“Janë vetëm 385 apartamente dhe e gjitha do të hyjë në një dinamikë të rishqyrtimit të dosjeve, procedurave dhe kalimit të tyre në Këshillin Bashkiak për miratim”
Bashkia e Tiranës mori dje në dorëzim 385 apartamentet e ndërtuara në zonën e Shkozës, për të cilat është folur shumë kohët e fundit. Sipas Bashkisë së Tiranës, për këto banesa është bërë pak punë nga ata që kishin përgjegjësinë për përfundimin e tyre vite më parë. Firmat e ndërtimit ia kanë bërë dorëzimin e këtyre pallateve ndërmarrjes nr. 3 të Bashkisë së Tiranës, duke i hapur rrugën procesit të ndarjes së tyre për familjet në nevojë të kryeqytetit. E pranishme në dorëzimin e këtyre apartamenteve ishte edhe nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi. “Bashkia e Tiranës merr në dorëzim 385 apartamente, të cilat janë pjesë e fondit të banesave sociale me qira. Besoj, jeni në dijeni që për banesat sociale me qira është folur shumë kohët e fundit, por është bërë shumë pak, për të mos thënë aspak nga administrata paraardhëse në Bashkinë e Tiranës, për të përfunduar procesin e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës. Procesi nuk ka qenë i lehtë për të ardhur në këtë ditë, ku ne i marrim në dorëzim nga firmat që kanë qenë të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës. Pallati i fundit që ka mbaruar, ka qenë një procedurë e gjatë, pasi Bashkisë së Tiranës i është dashur të zhvendosë linjën e tensionit të lartë 110 kilovolt dhe njëkohësisht kabinën elektrike të tensionit të lartë dhe një linjë tjetër në krah që ka qenë 20 kilovolt”, – u shpreh nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi.
Akuza
Po kështu, Xhindi akuzoi administratën e kaluar të Bashkisë, e cila ka lënë një faturë me borxhe shumë të madhe, sipas saj. “Nuk kanë mbaruar këtu hallet e Bashkisë së Tiranës, për të proceduar me këto ndërtesa. Administrata paraardhëse na kishte lënë një faturë me borxhe shumë të mëdha të pashlyera, nga CEZ-i dhe Ujësjellësi, miliona lekë të cilat i likuidoi Bashkia e Tiranës dhe bëri të mundur lidhjen e kontratave për furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm”, – theksoi Xhindi.
Banesat
Bashkia e Tiranës do të nisë pa humbur kohë me shqyrtimin e dosjeve, në bazë të kritereve të përcaktuara për të përfituar banesa sociale, të cilat do t’i kalojnë për vendimmarrje Këshillit Bashkiak. “Janë rreth 1132 dosje të depozituara nga familjet në nevojë, për të kaluar procedurat për të përfituar banesat sociale me qira. Janë vetëm 385 apartamente dhe e gjitha do të hyjë në një dinamikë të rishqyrtimit të dosjeve, procedurave dhe kalimit të tyre në Këshillin Bashkiak për miratim”, – përfundoi nënkryetarja e Bashkisë. Qiraja për këto banesa varion nga 4 në 10 mijë lekë dhe hapësirat variojnë nga garsonierë, 1+1, 2+1 dhe 3+1.
Publikohet rregullorja e Maturës Shtetërore, datat kur do të plotësohet formulari A1
Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e Maturës Shtetërore 2014. Në këtë rregullore përcaktohet mënyra se si do zhvillohen provimet, ambientet e provimeve, administratorët dhe rregullat që duhet të zbatojnë maturantët. Në rregulloren e maturës përcaktohet dhe afatet se kur do të plotësohet formulari A1. Ministria e Arsimit deri në datën 20 shkurt do të miratojë formularin A1/A1Z dhe pas datës 25 shkurt ky formular do tu jepet maturantëve. Plotësimi i formularit do të bëhet “Në shkollat ekzistuese ku kryejnë ose kanë kryer arsimin e mesëm të lartë maturantët. Në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur, duke paraqitur aty dokumentet e mëposhtme: Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve të maturës; kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë, vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi, certifikatën e maturës me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentit të lëshuar nga Arkivi i Shtetit dhe legalizuar nga titullari i DAR/ZA-ve”, – thuhet në rregullore.
Ambientet e provimit
Mjediset ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore duhet të plotësojnë këto kushte:
– Të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara.
– Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Ky veprim merret në dorëzim prej drejtorive të shkollës ku do të zhvillohet provimi.
– Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë.
– Largësia ndërmjet çdo maturanti të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet; si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa.
– Maturantët /kandidatë të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim.
– Sipërfaqja që maturanti ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×60 cm.
– Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera
Detyrat e maturantëve
Maturanti paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Maturanti plotëson testin me stilolaps me ngjyrë (të zeze ose blu). Maturantëve kandidatë me aftësi të kufizuara, të përkohshme ose të përhershme u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, PAP autorizon një person jo të profilit për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga kandidati. Maturantëve /kandidatëve të paraburgosur u sigurohen kushtet për zhvillimin normal të provimeve në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë pa uniformë dhe pa armë. Maturantët /kandidatë që dorëzojnë testin firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Maturanti-kandidat nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak sesa 20% të pikëve të testit.
Maqedonia dhe Shqipëria rritin bashkëpunimin në fushën e turizmit
Maqedonia dhe Shqipëria po angazhohen gjithnjë e më shumë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit. Këtij qëllimi i shërben edhe takimi që do të zhvillohet në Ohër ditën e sotme, mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, drejtuesve të Shoqatës Shqiptare të Tur-Operatorëve (UOTSH) dhe Shoqatës Shqiptare të Turizmit. Gjatë takimit mes palëve do të diskutohen mundësitë për reduktimin e burokracive dhe lëvizjen e lirë gjatë sezonit turistik në pikat kufitare/doganore të Qafë-Thanës dhe Shën Naumit, përshpejtimi i procedurave kufitare, nëpërmjet ofrimit të shërbimit VIP. Qëllimi kryesor i këtyre masave është rritja e numrit të turistëve nga të dyja anët e kufirit, minimizimi i kohës së pritjes në këto pika doganore, por edhe përmirësimi i imazhit të dy vendeve.