Gani MEHMETAJ
Kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen, duke i dhënë aq pak para se nuk mjaftojnë gati për asgjë.
Kinematografia shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa në mileniumin e tretë. Kineastët shqiptar kurrë nuk ishin më të braktisur se sa në kohën kur filmi në botë ka arritur majat e zhvillimit teknologjik. E braktisur nga shoqëria, e nënçmuar nga shteti, filmi shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë vegjeton sot për nesër, në përpëlitje të shuhet fare. Dy qendra kinematografike shqiptare shtihen kinse po financojnë filma, ndërsa kineastët e frustruar, të cilët marrin ca para nga shteti, po ashtu shtihen kinse po bëjnë filma. Në fakt regjisorët e producentët më ekipin e aktorëve në një varfëri të skajshme buxhetore po bëjnë përpjekje titanike të sfidojnë vetën e shtetin që i përbuz. Entuziazmi e dashuria për artin, është ajo që i mban, por kjo nuk mjafton, sepse filmi kërkon mjete të mëdha financiare. Pa para s’ka vepër artistike, por sidomos pa para të shumta s’ka projekte kinematografike.
Ndërrimi i qeverive po e thellon krizën e filmit!
Me një film në vjet (Tiranë), apo edhe më keq më gjysmë filmi në tre vjet (Prishtinë), nuk mund të quhet kinematografi, as mund të konkurroj asgjëkund, sepse kjo prodhimtari manifakture nuk quhet industri filmike, pavarësisht nga gjuha “moderne” e ca zyrtarëve të cilët flasin për industrinë kinematografike shqiptare që vetëm sa të nxit në qeshje sarkastike. Ndërkaq, xhirohen aq pak filma sa të mos thuhet se u shkëput vazhdimësia, por jo mjaftueshëm sa të thuhet që po ikim nga pika e fillimit. Çdo dhjetëvjetësh sikur e nisim nga e para. Gjendja nuk ndryshoi as me ndryshimin e qeverive, përkundrazi kriza kinematografike sa vjen e thellohet, sepse garniturat e reja i trashëgojnë vështirësitë e vjetra, ku e ku pastaj e thellojnë krizën, duke e kopjuar qeverinë pararendëse në shpërfilljen ndaj filmit.
Asnjë qeveri nuk paraqiti asnjë vizion për dalje nga kriza, asnjë grup punues nuk paraqet ndonjë koncept, i cili do të hapte rrugë dhe, do të ndihmonte që filmi të mos vendnumëroj, ndërsa regjisorët të mos i përsërisnin ankesat e përvitshme. Ndërsa kriza është pasojë e buxhetit të pakët nga shteti, asnjëherë nuk përfillet mendimi i kineastëve, asnjëherë nuk ftohen ata të bëjnë strategji për kinematografi. Në vend të shtohet buxheti, dalin ca zyrtarë ministrie “të gjithëdijshëm” apo nga QKK-të e klaneve, të cilat lexojnë diçka nga notesi i tyre, që më shumë është lojë fjalësh a fjalime boshe, pastaj kinse dëgjojnë ankesat e kineastëve dhe ia mbathin për të mos u dukur kurrë më para publikut.
Buxheti për kinematografinë përsëritet me të njëjta shifra nga viti n vit. Sivjet s’ka para fare për film në Tiranë, sepse duhet të shlyhen borxhet e vjetra! Ministria Shqiptare e Kulturës nuk e shkon nëpër mend të jep mjete shtesë, ka përparësi tjera! Në kopjimin e të shëmtuarës të dy ministrit i ngjajnë njëra-tjetrës. Vetëm se në Prishtinë zyrtarët e Ministrisë së kulturës janë edhe më primitiv e të paarsimuar.
Që nga vitet e nëntëdhjetë filmi në mënyrë të pafalshme është trajtuar si vrima e fundit e kavallit. Janë gjetur vrima e gropa ku janë hedhur paratë e taksapaguesve, janë shpikur projekte e përparësi financimi, kurse për kinematografinë asnjëherë nuk pati para që do të stimulonte prodhimin.
Asnjë kinematografi kombëtare në rajon (me të vetmit që mund të mateshin dikur) nuk është më keq dhe më e zhvlerësuar se sa kinematografia shqiptare. Asnjë shtet në rajon nuk prodhon më pak filma se sa Shqipëria e Kosova, asnjë shtet në rajon nuk jep më pak buxhet për filmin se sa që jepen në Tiranë, apo në Prishtinë. Shtetet fqinje i kanë dyfishuar numrin e filmave të prodhuar, shqiptarët e kanë zvogëlua numrin e filmave të prodhuar. Derisa bie fjala në Serbi xhirohen dhjetë filma në vjet, kryekëput më buxhet të shtetit, apo në bashkëprodhim me televizionet kombëtare, ashtu sikurse në Kroaci ku bëhen tetë filma, në Maqedoni deri në tre filma me katër milion euro buxhet, të ne është shpikur një përqindje e çoroditur buxhetore, e cila nuk mjafton gati për asgjë. Nuk kuptohet ky qëndrim i pafalshëm dorështrënguar i dy shteteve shqiptare ndaj kulturës në përgjithësi e filmit në veçanti. Nuk doli asnjë kryeministër të thotë se filmin e trajtuam sikur ta kishim thjeshtër, nga sot do ta trajtojmë si fëmijën tonë. Vazhdojnë ta shpërfillin. Me një milion dollarë në Tiranë, apo 350 mijë euro në Prishtinë, s’mbahet kurrë kinematografia, sikurse që me individë apo shtëpi filmik sot për nesër, s’do të ecën kurrë filmi tutje.
Sigurisht kriza në film është edhe pasoj e mënyrës së caktimit të ministrave dhe zyrtarëve kryesor të kulturës. Nuk e di për Tiranën, por në Prishtinë tre ministrat e fundit të kulturës ishin gjysmë analfabetë (njëri me mejtep për hoxhë, tjetri mezi e kishte mbaruar një shkollë të mesme me ndërhyrje, ndërsa i treti është “reper” rrugësh). Kështu qeveritarët tanë të të gjitha ngjyrave janë tallur e po tallën me kulturën, ashtu sikurse po tallën me artistët.
Me shuarjen e kinostudios, po shuhet edhe kinematografia
Kinematografia shqiptare dikur ishte në gjendje të mirë prodhimtarie (xhironte deri në 13 filma artistik). Kishte shumë shtrëngesa e censurë, por filma bënin. Kishte shtëpi filmike, ku realizohej e tërë prodhimtaria (Kinostudioja). Më rënien e komunizmit filloi përpëlitja e kinematografisë shqiptare, megjithëse do të duhej të ishte ndryshe. Filmit iu përgjysmua buxheti, u shua kinostudioja. Terrorin e censurës e zëvendësoi terrori i mospasjes. Në mungesë të filmave brezi i ri i regjisorëve po realizohen më vështirësi, brezi i vjetër që i dhanë aq shumë filmit shqiptar, rrinë e presin ndonjë ditë më të mirë.
Ka dhjetë vjet që nuk bëri film Kujtim Çashku, gati aq vjet nuk e kemi parë në ekran Dhimitër Anagnostin, më shumë se pesë vjet nuk bën filma Saimir Kumbaro, ndonëse ka disa skenar, na mori malli për Mevlan Shanajn, Rikard Ljajrjen, Piro Milkanin, Esat Mysliun, regjisorë e aktorë të tjerë me nam. Shumica prej tyre kanë energji e ide kreative që të punojnë, por askush nuk ua ofron një mundësi të tillë. Regjisorët në Perëndim punojnë edhe pas moshës 83 vjeçare, ne i pensionojmë ende pa i mbushur 60 vjet. Ndërkaq, ata më përvojën e dijen e tyre kanë mundësi të thonë aq shumë…
E njëjta situatë është edhe në Prishtinë. Shëmtitë përsëriten në qëndrimin ndaj kinematografisë dhe ndaj institucioneve të filmit. Kështu derisa kinostudioja u shua, ndërsa ka propozime që sërish të aktivizohet dhe të filloj nga puna si më parë, Kosovafilmin është në fazën e shuarjes, sepse ashtu duan burokracia gjysmanalfabete e arrogante e kulturës.
Regjisorët, kameramanët, montazherët e aktorët, dikur e kishin komoditetin e punës normale, nga ta kërkohej vetëm të bënin punën e vet, ndërsa sot ata regjisorë shqiptar që kanë fatin të punojnë, duhet ta bëjnë edhe punën e organizatorit, producentit, madje i duhet të merret me dërgimin apo pranimin e kopjeve nëpër festivale. Në mungesë të një shtëpie filmike me kritere dhe më standarde të përcaktuara, që është prapa një projekti kinematografik, ditët e xhirimit zvogëlohen, në dëm të cilësisë së filmit. Po ashtu, në mungesë të shtëpisë filmike që do të ndërmjetësonte në shitjen e filmave jashtë shtetit, këtë e bënë regjisori i filmit apo ndonjë producent i rastit. Ka improvizime xhirimesh, për të shkurtuar shpenzimet, ka improvizime në të gjitha fazat e realizmit të një filmi, sepse mungon ekipi profesional që e kishte dikur kinostudioja apo Kosovafilmi.
Duke i shikuar filmat shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë heton që u mungojnë profesionistët: producenti, drejtori i filmit, drejtori i organizmit, organizatori i xhirimit etj. Vëren se regjisori ka harruar detyrën parësore- regjinë e filmit, shpesh është bërë tregtar duke e dëmtuar veprën e vet me ndonjë reklamë marroqe brenda filmit.
Kineastët janë shpërndarë si zogjtë e klloçkës pa shtëpi filmike e pa katandi. Atë që e patën e prishën, duke shpresua që po bëjnë mirë, ndërsa në fakt vepruan keq. Kinematografia shqiptare duhet të ndryshojnë strategji, kineastët të kërkojnë që shteti të mos u jep ndihma varfanjakësh, por buxhet të mirëfilltë që do ta kalonte shumën prej katër milion eurosh në Tiranë dhe së paku dy milion euro në Prishtinë. Ata duhet të këmbëngulin që donatorët të cilët do ta mbështesnin filmin të lirohen nga tatimi në fitim, ndërsa filmi që nga faza e parë e xhirimit e deri në fund ët lirohet nga tatimi, sepse filmi të ne nuk është as mall dhe as industri, ashtu sikurse që nuk është as teatri.
Kinematografia duhet ta ketë edhe një shtëpi filmike me sektor të veçantë, që do të merrej me shitjen e filmave, sepse kështu sikurse shitet filmi brenda e jashtë, nuk dallon nga shitja e patateve në treg.
Prandaj, kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen kinematografisë, duke i dhënë aq pak para se nuk mjafton gati për asgjë.