshi ndahet, por jo se përjashtohen partitë parlamentare nga 20-përqindëshi. Ai ndahet mes partive parlamentare dhe atyre jo parlamentare që kanë 10 mijë vota.
Nard Ndoka: Ideja e ndryshimit dhe ndërhyrja te 20-përqindëshi bëhet me logjikën që ato parti e kanë marrë një deputetë duke ua dhënë koalicioneve. Kjo është logjika.
Fatmir Mediu: Ç’quhet parti parlamentare është definuar në ligjin për partitë politike. Ndaj ky ndryshim që bëhet për t’i konsideruar parti parlamentare bie ndesh me ligjin. E dyta parazitizmi nuk ekziston në asnjë ligj sepse po të jetë ashtu hajt ta bëjmë që të ndajmë dhe 70-përqindëshin. Thelbi është 10-përqindëshi për partitë joparlamentare dhe ai duhet të ndahet jo më me pragun 17 mijë vota por 10 mijë vota.
Fatmir Xhafaj: Firmoset relacioni që shoqëron amendamentin dhe logjika është që ai që ka bërë relacionin ka bërë dhe amendamentin. Kjo nuk ka ndryshuar rrugës në parlament, sepse pot ë ndodhte kjo do ishte përgjegjësi e Kuvendit.
Fatmir Mediu: Po, ka ndryshuar.
Kastriot Islami: Kjo prek dhe filozofinë e ndarjes së fondit për partitë politike. Në rast se duam të ndryshojmë kuotat për partitë joparlamentare le ta bëjmë 15 për qind për partitë joparlamentare dhe 85 për qind për partitë parlamentare. Më mirë të bëjmë këtë lloj rregullimi por jo të prekim parimin dhe të bëjmë një interpretim të sforcuar.