Anxhela Tato
Ledion Gjika: Ndihesha i vetmuar, se prindërit nuk më kishin ardhur për vizitë
Loja për të tërhequr vëmendjen e të afërmve mori përmasa të frikshme, vuri në rrezik 465 të dënuar
Mërzitjen dhe stresin nga mungesa e vizitave të familjarëve 23-vjeçari i ka shfryrë duke i vënë zjarrin burgut të Rrogozhinës. Ledion Gjika ka rrëfyer se ndihej shumë i vetmuar, pasi të afërmit e tij kishin kohë që nuk shkonin ta takonin. Kjo gjendje ishte shumë stresuese për 23-vjeçarin, i cili ka zgjedhur të thyejë heshtjen për të tërhequr vëmendjen e të afërmve. Zjarrvënia ishte një shenjë SOS për familjarët e 23-vjeçarit Gjika, i prangosur katër herë për vjedhje. Por i riu nuk ka llogaritur se nga ky shpërthim mund t’u merrte jetën bashkëvuajtësve të tij, 465 të dënuarve që ka burgu i Rrogozhinës. Gjika tregon fillimisht se ai dhe shoku i qelisë, 18-vjeçari Jurgen Muçellari, kishin vënë bast nëse do të ishte e lehtë që burgu të përfshihej i tëri nga flakët. Por loja e dy djemve është shndërruar në rrezik vdekjeje për të paraburgosurit dhe të dënuarit. Vetëm brenda pak sekondash çdo gjë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar edhe asfiksimin e 50 të dënuarve. Çdo gjë ishte një lojë për dy djemtë, të cilët donin të tërhiqnin vëmendje. Por basti i tyre mori përmasa të frikshme, flakët që u përhapën me shpejtësi rrezikuan 220 të paraburgosurit. Në të njëjtin rrezik u ndodhen edhe 465 të dënuarit që ndodheshin në katet e tjerat të burgut të Rrogozhinës. Ngjarja e disa ditëve më parë ka tërhequr vëmendjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë godinë me mbipopullim jo të natyrshëm, 30 deri në 40 persona në një dhomë paraburgimi, ka zëra që thonë se mund të ndodhë çdo gjë, nga vënia e zjarrit deri tek shpërthimi i tij. Kjo situatë ka alarmuar autoritetet e burgjeve, të cilët po përgatiten për vendosjen e rregullave të reja në burgje. Pritet kufizimi i bombolave të gazit dhe shtim të atyre që do të përdoren për fikjen e zjarrit.
Hetimi
Jurgen Muçellari, 18 vjeç, i arrestuar për veprën penale “Armëmbajtje pa leje” dhe Ledion Gjoka, 23 vjeç, i arrestuar për “Vjedhje”, të dy nga Fieri, janë të paraburgosurit-shkaktarë që dyshohen se i vunë flakën burgut të Rrogozhinës. Aludohet se zjarri është vënë në shenjë proteste për kushtet e këqija në të cilat po jetonin dhe pasi askush nuk i ka dëgjuar ankesat e tyre, dhe për këtë arsye dy të paraburgosurit u kanë vënë flakën dyshekëve të qelisë me një leckë të cilën e ndezën me çakmak. Kjo është konstatuar dje pasi verifikimit që grupi hetimor u ka vërë pamjeve të kamerave të sigurisë. Hetimet i kanë kaluar prokurorisë së Kavajës dhe dy të paraburgosurit do të hetohen për “shkatërrimin e pronës me zjarr” në bashkëpunim. Skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së burgut, ku shihet qartë që ata kanë ndezur një leckë dhe më pas i kanë vënë zjarrin dyshekut. Të njëjtat burime policore nuk kanë përjashtuar se kjo do të ishte një tentativë arratisje, ku duke përfituar nga rrëmuja e krijuar ata do të arrinin t’i shpëtonin gardianëve të burgut. Të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës së bashku me pamjet filmike, ndërsa dëshmia e dy të rinjve pritet të zbardhë mjaft detaje nga kjo ngjarje e cila rrezikoi seriozisht jetën e më shumë se 100 të burgosurve.
Grabitja e babagjyshave
Hetimet, gjenden gjurmë gishtash në derën e daljes së emergjencës
Policia e Tiranës ka siguruar gjurmën e një dore, si provën e dyshuar të njërit prej babagjyshave grabitës të qendrës tregtare “Tirana East Gate” (TEG). Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme pranë prokurorisë së kryeqytetit, dhe përbën një provë kyçe për grupin hetimor në zbardhjen e ngjarjes. Të njëjtat burime thanë se gjurma është gjetur në derën e daljes së emergjencës, nga e cila kanë kaluar grabitësit pasi kryen plaçkitjen e argjendarive dhe sendeve të florinjta në dyqanin e katit të parë të qendrës tregtare. Është një derë që nuk përdoret gjatë ditës, dhe se pastrohet thuajse çdo ditë, ndaj ekspertët kanë qenë të sigurt se gjurma lidhet me ngjarjen. Autorët kanë përdorur doreza gjatë grabitjes, dhe dyshohet se kanë nisur t’i heqin ato në dalje. Nga krahasimi i kryer me gjurmët e kontingjenteve me tendenca për kryerjen e ngjarjeve kriminale në Shqipëri, pëllëmba ka rezultuar e pastër, e paimplikuar në asnjë nga këto ngjarje. Në cilësinë e provës materiale janë edhe gëzhojat e qitura nga dy breshëritë gjatë largimit prej grabitësve. Sipas organit të akuzës gëzhojat i përkasin të njëjtës armë, dhe nga ekspertiza balistike nuk rezultojnë të jenë qitur nga asnjë prej dy automatikëve të gjetura në një kontejner mbeturinash pranë spitalit të Sanatoriumit të nesërmen e ngjarjes. Armët e gjetura dyshohen të jenë hedhur nga poseduesit ndoshta të frikësuar se do ua gjente policia gjatë kontrolleve. Hetuesit dyshojnë se armët dhe personat që i kanë hedhur ato në kontejner nuk kanë lidhje me grabitjen e TEG-ut. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 dhjetorit, kur 4 persona të veshur si babagjyshave të krishtlindjeve hynë në TEG dhe grabitën sende me vlerë dhe argjendari, me vlerë mbi 200 mijë euro. Ngjarja është ende pa autor, ndërsa policia ka piketuar dhe po mban në survejim disa grupe grabitëse të zonës së Fushë-Krujës dhe Laçit, ndërsa ka dyshime që autorët mund të jenë edhe kosovarë.
Itali
Trafikoi 60 kg argjend, nën hetim bosi shqiptar i arit
Prokuroria e Arecos në Itali vendos të gjurmojë në Zvicër pasuritë e shqiptaro-zviceranit Petrit Kamata, bosi i bosëve të floririt dhe argjendit, për një çështje ku ishin sekuestruar 60 kg argjend dhe 1 kg e gjysmë ar. Mediet italiane shkruanin dje se prokurori Marco Dioni i ka nisur një letër-porosi autoriteteve zvicerane në kuadër të çështjes hetimore “Fort Knox”, ku është vendosur konfiskimin i vilës, prej të cilës mori emrin procesi hetimor. Bëhet fjalë për 27 korrikun e vitit 2011, kur në brendësi të një mjeti tip “Peugeot”, shoferi i së cilës ishte një napolitan 35 vjeç, u gjet një gjysmë milionë euro, së bashku me 60 kg argjend dhe 1 kg gjysmë flori. Ekspertët e kuptuan menjëherë se napoletani nuk ishte pronari i këtyre shufrave dhe më pas nga hetimet doli edhe emri i shqiptarit Kamata, si organizatori kryesor dhe bosi i këtij trafiku të paligjshëm. Në akuzë pritet të vendosen 62 persona, 40 prej tyre të akuzuar për pastrimin e parave dhe mashtrimit me taksat. Gjatë hetimeve, ekspertët e kishin ndjekur hap pas hapi aktivitetin e organizatës, nëpërmjet thirrjeve telefonike që argjendarët dhe korrierët shkëmbenin, pa shumë masa paraprake. Trafiku i paligjshëm i arit dhe argjendit vijonte deri poshtë në Sicili. Pastaj shufrat e argjendit dhe arit janë dërguar në Areco, që ishte qendra kryesore e lidhjes me Zvicrën. Më tej nëpërmjet korrierëve në Komo organizohej gjithçka, ku paratë dhe shufrat e materialeve të çmuara dërgoheshin për në Zvicër, duke i vendosur në pjesët fundore të dyfishta të makinave.
Korçë
Gjendet e vdekur 72-vjeçarja, vuante nga skleroza
Një grua 72-vjeçare është gjetur e vdekur në një fshat të Korçës, në një tokë pranë fshatit Çiflig. Kanë qenë banorët e zonës që e kanë gjetur dje trupin e pajetë dhe kanë njoftuar policinë. Blutë ka arritur në vendin e ngjarjes për zbardhen e shkaqeve që i kanë sjellë vdekjen, ndërkohë që bëhet e ditur se gruaja është identifikuar nga familjarët si Donika Serani, 72 vjeçe, nga fshati Çiflig dhe vuante nga skleroza. Ajo kishte 5 ditë që ishte larguar nga banesa e saj. Trupi i viktimës mësohet se është gjetur dje pasdite nga kalimtarë të rastit në fshatin Çiflig, të cilët më pas kanë lajmëruar policinë. Nga hetimet e para mësohet se nuk ka shenja dhune në trupin e viktimës dhe dyshohet se 72-vjeçarja ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale.