Vrasësi me pagesë/ I pagabueshëm në shënjestër, qëllon deri në 55 metra

0
195

Anxhela Tato

 

Provohet në poligonin e qitjes Julian Sinanaj, qëllon në shenjë nga distanca të ndryshme

 31-vjeçari Sinanaj ka njohuri shumë të mira për armët e zjarrit, është i shpejtë dhe gjakftohtë në veprim

 

julian-sinanaj-dhe-materialet-e-kapura-640x405Julian Sinanaj ka një shënjestër të pagabueshme, ai mund të qëllojë drejt e në shenjë nga largësi të ndryshme, duke ruajtur qetësinë dhe gjakftohtësinë. Çdo lloj arme kthehet në një lodër në duart e vrasësit me pagesë, i cili është shumë i shpejtë në veprim. Julian Sinanaj është një njohës shumë i mirë i armëve të zjarrit si dhe arrin t’i modifikojë duke i shndërruar nga armë zjarri në armë automatike. Mësohet se vetëm para pak ditësh Julian Sinanaj është shoqëruar në poligonin e qitjes për t’u vërtetuar vërtetësia e dëshmisë së tij, nëse me të vërtetë 31-vjeçari qëllon gjithmonë në shenjë duke mos gabuar asnjëherë. Vrasësi me pagesë është provuar nga tri largësi të ndryshme, 1 m, 2.4 m si dhe 4 m. Në të tria këto raste vrasësi me pagesë ka goditur në shenjë duke mos pësuar asnjë lloj lëkundjeje. I dyshuar si autori i 27 krimeve nga të cilat 7 vrasje në vendin tonë, Sinanaj ka shfaqur aftësinë e tij vrasëse me armë të ndryshme zjarri. Julianit i është dhënë si fillim një armë zjarri e modelit “Bereta”, më pas ka bërë të njëjtën provë me armë “Makarov”. I njëjti rezultat ka dalë edhe nga të shtënat me armët e zjarrit automatike, ku ai është provuar në distancë 20 m, 40 m, deri në 55 m dhe është i pagabueshëm. Gjithë veprimi nga marrja në dorë e armës deri tek hapja e zjarrit është konstatuar se Sinanaj është jashtëzakonisht shumë i qetë. Ai nuk ka shfaqur as shenja nervozizmi dhe as luhatje. Vrasësi me pagesë është shumë gjakftohtë dhe shumë i saktë në goditjen e tij. Nuk i duhet shumë kohë që të bëhet gati për të qëlluar, thjesht shikon me armë ngritur shënjestrën dhe godet në pikën ku duhet. 31-vjeçari nuk shfaq as lëkundje të dorës dhe as të fizikut, që është karakteristike për dikë të aftësuar me armët e zjarrit. Burime konfidenciale pohojnë se pas provës 31-vjeçari ka reaguar duke thënë: “E shikoni që jam i saktë dhe nuk ju kam gënjyer. Nuk më ka shpëtuar asnjëherë shënjestra dhe në asnjë rast nuk kam gabuar”.

 

Hetimet

 Prokuroria e Krimeve të Rënda do të jetë organi kompetent për hetimin e dekonspirimit të informacionit, çka solli si pasojë arratisjen dhe zhdukjen e dy kushërinjve Mëhillaj. Organi i akuzës pritet që në ditët në vijim të marrë në pyetje të gjithë oficerët e policisë, që kanë qenë në dijeni të “mega-operacionit”. Dyshimet janë se kushërinjtë Mëhillaj janë njoftuar nga efektivë policie se do të binin në pranga. Menjëherë të dy kanë fikur celularët dhe kanë arritur të largohen. Nga ana tjetër mësohet se vetë Prokuroria kërkoi që të shmangej në çdo lloj forme dhënia e detajeve mediatike pas arrestimit të Julian Sinanajt, por ky mospëlqim nuk gjeti zbatim nga blutë, të cilët e injoruan. Mosprania e prokurorëve të çështjes në krah të drejtorit të policisë nënkupton edhe mospëlqimin e dhënë nga organi i akuzës për konferencën për shtyp. Objekt i hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme është edhe vetë rrjedhja e informacionit për mediat. Presioni në rritje i opinionit publik për gjendjen e përkeqësuar të sigurisë shtyu Ministrinë e Brendshme të thërriste mediat në një deklaratë publike. Kamerave iu la koha e mjaftueshme që të filmonin provat materiale dhe publikimi për mediat i kartës së identitetit të Julian Sinanaj përbën vepër penale. Mungesa e prokurorëve të çështjes në krah të policisë dëshmon se grupi hetimor ishte kundër konferencës për shtyp dhe publikimit të të dhënave sekrete për marketing. Në një kohë që dëshmia e Julian Sinanajt ende nuk ishte e plotë, rreziku se ndërmjetësit apo porositësit e vrasjeve do të largoheshin nga Shqipëria ishte konstant. Policia i kishte dëmtuar më herët hetimet, pikërisht pak orë pasi u krye arrestimi i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, kur emri i tij u publikua në media.

 

 

Policia

3 ditë para operacionit nuk u paraqit në punë gruaja e Genis Mëhillajt

 Tri ditë para se policia të bënte publik “mega-operacionin” e shkatërrimit të bandës së tritolit, bashkëshortja e njërit prej kushërinjve Mëhillaj, të cilët arritën t’i shpëtonin arrestimit, nuk është paraqitur në punë. Bëhet fjalë për bashkëshorten e Genis Mëhillajt, e cila mban postin e nëndrejtores së Institucionit të Shëndetit Publik në Vlorë. Sipas burimeve për “A1 Report”, nga ana e këtij institucioni, Blerta Mëhillaj, nuk paraqitej në punë 3 ditë para se policia të njoftonte më 29 janar shkatërrimin e bandës së tritolit, pjesë e së cilës ishin edhe kushërinjtë Genis Mëhillaj dhe Andon Mëhillaj. Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dyshojnë se ky operacion u dekonspirua duke ndihmuar largimin pa gjurmë të dy kushërinjve, të cilët dyshohet se kanë vepruar si sekserë mes porositësve dhe Julian Sinanajt për vrasjet me pagesë. Tashmë ka nisur një procedimin penal për “Nxjerrje të sekretit hetimor”, për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar informacione jozyrtare, lidhur me operacionin dhe hetimet, në kuadër të të cilave janë arrestuar disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë. Sipas të dhënave, hetimi ka nisur sërish nga Vlora dhe në fokus janë dy oficerë policie, ku njëri prej tyre i përket policisë së Vlorës dhe tjetri policisë së Tiranës. Edhe pse në sistemin TIMS dy të superkërkuarit nuk rezultojnë të kenë lëvizur jashtë vendit, porositësit e krimeve, sipas policisë, mund të jenë të pajisur edhe me dokumente të tjera identifikimi ose mund të kenë lëvizur në rrugë tokësore. Policia ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për çdo informacion që do të mund të çojë në arrestimin e kushërinjve. Deri tani si pjesë e bandës së tritolit janë arrestuar Marjon Mitro, Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokonaj. Ndërsa biznesmeni Ilir Karçini u arrestua si i akuzuar se ka porositur tek kjo bandë vrasjen e biznesmenit Piro Bare.

 

 

Trafik droge

Ekstradohet nga Italia Gjon Kola, i dënuar me 6 vjet burg

 I dënuar në Shqipëri me 6 vite burg për trafik droge, Interpol Tirana ka bërë dje ekstradimin nga Italia të Gjon Kolës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se i ekstraduari Gjon Kola, 47 vjeç, nga Puka, është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë me 6 vjet heqje lirie për “Trafik të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim dokumentesh identiteti”. “Që prej vitit 2009, 47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa kapja e tij u bë e mundur në gusht të vitit 2012 nga bashkëpunimi i Interpol Tiranës me atë të Romës”, – deklaruan burimet zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas policisë, dje në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky person u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët e kanë dërguar në qeli ku do vuajë dënimin.

 

 

Itali

Shkatërrohet banda shqiptaro-afrikane, nën akuzë për trafik heroine

 Të paktën 19 urdhër-arreste u zbatuan dje në Modena, gjatë operacionit “Bishop”, kur u shkatërrua banda shqiptaro-afrikane që merrej me shitjen e sasive të ndryshme të heroinës në të gjithë rajonin Emilia Romanja dhe për shumë pjesë veriore të Italisë. Gjatë hetimeve, zyrtarët e zbatimit të ligjit, para një viti, në operacionin “Bishti”, kanë arrestuar disa korrierë dhe konfiskuan disa kilogramë heroinë, 3 prej të cilave iu kapën një shqiptari kur udhëtonte me gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Ekzekutimet e urdhër-arresteve u kryen në Modena, Milano, Bolonja, Mantua dhe Novara, ndërsa në orët në vijim priten detajet e këtij operacioni.