Intervista e fundit/ Ndahet nga jeta humoristi i estradës së Tiranës, sot homazhet në Teatrin Kombëtar
Në 70-vjetorin e lindjes, humoristi Skënder Sallaku la një intervistë për “standard”, ku siç dihet, për artistë të diktaturës kurioziteti i bisedës është më i madh. Duke u marrë me humorin, estradën e Tiranës, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, Sallaku e mendon të shkuarën i qetë, pasi ndryshe nga fati i kolegëve të tij që u rrasën burgjeve, atë “e shpëtoi e qeshura”, duke treguar se asnjëherë nuk e merrnin seriozisht. Dje ai është ndarë nga jeta dhe kjo memorie sigurisht nuk e ndan artistin nga diktatura. Ky binom aq i diskutuar këto kohë, ku jo pak po lënë këtë jetë, bëhet më i komplikuar kur rrëfimet i ngjajnë qoftë edhe kësaj bisede. Shkaku se trajtohen si “të mëdhenj” kur brendia e tyre ka qenë frustruar prej doktrinës komuniste, duke u marrë edhe ndërgjegjen. Publiku shqiptar ende ushqehet me artistët e diktaturës shpirtërisht, sikur asgjë të mos ketë ndodhur midis tyre dhe historisë. Intervista e mëposhtme është e fundit, ndoshta për Sallakun, marrë nga “standard”, të cilën e ribotojmë.
Mbushët 70 vjeç dhe keni ftuar shumë miq për ditëlindje…
Me thënë të drejtën, këta miq më mbajnë të gjallë. Më mbajnë energjitë dhe gëzimin. Këto tavolina që janë shtruar për ditëlindjen time janë të gjithë artistë. Me një fjalë gjithë ky ambient këtu për mua është familjar. Kanë ardhur aktorë nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Teatri Popullor. Por nuk dua të përsëris atë që e kam thënë shumë herë të tjera, kur kam qenë kampion i Shqipërisë në mundje. Meqë një pjesë të jetës sime e kam kaluar dhe me sportin, kam ftuar dhe futbollistët që kanë luajtur me Tiranën.
E nisët me sportin, ç’ju shtyu të kalonit në humor?
Aty e kisha shpirtin gjithë jetën. Kam nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç. Me një grup amatorësh të Pallatit të Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e Tiranës deri në ditën që dola në pension.
Pas këtij momenti çfarë ishte estrada, “e qeshura” për ju?
E qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje. Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.
Cilat janë “shanset” që një aktor të jetojë si humorist?
Mbi të gjitha humoristi ka anën shpirtërore. Pa këtë një aktor humori nuk mund të bëjë asgjë. P.sh. njerëzit më të ndjeshëm janë humoristët e vërtetë, sepse ato ndjenjë gjithçka. Dinë të thonë menjëherë çfarë është mirë e çfarë është keq. Humoristi di të frenojë veten dhe shokët. Ndaj, një aktor pa humor, pa gjallëri nuk mund të mbijetojë e as t’i ecë në karrierë po nuk e pati në shpirt, në asnjë rrethanë tjetër nuk ke shanse për t’ia arritur këtij lloj aktrimi.
Sa vite nga jeta keni kaluar vetëm me humorin?
Kam 52 vjet si profesionist humori. Dhe e ndiej akoma veten shumë mirë, por sipas dëshirës dhe mendimit sonte desha ta mbyllja karrierën. Po pikërisht sot më erdhën propozime nga miqtë e mi për të xhiruar film, duke më paraqitur projektet që kishin vendosur t’i realizonin. Dhe mendja sigurisht m’u prish, i pranova, pasi mendova me veten “prit o vëlla se ndihem mirë fizikisht, se kam akoma gjallëri brenda vetes. Domethënë ia rinisa prapë aktivitetit artistik.
Koha e diktaturës rrënoi jetën e shumë artistëve, me humorin ju keni qenë në qendër të vëmendjes për më shumë se gjysëm shekulli, si keni rezistuar?
Atëherë vërtetë mund të kishim pak frikë, por tek unë ka ndodhur diçka e veçantë. Mua më kanë dashur të gjithë. Edhe atë gabim që bëja kur tregoja ndonjë barcaletë, ma falnin, duke u shprehur se Skënderi nuk e thotë me qëllim, e ka për humor, pavarësisht se ajo godiste, dhe godiste fort. Në të gjitha rastet më ka shpëtuar humori, se ndoshta do të kisha pasur në disa raste fatin e kolegëve të mi.
Gjatë kohës që ishte e vështirë mbijetesa dhe që e përballuat mirë me humorin, a ke pasur idhuj?
Nuk është çështje idhulli, por një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe. Kur merrja materialin, ajo e shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e sakta për mua dhe çfarë nuk bënte. Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole, Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,. Pothuaj për mua kanë shkruar të gjithë penat e humorit, por kam një respekt të veçantë për Bubanin.
A keni pasur ndonjë moment të vështirë që nuk keni mundur t’ia hidhni falë humorit?
Jo, nuk mund ta them, se sot kjo mbrëmje është gëzimi im.
Ku ka qenë sekreti juaj?
Kam pasur shumë kurajo kur lëshoja batutën, kisha shumë besim në vetvete. Asnjëherë nuk jam trembur, madje do të thosha mjerë ai që trembet.
Cila ka qenë gjëja më e rëndësishme që të ka shoqëruar gati si filozofi jetën tënde prej humoristi?
Gjithë jetën më ka pëlqyer respekti karshi njeriut dhe puna e madhe. Po të më pyesësh se kë urren më shumë, përgjigjja është mosmirënjohja.
Cilin humor keni vlerësuar dhe preferoni njëkohësisht këtu?
Më pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa. Po ashtu janë shumë simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran.
Po për humorin e sotëm çfarë mendoni?
Mendoj se vetëm një pjesë ka ecur mirë. Por të them të drejtën, mund të ishin pak më të frenuar nga ana e banalitetit, megjithëse ka artistë shumë të mirë. P.sh. programi i humorit të “Portokallisë” po nxjerr elementë të rinj të humorit. Por nga ana tjetër një Fadil Hasë apo Zef Dedë zor se gjenden. Aktori i humorit Tano Banushi, që ka vdekur, vështirë se mund ta sjellë skena një imazh të tillë në humor. Por rëndësi ka që në këtë fushë ky vend ka nxjerrë dhe vazhdon të prodhojë talente.
A e ka trashëguar ndokush nga familja humorin tuaj?
Asnjë. Madje, as unë nuk kam njeri të familjes sime në të shkuarën që të dallohej për humor.
Artisti ka kulminacionet e tij, kur mendoni se ka ndodhur kjo me ju?
Që në momentet e para që kam dalë në skenë, në vitet ‘50 deri më ‘70 them pa frikë se jam ndier shumë mirë. Në përgjithësi artisti mundohet të qëndrojë dhe që të qëndrojë do forcë dhe që të ketë forcë duhet të punojë.
Po kur flet seriozisht Skënder Sallaku, çfarë ndodh me aktorin?
Kur flas seriozisht… tepër e vështirë, më zë e qeshura dhe njerëzit prapë thonë se Skënderi po tallet.
Gazeta “standard”
Box
Kur Bubani shkruante për humoristin
Dionisi ishte nga të parët e humorit tim, me materialin e tij hodha hapat e parë në aktrim. Ka shkruar një monolog “Se si dashuronin demokratët”, që ka qenë nga pjesët më të rralla për mua, që u takon viteve ‘50. Humori ashtu sikurse vetë Bubani shkruhej me shumë fisnikëri duke më ardhur si kallëp me natyrën time. Nga ana tjetër vetë shkrimtari më thoshte shpesh se “materiali im gjen jetë tek ty”.