Hyjnë në fuqi ndryshimet Si do të bëhet sigurimi shëndetësor dhe deklarimi i fitimit për biznesin e vogël

0
173

tregu frutaPas miratimit të paketës fiskale, subjektet duhet të kenë kujdes për të zbatuar ndryshimet, në mënyrë që të shmangin gjoba. Tatimet kanë vënë në dijeni se çfarë ka ndryshuar, çka pasqyrohet më poshtë.

 

Kontributet shëndetësore

 

Nga data 1 janar 2014, kanë hyrë në fuqi ndryshimet e ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, i ndryshuar. Duke filluar me pagat e periudhës tatimore janar 2014, paga mujore mbi të cilën do të llogariten kontributet e detyrueshme te kujdesit shëndetësor:

– për të punësuarit, është paga bruto e personit të siguruar, por jo më e vogël se paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, aktualisht 22.000 lekë, dhe pa kufi të sipërm

– për punonjësit e vetëpunësuar (person fizik) dhe për punonjësit (pjesëtarët) e papaguar të familjes me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht, është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. Aktualisht kjo pagë është 38.052 lekë (dyfishi i pagës minimale, sipas VKM nr. 1114, datë 30.7.2008, i ndryshuar. Masa e kontributit të sigurimit të detyruar shëndetësor është 3.4% e pagës.

– për sigurimet shëndetësore vullnetare është dyfishi i pagës minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve.

 

Tatimfitimi

Për tatimpaguesit e biznesit të vogël me qarkullim vjetor 2 – 8 milionë lekë ka ndryshuar afati dhe mënyra e deklarimit. Administrata Tatimore njofton se, bazuar në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, për të gjithë tatimpaguesit subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël, afati i plotësimit dhe dorëzimit të Deklaratës së TAPBV për vitin 2013 është data 10 shkurt 2014. Tatimpaguesit, subjekt i kësaj takse, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë pranë Administratës Tatimore Deklaratën e Tatimit mbi Të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël (TAPBV).

– Bazuar në VKM nr. 55, datë 3.2.2010, “Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”, i ndryshuar, deklarata e TAPBV-së dorëzohet vetëm në mënyrë elektronike.

– Pagesa e diferencës së Taksës Vendore mbi Biznesin e Vogël, mund të kryhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë ose sporteleve të Postës Shqiptare.

 

Mashtrimi me TVSH-në

Zbardhet skema e përfitimit të 26 mln dollarëve, 9 persona nën hetim

 Zbulohet skema e re e mashtrimit për përfitimin e TVSH-së. Sinjalizimet kanë ardhur nga Drejtoria e Tatimeve, ndërsa ka qenë Prokuroria që ka evidentuar dhe identifikuar personat e përfshirë dhe shkaktimin e dëmit prej 26 milionë dollarësh. Nga ana e organit të akuzës i është kërkuar Gjykatës lëshimi i urdhrit të arrestit për 9 persona, të cilët merreshim në tregtinë e skrapit. Në pranga kanë përfunduar 5 persona dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuar janë Xhelil Toshi nga Kruja, Besnik Daci nga Elbasani, Sokol Shatko, Roland Simolla dhe Pashako Muha nga Tirana, ku ndaj kësaj të fundit është vendosur masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. Skema e mashtrimit me TVSH-në bëhej nëpërmjet krijimit të kompanive fantazmë. “Nga hetimet, ka rezultuar, se këto subjekte tregtare kanë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyre fiktive, persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar, me qëllim tërheqjen e blloqeve të faturave të TVSH-së, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH-së në vlerën e sipërpërmendur. Në këtë skemë mashtrimi me TVSH-në janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së për çdo blerje”, – bëhet me dije nga Prokuroria e Tiranës. “Ky hetim është iniciuar nga strukturat e inteligjencës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe më pas veprimet procedurale dhe hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie, që shtrihet në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, etj. Të arrestuarit, kanë konsumuar plotësisht elemente të veprave penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim, falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve në bashkëpunim”, – sqarohet nga Drejtoria e Tatimeve. 

 

Papunësi e lartë në Ballkanin Perëndimor

 Tregu i punës në vendet e Ballkanit Perëndimor që përfshihen Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, karakterizohet nga një nivel shumë i lartë i papunësisë.

Disa studiues të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë analizuar rezultatet e dobëta të tregut të punës në këto vende krahasuar me anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian dhe me ekonomitë e zhvilluara. Rezultatet sugjerojnë se tregu i varfër i punës në terma afatgjatë në Ballkanin Perëndimor ka rrënjë strukturore, si për shembull, mungesa e institucionalizimit të tregut të punës, faktorët e ndryshëm të kostos së punës dhe në mënyrë të veçantë procesi i papërfunduar i tranzicionit. Për këto arsye, autorët e këtij studimi, që është publikuar në faqen zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por që nuk përfaqëson zyrtarisht qëndrimin e këtij institucioni, japin disa rekomandime për krijimin e vendeve të reja të punës.

Kushtet e tregut të punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë një numër të madh ngjashmërish midis tyre, por në përgjithësi janë dukshëm shumë më të këqija se në vendet e Bashkimit Evropian, pavarësisht se ndodhën në krizën më të thellë ekonomike që pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu vendet ballkanike kanë nivel më të lartë të papunësisë tek të rinjtë. Performanca e dobët e tregut të punës është shqetësimi kryesor social, që dëmton rritjen ekonomike në terma afatmesëm dhe afatgjatë dhe paraqet sfida të mëdha për qeveritë respektive.

Normat e ulëta të punësimit, nënkuptojnë më pak pagesa, ndërsa të papunët rrezikojnë të humbasin aftësitë e tyre duke e bërë më të vështirë për të rigjetur një vend pune në të ardhmen. Nga ana tjetër, ky cikël mund të rrisë shkallën natyrore të papunësisë duke krijuar efekte të ashtuquajtura “histerike”. Gjithashtu, shkalla shumë e ulët e punësimit të të rinjve mund të pengojë procesin e përmirësimit të kapitalit njerëzor dhe rrit varësinë nga mbështetja me ndihmë sociale, duke pakësuar potencialit afatgjatë të rritjes ekonomike. Dhe së fundmi, normat e larta të papunësisë krijojnë një barrë shtesë mbi financat publike në aspektin e përfitimeve të asistencës së papunësisë.

 

 

Ndryshon gjeografia e eksporteve “Made in Albania” gjatë vitit 2013

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, Italia ka vijuar të mbetet partneri kryesore përgjatë vitit 2013. Në vlerë absolute, eksportet drejt këtij shteti janë rritur me 5% me bazë vjetore, duke arritur në 114 miliardë lekë. Megjithatë, pasha e Italisë drejt totalit, ka rënë në 46%, nga 51% që ishte në 2012-ën, për shkak të rritjes më të shpejt të shitjeve jashtë vendit nga shtetet e tjera. Produkti kryesor i eksportuar drejt Italisë janë tekstilet e këpucët, me 52% të totalit.

Spanja prej tre vitesh është kthyer në partnerin e dytë kryesor të vendit. Eksportet drejt këtij vendi u rritën me shpejtësi nga zero disa vjet më parë, ndërkohë që vijuan të zgjerohen me ritme të moderuara edhe në 2013-ën. Sipas INSTAT, shitjet drejt Spanjës u rritën me 22%, në 24 miliardë lekë. Në këtë shtet shkuan 10% e eksporteve tona, nga 9% që ishte kjo peshë një vit më parë. Produkti kryesor që shkon në Spanjë është grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 93% të totalit. Këtë vit u konstatuan dhe rritja e eksporteve të tekstileve e këpucëve, por ato mbeten sërish të ulëta.

Ka një rritje të ndjeshme të eksporteve dhe drejt shteteve të tjera të BE-së, që sipas INSTAT-it u zgjeruan me rreth 130% në 30 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë.

Drejt Kosovës, eksportet shënuan një rënie me bazë vjetore me 6%, si rrjedhojë e ngadalësimit të eksporteve të materialeve të ndërtimit e metaleve, pas bllokadës së produkteve shqiptare nga pala e Kosovës. Ky produkt gjithsesi, zinte 52% të totalit të shitjeve tona në shtetin fqinjë.

Drejt Kinës, eksportet pothuajse u dyfishuan, duke arritur në 11 miliardë lekë.

U shënua një rritje e ndjeshme me 43% edhe e eksporteve drejt Gjermanisë, por pesha e tyre mbetet e ulët në raport me vitet e kaluar, kur Gjermania ishte partneri i tretë apo i katërt i Shqipërisë.

Shitjet drejt Turqisë shënuan një tkurrje të fortë prej 31% me bazë vjetore.

Eksportet drejt shtetit grek kanë vijuar rënien për të disatin vit radhazi, duke bërë që Greqia të renditet vetëm në partnerin e tetë tregtar, nga vendi i dytë që zinte pak vite më parë. Në 2013-ën u shënua një rënie me bazë vjetore prej 17%, në 7.8 miliardë lekë.