Anxhela Tato
Policia: Të arrestuarit u mbajtën në përgjim, do të grabisnin një pikë në Pogradec
Grabitja në Ibë, kërkuan furnizimin me karburant të makinës, dhunuan punonjësit dhe morën 13 mijë lekë
Goditet një grup grabitësish, të akuzuar për vjedhjen me dhunë të disa pikave të karburanteve në qytete të ndryshme të vendit. Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë arrestuar në momentin që po përgatiteshin të kryenin një vjedhje me dhunë në rrugën Tiranë – Pogradec. Ndaj tyre ka nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se janë autorët e vjedhjes me dhunë të një pike karburanti pranë fshatit Ibë, Tiranë, ngjarje e ndodhur më 23 janar. Nga informacionet paraprake, personat e arrestuar ditën e djeshme kanë pranuar autorësinë e disa ngjarjeve të ngjashme. Në prangat e bluve kanë rënë Aleksandër Daci, Kristi Koleci, Bashkim Mellungja, Ndue Deshaj, Rigels Halmusaj, si dhe është shpallur në kërkim Fredi Mëllugja. Dyshohet se ky grup është i përfshirë në gjashtë raste grabitjesh të ndodhura brenda një harku kohor prej tre muajsh nga nëntori-janar.
Prokuroria
Sipas hetimeve të organit të akuzës, më datë 23 janar, në vendin e quajtur Bërzhitë, tek karburanti “E”, persona të paidentifikuar janë afruar me një automjet tip “Volkswagen”, i cili ka kërkuar që të furnizohej me benzinë në shumën 5000 lekë. Në momentin që mjeti ka mbaruar së furnizuari, njëri nga personat që ishte në mjet e që ishte përjashta tij në momentin e furnizimit, ka goditur punonjësin e karburantit e më pas kanë ndërhyrë në goditje edhe personat e tjerë që ishin në mjet. Ata kanë vazhduar të ushtrojnë dhunë ndaj dy punonjësve të karburantit. Pas kësaj ata kanë marrë me dhunë shumën 13.000 lekë në zyrën e karburantit si dhe tre aparatë celularë me numrat përkatës në ta. Pas kryerjes së vjedhjes ata kanë lidhur me natriban dy punonjësit e janë larguar me shpejtësi. Nga hetimet ka rezultuar se më datë 2 janar, Rigels Halmusaj komunikon me shtetasin Aleksandër Daci, lidhje e ngushtë shoqërore me të. Në komunikimet e kryera rezulton se po përgatiteshin që të kryenin një vjedhje me dhunë në një pikë karburanti në aksin rrugor Tiranë – Korçë. “Konkretisht rreth orës 18:45 është konstatuar mjeti me targa “AA xxxxx XX”, i cili është në përdorim të R. Halmusajt, përdorur në vjedhjen me dhunë të karburantit “E” më datë 24 janar. Mjeti në fjalë ishte i parkuar në vendin e quajtur rruga e Laknasit në Kamëz. Rreth orës 20:00 në këtë mjet ka hipur shtetasi R. Halmusaj dhe më pas K. Koleci, tek stacioni i autobusëve të Kamzës ka hipur F. Mellugja, A. Daci dhe B. Mellugja. Kanë ndaluar tek pika e karburantit “B”, ku janë furnizuar me karburant dhe më pas kanë lëvizur në drejtim të aksit rrugor Tiranë – Elbasan. Në vendin e quajtur Hotolisht, janë ulur në një lokal, duke vazhduar lëvizjen në drejtim të Pogradecit. Në dalje të Pogradecit kanë ndaluar në një pikë lotoje sportive, kanë qëndruar për rreth 15 minuta dhe më pas kanë lëvizur në drejtim të Korçës. Në hyrje të fshatit Nizhavec, janë takuar me një person, i cili është identifikuar nga ana jonë me emrin O. Bacllari. Pasi kanë qëndruar për rreth 15 minuta, kanë lëvizur sërish në drejtim të aksit rrugor Korçë – Pogradec – Elbasan – Tiranë. Gjatë gjithë rrugës, këta shtetas ndalonin shpejtësinë kur shkonin pranë pikave të karburanteve. Në Pogradec janë shoqëruar nga policia dhe pas verifikimeve janë lënë të lirë. Në zonën e Saukut janë shoqëruar në polici. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet janë gjetur disa kaçavida, ngjitës natriban si dhe një mjet prerës biçak”, – thuhet në dosjen hetimore të akuzës.
Lista e grabitjeve
1. Në datë 16 nëntor 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;
2. Në datë 24 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në Ibë të Komunës Bërzhitë;
3. Në datë 13 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Laçit;
4. Në datë 15 janar 2013, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Burrelit;
5. Në datë 17 janar 2014, vjedhje e një pike karburanti në qytetin e Lushnjës, në vendin e quajtur Qendër-Gramsh;
6. Vjedhje me dhunë e një pike karburanti në qytetin e Vorës.
Vrasja e Almir Canit
Prokuroria kërkon 25 vjet burg për Olti Lamçen
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan kërkon 25 vjet burg për Olti Lamçen, i akuzuar për vrasjen e Almir Canit. Lamçe akuzohet për “Vrasje me paramendim”, ndërkohë që burg kërkohet edhe për vëllain e tij, Florian Lamçe, dhe shtetasin Kliton Gjyla, përkatësisht me 3 vjet dhe 2 vjet burg. I pandehuri Olti Lamçe përpara ngjarjes së vrasjes ka ndenjur shpeshherë në lokalin në pronësi të viktimës Almir Cani, i cili punonte së bashku me nipin e tij shtetasin E. C. në banesa të ndryshme të rrethit të Elbasanit. Rreth një vit e gjashtë muaj përpara kësaj ngjarjeje, shtetasi E. C., me ndërmjetësimin e shtetasit A. K., ka marrë për të bërë një palë shkallë në banesën e shtetasit S. Furrxhiu. Me qëllim që ta mbaronte sa më shpejt këtë punë, shtetasi E. C. ka thirrur për ta ndihmuar dhe xhaxhain e tij, viktimën Almir Cani. Pasi kanë bërë pazar me S. Furrxhiun, shtetasi E. C. ka filluar punën për ngritjen e shkallëve. Shtetasit E. C. dhe Almir Cani kanë filluar punën dhe për shkaqe të ndryshme këtë punë e kanë bërë ngadalë. Në muajin dhjetor të vitit 2011 dhe janar të vitit 2012, mes E. C. dhe S. Furrxhiut kanë filluar kontradiktat në lidhje me vlerën e punës që E. C. së bashku me viktimën Almir ishin duke bërë. Gjatë kësaj kohe, E. C. i ka kërkuar S. Furrxhiut paratë për punën e kryer. Në kohën që janë bërë këto debate mes E. C. dhe S. F. në dy raste i pranishëm ka qenë edhe viktima Almir, i cili ka debatuar me S. F. Pas këtyre debateve të bëra mes shtetasve S. F. e E. C. dhe viktimës Almir Cani, këta të fundit kanë shkuar në banesën e shtetasit S. F., me qëllim që t’i kërkonin paratë për punën e bërë, por S. F. nuk ua ka hapur derën e banesës. Me datë 16.2.2012, viktima Almir Cani ka qenë në lokalin e tij dhe aty më pas kanë shkuar nipi i tij, shtetasi E. C., së bashku me shtetasin A. B. Pasi janë ulur të pinë kafe në lokal, Almiri ka thirrur personin nën hetim, shtetasin Olti Lamçe, dhe një person tjetër të paidentifikuar me emër. Në bisedë e sipër Almiri i ka kërkuar Oltit dhe personit tjetër që të shkonin së bashku me E. C. tek farmacia e shtetasit I. Furxhiu për t’i kërkuar lekët. Por I. F. ka refuzuar t’i japë para, duke i thënë që të drejtoheshin te babai. Personi i paidentifikuar ia ka nxjerrë armën I. F., i cili është trembur dhe i ka kallëzuar babait. Të dy kanë denoncuar Almirin dhe nipin e tij. Por gjatë bisedës në polici ka dalë emri i Oltit, i cili nuk është ndier mirë dhe është hakmarrë ndaj Almirit, duke e vrarë me sende të forta në darkën e 22 shkurtit 2012 në lokal.
Gjykata e Lartë
Fatos Skeja kërkon ndryshimin e masës së sigurisë
Teksa është në burg me akuzën e gjobëvënies dhe pengmarrjes ndaj biznesmenit Ramazan Hima, ish-truproja i Sali Berishës, Fatos Skeja, dhe bashkëpunëtori i tij, Gojart Loci, kërkojnë lirinë në Gjykatën e Lartë. Skeja dhe Loci u arrestuan vitin e kaluar, ndërsa për ta Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ish-truproja i Berishës, Fatos Skeja, bashkë me Gojart Locin, janë të arrestuar për gjobëvënien dhe pengmarrjen e biznesmenit shqiptaro-amerikan Ramazan Hima, të cilit i kërkonin shumën prej 100 mijë dollarësh. Skeja dhe Loci i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për rekurs dhe kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë të arrestit me burg, masë kjo e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda. E ndërsa vetë Skeja e ka mohuar gjithmonë akuzën e ngritur ndaj tij, Prokuroria e Krimeve ka kërkuar “Arrest me burg”, pasi nga hetimet ka rezultuar se një fije floku dhe disa gjurmë të gjetura në automjetin e përdorur në pengmarrje i përkasin Skejës dhe Locit. Gjykata e Lartë ende nuk ka vendosur një datë për shqyrtimin e kërkesës, ndërsa relator i çështjes do të jetë gjykatës Mond Islamaj.
Pogradec
Shpërthen makina, shpëtojnë shoferi dhe pasagjeri
Një makinë ka shpërthyer në ecje e sipër në rrugën nacionale Korçë – Pogradec. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme afër fshatit Pirg dhe fatmirësisht kanë mundur të shpëtojnë dy personat që udhëtonin në automjetin “Range Rover”. Shoferi dhe pasagjeri kanë arritur të dalin nga mjeti, pa pasur dëmtime. Policia e Shtetit deklaron se nuk kemi të bëjmë me një shpërthim me lëndë eksplozivi, por me një shpërthim për shkak të një defekti që ka pasur në motorin e makinës. Fillimisht u dyshua se makina me targa AA 550 GJ kishte shpërthyer nga lëndë me eksploziv, pasi është dëgjuar një shpërthim i fortë dhe flakët kanë përpirë makinën. Ende nuk dihet se kujt i përket automjeti i djegur nga shpërthimi.