Akreditimi, një proces plot pikëpyetje
Kurse kualifikimi për të gjithë nxënësit
Korrupsioni në disa prej institucioneve të arsimit të lartë dhe në shkollat e mesme ka bërë që Ministria e Arsimit dhe Sportit të marrë masat për nisjen e një kontrolli. Ka qenë ministrja e Arsimit, Linidita Nikolla, e cila ka paralajmëruar se çdo shkollë do të monitorohet për sa u përket kushteve të mësimdhënies, por edhe për cilësinë e diplomave. “Shkollat dhe universitetet do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm për nivelin e nxënësve që nxjerrin nga bankat e shkollës, por njëkohësisht edhe për cilësinë e diplomave që lëshojnë”, – u shpreh Nikolla. Po kështu, ministrja ka kërkuar që shkolla të largohet nga politika. “Cilësinë e diplomave, qoftë me adresimin e burimeve njerëzore, konform profileve, pa folur pastaj për ato procese që jemi të vendosur për të kaluar njëherë e përgjithmonë në kuptimin e largimit të shkollës nga politika e të largimit nga procedura dhe përvoja që nuk i kanë shërbyer arsimit lidhen me aktet nepotike, klienteliste, pse jo, edhe korruptive të vendosjes të gjithë linjës drejtuese të arsimit, duke filluar që nga mësuesi e kështu me radhë”, – tha Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit. Këto deklarata ministrja Nikolla i bëri gjatë një takimi me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë. Gjatë kësaj tryeze, përfaqësuesit e sindikatave kanë përcjellë edhe disa probleme, si uljen e ngarkesës mësimore, dhënien e pagës së 13-të, shpërblime deri në 2 paga për mësuesit që dalin në pension, ndërkohë që në planet e mëvonshme parashikohet nënshkrimi i një kontrate tjetër kolektive, si dhe ndryshimi i ligjit të arsimit parauniversitar për emërimet e drejtorëve dhe mësuesve.
Kurse
Ministrja e Arsimit ka premtuar ndërkohë edhe kurse kualifikimi për çdo arsimtar, si testimin e çdo nxënësi për nivelin e mësimnxënies. “Do të marrim shkollë për shkollë, mësues për mësues, pse jo, emër për emër, për çdo grup lënde në çdo mësues, të gjithë nevojat që mësuesit kanë në kualifikim. Nga ana tjetër, procese kualifikuese që kanë me bazë shkollën, që kanë me bazë grup lënde të caktuara duke rritur kompeticionin”, – tha Lindita Nikolla.
Akreditimi
Procesi i akreditimit të universiteteve duket se ka ngelur në vend. Muajt e fundit nuk është akredituar asnjë institucion arsimor, kjo për shkak dhe të specialistëve të MAS, të cilët deklaruan para disa muajsh se akreditimi do të nisë nga e para. Kjo deklaratë duket se tërhoqi një pjesë të drejtuesve të arsimit, të cilët presin ndryshimet që mund të paraqiten këtë proces.
Maturantët nuk janë njohur ende me programet orientuese
Kur kanë mbetur edhe katër muaj nga provimet e Maturës Shtetërore 2014, Ministria e Arsimit ende nuk ka publikuar programet orientuese. Programet duhet të ishin publikuar deri në fund të muajit janar, por mospërgatitja në kohë ka bërë që specialistët e Ministrisë së Arsimit të mos i bëjnë publike. Pa programet orientuese, asnjë maturant nuk mund të nisë përgatitjet për provimet e maturës. Këtë vit do të jenë 3 provime të detyruara (Matematikë, Gjuhë-Letërsi, Gjuhë e Huaj) dhe 2 me zgjedhje.
Ironi në mbledhjen e Komisionit
Deputetët e opozitës: Shëndetësia është falas, po shkove në spital, të japin edhe lekë
Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, miratuan në unanimitet ditën e djeshme ratifikimin e marrëveshjes për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë austriake, për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë. Ministri Ilir Beqaj u shpreh se brenda vitit spitali Onkologjik do të pajiset me një aksilerator linear për trajtimin e të sëmurëve me tumore, ndërkohë që po mendohet që ky projekt të shtrihet edhe në spitale të tjera rajonale. “Sëmundjet tumorale po rrisin incidencën nga vitit në vit dhe për fat keq ne po i zbulojmë në stade të avancuara, ndërkohë që me masat që duam të marrim dhe ato të parashikuara në buxhet do ta rrisim ndjeshëm kujdesin shëndetësor për trajtimin e këtyre sëmundjeve. Në vitet e qeverisjes së mëparshme janë bërë investime të mira në pajisjet mamografike. Për fat të mirë i kemi në gjendje pune, por shkalla e përdorimit të tyre mbetet e ulët. Ne duam që këtë vit, të kalojmë në kontrata full risk, ndërsa vitin tjetër, mirëmbajtja e aparaturave do të mbulohet nga Agjensia e Pajisjeve Biomjekësore”, – tha ministri i Shëndetësisë. Pas këtyre deklaratave, kanë reaguar dhe deputetët e opozitës. “Shëndetësia është bërë falas, bile ata të japin para po u vizitove. Po derdhin ilaçe nga penxheret, depot dhe në spital vetëm 14 kioska kanë ngelur. Sytë tanë na mjaftojnë të kuptojmë se ku po shkon shëndetësia”, – u shpreh Florion Mima.
Këshillat
Kujdesi që duhet treguar për shtëpinë
Edhe pse myku zakonisht ka një nuancë të zezë (ose kafe), mos e neglizhoni në qoftë se shikoni njolla jeshile, të verdha ose akoma edhe rozë. Është e rëndësishme të dini se, myku rishfaqet sipas një cikli. Në ambientet e shtëpisë që mblidhen avuj uji, p.sh. në banjo, në kuzhinë, në dhoma ku ekzistojnë lavatriçe dhe tharëse rrobash, kujdesuni të ekzistojë patjetër një sistem ajrimi. Vëzhgoni nivelet e lagështisë. Për ata që jetojnë në zona me nivele të larta lagështie, është mirë të mësojnë të kontrollojnë nivelet e saj. Gjatë muajve të dimrit, nivelet e lagështisë duhet të arrijnë rreth 30%, shkruan Telegrafi. Kujdesuni që të mos ekzistojnë vatra uji dhe rrjedhje brenda në shtëpi. Nëse ndonjë tub i brendshëm është çarë, nëse ka rrjedhje në çati ose çarje nëpër mure që lejojnë hyrjen e ujit brenda në shtëpi, meremetoni dëmtimin menjëherë. Brenda 24 orëve kërpudhat e mykut arrijnë të shtrihen ndjeshëm. Në qoftë se për ndonjë arsye, zakonisht nga reshjet e shiut ose rrjedhjet – ndonjë dhomë e shtëpisë është përmbytur, boshatiseni dhe mundohuni të thani ambientin me ajër të ngrohtë ose kondicioner. Në qoftë se keni astmë ose vuani nga alergjitë drejtohuni tek një specialist ose një mik që mund t’ju ndihmojë në pastrim. Që të kontrolloni nivelin e lagështisë në shtëpi, pajisuni me një lagështimatës. Niveli i pranueshëm duhet të lëvizë nga 30% deri në 50%.